E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasilika Hysi garon për PS-në dhe monitoron listat



Dëshira e madhe e politikës për të thithur sa më shumë eksponentë nga shoqëria civile shihet si reformim i kësaj të fundit, por në fakt ka ngritur dhe një pikëpyetje të madhe, kush po e përfaqëson mendimin e publikut në këtë rast. Sepse ndodh që eksponentë kur vendosin të lënë punën e “avokatit” të publikut e të pozicionohen politikisht, nuk heqin dorë nga roli si përfaqësues i shoqërisë civile. Kjo ndodhi me Komitetin Shqiptar të Helsinkit i drejtuar nga Vasilika Hysi, e cila në zgjedhjet e 28 qershorit rezulton e para në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në Qarkun e Tiranës. Që në momentin që Hysi zgjodhi të ulej pranë Edi Ramës për të garuar për Partinë Socialiste, e komprometon gjykimin e drejtë dhe të paanshëm që mund të japë zyra që ajo drejton për ecurinë e procesit zgjedhor në vend. Por Hysi, edhe pse po garon për partinë më të madhe të opozitës, ka publikuar dje një studim të qendrës së drejtuar prej saj, ku kritikohet puna e pushtetit ekzekutiv dhe vendor për listat e votuesve. Për koincidencë konstatimet e KSHH-së ngjanin së tepërmi me konstatimet e PS-së për problemet që po has procesi.

Raporti i KSHH-së

Në raportin e djeshëm, Komiteti Shqiptar i Helsinkit kritikon vonesat në shpalljen e listave përfundimtare të zgjedhësve pranë çdo qendre votimi dhe kërkon afishimin e tyre jo me larg se data 3 qershor. KSHH bazohet në një monitorim që ka bërë gjatë datave 4-6 qershor në 812 qendra votimi në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Korçë në nivel qarku. Sipas KSHH-së, “rezulton se deri më 6 qershor 2009, në 371 qendra votimi nuk janë shpallur listat përfundimtare. Kështu në Tiranë, nuk janë shpallur listat në 155 qendra votimi, në Durrës në 86 qendra votimi, në Elbasan në 90 qendra votimi, në Shkodër në 35 qendra votimi dhe në Vlorë në 5 qendra votimi”. Raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit veçon se në disa qendra votimi, ku janë shpallur listat përfundimtare konstatohet se nuk është respektuar neni 54 i Kodit Zgjedhor, i cili detyron që listat përfundimtare të zgjedhësve të shpallen “në një vend publik me hyrje të lirë”. KSHH i kërkon KQZ-së të marrë masat përkatëse për të parandaluar vonesat e mëtejshme dhe për të eliminuar shkeljet e tjera.

Studimi: LSI, decizive në krijimin e qeverisë së re

PD po fiton pikë ndaj PS-së në fushatë

Zgjedhjet e 28 qershorit do të krijojnë një pol të tretë të rëndësishëm për qeverisjen, që do të krijohet pas këtyre zgjedhjeve. LSI do të jetë partia, që do të vendosë për ekuilibrat e qeverisjes së re. Kështu pohon në studimin e tij Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin. Publikimi i këtij studimi i përkthyer në shqip dhe i shpërndarë nga zyra e LSI-së bën konstatime për situatën parazgjedhore dhe parashikime për situatën paszgjedhore. “Koalicioni “Aleanca Socialiste për Integrim” nuk do të jetë vetëm vendimtare për fitoren e së majtës, por gjithashtu ajo do të jetë çelësi kryesor i formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve”, - thuhet në këtë studim. Ky institut me qendër në Lubjanë të Sllovenisë mendon se zgjedhjet e 28 qershorit fitohen nga forcat politike të majta dhe sheh si domosdoshmëri një bashkëpunim mes tyre. Duke analizuar fushatën e PS-së, studimi vë re që ajo i ka lodhur votuesit me premtimet e saj të ripërsëritura gjatë një turi të gjatë që zgjati më shumë se një vit. “Surpriza më e pakëndshme që i ka përgatitur votuesve të tij, Edi Rama, ka qenë mospërfshirja e tij në listat e kandidatëve. Një vendim ky irracional nga kreu i kësaj partie, i cili do të jetë dhe Kryeministri i këtij vendi”, - thuhet në studim. Ndërkohë që vihet në dukje se lideri historik i së majtës, Fatos Nano, nuk është i përfshirë në listat për kandidat për deputet. Sipas raportit, mospërfshirja e Ramës në listë ka dekurajuar votuesit e majtë.

Përparësia e PD-së

Ndërkohë që premtimi i Berishës për uljen e taksave që ka ngritur Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Rama, ka sjellë gjithashtu impakt negativ për kreun e opozitës. Gjithashtu, studimi vëren se PD po fiton çdo ditë e më shumë pikë ndaj PS-së në mënyrën e ndërtimit të fushatës elektorale. Arsyet pse uji po rrjedh në mullirin e djathtë, sipas institutit në fjalë, janë lodhja e elektoratit nga premtimet e PS-së, PD është më intensive në politikat e saj, si dhe në mesazhet që ajo përcjell tek votuesit, aktivitetet e opozitës në takime elektorale janë ende të vakëta dhe pa eufori politike, strategji kjo që i ul shanse për një fitore. Faktori i fundit ka të bëjë me qëndrimin e PS-së për kartat e identiteti dhe ankimimet. “Opozita vazhdon që të harxhojë energji me faktorin ndërkombëtar, duke i lënë votuesit me një shije të keqe, pasi atyre nuk ju interesojnë replikat reciproke”, - vëren studimi.

LSI: KQZ, e vonuar me instalimin e kamerave

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon angazhimin e të gjithë faktorëve për të kontribuar në ecurinë e procesit të pajisjes me karta të qytetarëve. Sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili, theksoi se pas kartave, dështimi i instalimit të kamerave në qendrat e numërimit të votave do të vinte në rrezik serioz standardin dhe rezultatin e zgjedhjeve. “LSI kërkon prerë nga KQZ që ajo të marrë situatën në dorë, të aplikojë vendime e qëndrime emergjente për zgjidhjen e procesit të instalimit të kamerave, si dhe të informojë qartë partitë dhe publikun e gjerë mbi ecurinë e procesit, sepse kjo ka të bëjë me standardet e zgjedhjeve dhe vërtetësinë e tyre”, - deklaroi Vasili. Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së u shpreh se forca e tij politike ka vetëm një kundërshtar dhe ky është Kryeministri Berisha, ndërsa deklaroi se LSI është në aleancë me socialistët e progresistët.

“Lëvizja Socialiste për Integrim, si në zgjedhjet e 28 qershorit, ashtu dhe në zgjedhjet e vitit 2005, sikurse dhe në ditën kur u ndryshua Kushtetuta, ashtu si dhe në ditën kur ndodhi Gërdeci, ka një kundërshtar politik që quhet Sali Berisha. Ndërsa në mënyrë të natyrshme si një forcë shumë përparimtare dhe progresiste e së majtës, LSI ka si aleat të saj të natyrshëm socialistët dhe progresistët”, - tha Vasili përpara gazetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›