Berisha: Ndëshkoni Ramën, vota majtas, votë për të shkuarën
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ftoi mbrëmë shqiptarët që me votën e 28 qershorit të ndëshkojnë Edi Ramën, si armikun e Shqipërisë evropiane. Por kreu i qeverisë i jep mundësinë e dy ditëve kohë, për t’u futur në garën elektorale dhe të bëhet burrë. Z. Berisha zhvilloi mbrëmë mitingje në Rrëshen dhe Laç, nga ku ftoi banorët e tyre që t’i votojnë djathtas për të vazhduar ndryshimin e nisur, pasi 4 vitet që vijnë janë vendimtare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Berisha shprehu bindjen se shqiptarët do t’i udhëheqë mençuria ditën e zgjedhjeve dhe çdo votë ta japin për PD-në. “Unë kam besim tek ju se këtë radhë do t’i jepni ju ndëshkimin e merituar armikut të rrugës. Armiku i rrugës është armiku juaj, armiku i qenies shqiptare”, - u shpreh Kryeministri. Berisha ripërsëriti thirrjen: “Z. Rama, ke edhe dy ditë afat, dy ditë për t’u bërë burrë, por druaj se ti nuk mund të bëhesh kurrë. Druaj. Vendos të ndryshoj ligjin, ta vësh veten në krye të listës së partisë tënde. E bëj këtë në respekt të socialistëve, të cilët nuk do pranonin kurrë një skenë të shëmtuar të tillë, të shohin kryetarin e tyre që futet nën tavolinën e lejeve të ndërtimit”. Berisha shtoi se “ky zotëri që refuzon të vendosë veten në krye të listës së partisë së tij a ka moral të kërkojë vota, a ka moral të paraqesë kandidatë, a ka moral të flasë për zgjedhjet?” Kur, - tha Berisha, - ka ndodhur në historinë e demokracisë që një kryetar partie t’u thotë të tjerëve para ju, se mbrapa më keni?”. “Nuk ndodh kurrë. Prandaj ju bëj thirrje, asnjë votë të vetme majtas, sepse vota majtas është votë për të shkuarën, është votë, e cila synon të errësojë të ardhmen tonë, është votë për atë që nuk ka besim tek njerëzit e tij, nuk ka besim tek shqiptarët që refuzon të kandidojë”. Berisha vuri theksin tek arritjet 4-vjeçare të qeverisjes së djathtë, duke përmendur në mënyrë të veçantë reformën e rritjes së pagave dhe pensioneve, por edhe infrastrukturën moderne në çdo cep të Shqipërisë. “Këto që realizuam këto katër vite së bashku janë baza më e fuqishme që katër vitet që vijnë të ndërtojmë Mirditën evropiane, të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Mirditë evropiane për mua do të thotë Mirditë me rrugë të asfaltuar nga Kryelura në Skurraj, nga Ulza në Fan. Jam sot për t’u zotuar para jush se të gjitha komunat e rrethit tuaj, të gjitha fshatrat e këtij rrethi do të lidhen me rrugë të asfaltuara me autostradën e madhe, me korridorin e kombit. Kam ardhur t’u jap fjalën se kudo që ju banoni, nga Kumbulla gjer në Fan, në Gjegjan dhe kudo që ndodheni, do të keni ujë 24 orë në shtëpitë tuaja. Katër vitet që vijnë do të rrisim rrogat e pensionet tuaja, duke lënë mbrapa jo dy vende të BE-së, por 6 vende të BE-së”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri siguroi se 4 vitet e mandatit të dytë do të jenë vitet, gjatë të cilave qeveria do t’u garantojë qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira në shëndetësi, në arsim dhe në të gjitha shërbimet e tjera njëlloj si qytetarët e vendeve anëtare të BE-së. Sipas tij, katër vitet që vijnë do të jenë vitet e luftës me zero tolerancë ndaj varfërisë. Nuk do të ketë shqiptarë që të marrë nën dy dollarë në ditë, pavarësisht se ku jeton, pavarësisht se çfarë bën. Kryeministri Sali Berisha u bëri apel qytetarëve që të shkojnë dhe të marrin kartat e votimit, me qëllim që të votojnë si qytetarë evropian me identitetin e tyre. “Ju bëj thirrje vëllazërore, i merrni të gjitha letërnjoftimet e reja, merrini se janë dëshmia e teknologjisë më moderne për identitetin e qytetarëve, merrini se me to ne barazohemi me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës dhe botës për sa i përket dëshmisë së identitetit. Merrini dhe votoni të gjithë, në mënyrë që të firmosim së bashku kontratën tonë me të ardhmen për Mirditën evropiane, për Shqipërinë evropiane”, - theksoi z. Berisha.