E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ndryshime? Qeveria arriti misionin e NATO

• Pas Samitit të Bukureshtit, Kryeministri Berisha shuan shpresat për ndryshime në qeveri.

ADI SHKEMBI

Megjithëse këtë e kishte artikuluar disa herë në mbledhjet e grupit parlamentar dhe kryesinë e PD-së, Berisha pas 3 prillit mendon se ky kabinet e ka arritur misionin e tij, atë të marrjes së ftesës. Ndërkohë, kreu i qeverisë i bën sërish thirrje opozitës për të bashkëpunuar për të gjitha reformat për të bërë të mundur anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, në prill të vitit të ardhshëm.
Ndryshimet në qeveri
Kryeministri Berisha tha dje në një konferencë për shtyp se reformat e ndërmarra nga ky kabinet qeveritar kanë bërë që Shqipëria të kthehet në vend frymëzues për vendet e tjera të rajonit përsa i përket progresit. Duke folur pas marrjes së ftesës në NATO, kreu i qeverisë ka lënë të nënkuptojë se nuk ka ndërmend të ndërmarrë reforma në qeveri, të paktën për momentin. Në ndryshim nga zërat e brendshëm në PD, por edhe të disa aleatëve, kreu i qeverisë duket se do të vazhdojë të punojë, të paktën edhe për një periudhë kohe me këtë kabinet ministrash. “Reformat e thella të këtij e kabineti kanë qenë ato, të cilat bënë Shqipërinë frymëzuese për vendet e rajonit. Në politikë nuk lëshohet asnjë frazë dhe fjalë pa vend, në mënyrë të veçantë në deklarata kolektive. Harrojeni se mundet që në një deklaratë kolektive të vihet cilësori frymëzues, pa pasur një vlerësim të përbashkët të gjithë ata në emër të së cilëve flitet”, theksoi Berisha duke iu referuar deklaratës së përbashkët të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së pak ditë më parë. Por insistimit të mediave për një përgjigje direkte, lidhur me ndryshimet në qeveri, Berisha iu përgjigj se “A jam këtu para jush me ftesën? A janë reformat e ndërmarra nga kjo qeveri faktori më përcaktues i kësaj ftese? A u përcaktuan ato si frymëzim për vendet e tjera? Në këtë kontekst unë nuk mendoj se qeveria nuk ka përmbushur misionin e vet në këtë aspekt. A premtuam ne që do marrim ftesën? A nuk na thatë ju me dhjetëra dhe qindra herë që e merrni dhe s’e merrni? Ftesa u mor nga reformat”.
Bashkëpunimi me opozitën
Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje opozitës, që të bashkëpunojë me maxhorancën për reformat më të rëndësishme, të cilat do të mundësojnë anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Duke folur në konferencën për shtyp Kryeministri Berisha tha se “do procedojmë me reforma të mëdha në sistemin zgjedhor, sistemin e drejtësisë, do thellojmë reformat në ushtri dhe institucione të tjera. Ftoj opozitën, e cila ka kontributin e vet të padiskutueshëm në këtë proces, të bashkëpunojmë për të finalizuar këtë projekt më të rëndësishëm të të gjitha kohërave për shqiptarët”. Prova e parë e këtij bashkëpunimi mes maxhorancës dhe opozitës pas marrjes së ftesës për në NATO, duket se është reforma në sistemin elektoral, e cila do të diskutohet sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Kreu i qeverisë vlerësoi propozimet e Partisë Socialiste, duke theksuar se këto ndryshime në kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor eliminojnë fenomenin e dushkut në zgjedhje.

Kthehet delegacioni, në Rinas opozita bojkoton ceremoninë

Mbërritja e delegacionit shqiptar nga Kroacia, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, është shoqëruar me festime të shtunën në orët e vona të darkës në Aeroportin e Rinasit. Disa dhjetëra qytetarë kishin dalë në ambientet e jashtme të aeroportit për të pritur delegacionin shqiptar, i kryesuar nga Presidenti Topi dhe në të përbërje të të cilit ishin Kryeministri Berisha, ministri i jashtëm Basha dhe ministri i Mbrojtjes, Oketa. Gjithashtu, në këtë pritje ishin të pranishëm edhe deputetët e maxhorancës, të cilët i ishin përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli për të dalë në aeroport dhe për të pritur delegacionin. Ajo që binte në sy ishte fakti se, në këtë ceremoni nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës. Në një prononcim për mediat sapo zbriti nga avioni Kryeministri Berisha u shpreh se "pas kësaj etapa të tjera të integrimit të vendit në bashkimin evropian, por kjo i jep Shqipërisë një shtytje shumë të madhe. Unë gjykoj se për NATO-n nuk ka pozitë dhe opozitë". Deklarata e kreut të qeverisë u shoqërua nga thirrjet e qytetarëve "Berisha, Berisha", ndërkohë që në aeroport nuk munguan as vallet e grupeve të kërcimit. Në të njëjtën kohë edhe ministri i Jashtëm Lulzim Basha dhe ai i Mbrojtjes, Gazmend Oketa thanë pas mbërritjes ngs Bukureshti se marrja e ftesës nga ana e Shqipërisë kërkon zbatimin e reformave kryesore në mënyrë që ajo në prill të vitit të ardhshëm të bëhet anëtare me të drejta të plota në Aleancë. Sipas Oketës deri në vitin 2010 vendi do të ketë një Forcë të Armatosur profesioniste. 

