Topalli takon ambasadorin Bosh, në përfundim të mandatit diplomatik
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim përfaqësuesin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Robert Bosh, në përfundim të mandatin e tij në vendin tonë. Në këtë takim, kryetarja e Kuvendit vlerësoi punën dhe mbështetjen e OSBE-së në shumë reforma thelbësore të Shqipërisë. Ajo e falënderoi ambasadorin Bosh edhe për kontributin e tij personal dhe rolin e tij në bashkëpunimin e frytshëm mes OSBE-së dhe institucioneve shqiptare, ndërsa i bëri urimet më të sinqerta për karrierën dhe familjen. Ambasadori Bosh çmoi bashkëpunimin me qeverinë dhe Parlamentin si shumë të hapur, konkret e me rezultate të qarta, ndërsa theksoi se do të vijojë të ndjekë me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Kjo edhe për faktin se misioni i tij i ardhshëm do të vijojë në Kosovë, kësaj radhe si ambasador i Holandës. Ndaj edhe biseda më tej u fokusua te Kosova dhe njohja e pavarësisë së saj. Kryetarja e Kuvendit tha se tashmë pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e rikonfirmoi këtë.
2 Shtator 2010