Ftesa në NATO, sot koncert në sheshin “Skënderbej”
Marrja e ftesës për t’u anëtarësuar në NATO do të festohet sot në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, në një koncert, i cili do të organizohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Prej ditës së djeshme është bërë i ditur organizimi i një koncerti të tillë përmes një spoti publicitar, i cili kishte pjesë të deklaratës së kryeministrit Berisha para 26 vendeve anëtare në Bukuresht si dhe duartrokitjeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush. Në këtë koncert, i cili pritet të zgjasë më shumë se 2 orë, do të performojnë këngëtarët dhe grupet më në zë në vend dhe jashtë tij si Elita 5, Aleksandër Gjoka, Eranda Libohova, Redon Makashi, Alban Skënderaj, Kthjellu, Supernova, Greta Koçi, etj. Ndërkohë, edhe gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar ceremoni festive në disa sheshe të kryeqytetit. Kështu para ambienteve të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës janë zhvilluar ceremoni me fëmijë të dancit sportiv si dhe të grupeve të ndryshme të kërcimit, ndërkohë që gjatë mesditës këngëtarë të ndryshëm kanë performuar para dhjetëra qytetarëve që ishin mbledhur në shesh.

Meta-Klinton: Ju ndihmuat shumë për çështjen shqiptare
Në Samitin “Për Qeverisje Progresiste”, që po zhvillohet në Londër, kryetari i LSI-së, Ilir Meta zhvilloi një takim me ish presidentin amerikan, Bill Klinton. Ish-njeriu më i fuqishëm i botës, Bill Klinton shprehu kënaqësinë që takohej përsëri pas kaq kohësh me kreun e LSI-së dhe e uroi Ilir Metën për ftesën e marrë nga Shqipëria për në NATO. “Rajoni tashmë është më i sigurt dhe me potencial të madh zhvillimi, progresistët do ta bëjnë këtë rajon më të begatë”, u shpreh Klinton. Ish-presidenti amerikan shprehu gjithashtu kënaqësinë për pavarësinë e Kosovës duke e quajtur atë si “përfundimin e një punë të mirë që kishte filluar kohë më parë”. Kryetari i LSI-së gjatë bashkëbisedimit që pati me ish-presidentin amerikan, e falënderoi atë për kontributin e veçantë që ai ka dhënë për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik dhe për angazhimin e tij direkt në çlirimin e Kosovës nga makina shtypëse e Millosheviçit. Gjithashtu, Meta vlerësoi rolin e rëndësishëm që ish-presidenti Klinton dhe Fondacioni i tij po japin për zhvillimin dhe qeverisjen progresiste, duke trajtuar çështjet madhore me të cilat përballet sot bota, si globalizimi, ndryshimi i klimës, rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, kriza e tregjeve financiare etj. nga ana e tij, ish-presidenti amerikan theksoi se “komuniteti ynë i progresistëve është ai që do të japë zgjidhje të qëndrueshme për këto probleme që prekin direkt jetën e njerëzve”. Dy ditë më parë në këtë samit, kreu i LSI-së është takuar edhe me Kryeministrin britanik, Gordon Braun. Meta falënderoi Kryeministrin britanik për përkrahjen e madhe që Qeveria britanike i ka dhënë Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Meta i konfirmoi Kryeministrit Braun, vullnetin për arritjen e plotë të standardeve.                               a.l.    

“Segmente të opozitës, kundër ftesës për në NATO”

Segmente të caktuara të opozitës deklaronin para Samitit se, Shqipëria nuk do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Deklarata është bërë dje nga Kryeministri Berisha, sipas të cilit një ditë para nisjes së delegacionit për në Bukuresht deklarohej nëpër media se vende të caktuara, anëtare të NATO-s, nuk do të votonin në 3 prill për t’i dhënë ftesën për anëtarësim Shqipërisë. Duke folur mbrëmë një konferencë për shtyp pas mbërritjes së delegacionit nga Kroacia, Berisha tha se një pjesë e opozitës është kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Natën kur do nisej delegacioni thoshin se, Shqipëria s’do anëtarësohet dhe se ka vende që nuk e votojnë Shqipërinë. Nuk e kam marrë se ata përfaqësojnë opozitën në tërësi, absolutisht, por realisht ata janë eksponentë jo të papërfillshëm të opozitës. Për të mos thënë pastaj truket mediatike që organizonin. Eshtë e gabuar të mos lexohet pse shqiptarët e mbështetin kaq shumë këtë projekt”, theksoi Berisha. Sipas tij “jam çuditur kur natën që do ikja në Bukuresht shoh eksponentë të saj të deklarojnë se ka vende që s’do votojnë Shqipërinë. Çka do të thotë se ata kishin keqinformim. E ftojmë opozitën të bashkëpunojmë me transparencë të plotë. Jam çuditur kur natën që do nisesha për në Bukuresht shoh eksponentë të saj të deklarojnë, se ka vende që s’do votojnë Shqipërinë”. I pyetur për kërkesën e opozitës, sipas së cilës ajo është gati të bashkëpunojë me qeverinë por pa Berishën kryeministër, kreu i ekzekutivit u shpreh se opozita ka të drejtë të kërkojë çdo gjë në një vend demokratik. “Opozita në një vend të lirë ka të drejtë të paraqesë të gjitha kërkesat. Vendi demokratik pranon spektrin e gjerë të kërkesave të opozitës. Unë pas kthimit nga Bukureshti me ftesën e anëtarësimit do të punoj me të njëjtin përkushtim siç punova për ftesën për anëtarësim. Unë jam njeri që persistoj dhe ajo çka kam premtuar u bë realitet, do bëhet realitet dhe anëtarësimi”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›