E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, skema e arratisjes, hekurat u prenë me diamante

• Fran Marashi dhe Preng Lleshi i kishin bërë mirë planet e arratisjes.

Fatos Mahmutaj

Megjithëse qëndronin në dy qeli jo pranë njëri-tjetrës në sektorin “B” të burgut të Burrelit, përkatësisht në qelitë 1 dhe 3, një pjesë të ditës e kalonin në magazinën e ushqimeve të burgut, e cila kishte një dritare në anën veriore.  Me anë të një byzylyku me diamante ata sharronin përditë nga pak hekurat kryesorë të dritares, derisa në orën 11:30 të paradites së të shtunës sharruan edhe të katërtin. Pas kësaj shkuan të dy në qeli dhe prej andej u dërguan te dentisti jashtë burgut për të kontrolluar dhëmbët. (Kjo konsiderohet të jetë shkelje prej personave përgjegjës pasi nuk lejohen veprime me të burgosurit jashtë burgut ditën e shtunë).
Arratia
Në fund të korridorit ku ndodheshin qelitë e tyre ishte dera e magazinës, në krahun e majtë të së cilës ndodhej dritarja e sharruar. Në momentin e arratisjes, dy të dënuarit kanë thirrur gardianin në shërbim, duke i kërkuar të shkonin në banjë. Ata janë nxjerrë njëri pas tjetrit nga qelitë dhe pasi kanë shfrytëzuar momentin kur gardiani ndodhej në anën tjetër të korridorit, kanë përfunduar në magazinë. Mbi derën e magazinës ndodhej një kamera, por ajo ishte përqendruar për të filmuar larg, kështu që dy të burgosurit e mirinformuar për këtë detaj kanë lëvizur poshtë saj të qetë. Hapja e derës së magazinës ishte akoma më e thjeshtë për ta, pasi prej disa ditësh kishin thyer çelësin dhe e kishin lënë brenda drynit të saj, duke e pasur të lehtë hapjen e tij edhe me dorë, pasi mbyllej vetëm formalisht. Pasi kanë hyrë në magazinë dy të burgosurit kanë shtyrë hekurat e prerë dhe prej andej kanë dalë në tarracën e banjës, duke ecur pak hapa drejt perëndimit. Ata janë hedhur nga tarraca e banjës e kanë lëvizur rreth 15 metër duke kaluar brezin e butë dhe një gardh me tel me gjemba. Vetëm në këtë moment ata janë parë nga oficeri i rojës i regjimit të brendshëm i cili ka bërtitur, ndërsa polici që ndodhej te hyrja e burgut, rreth 50 metër larg ka qëlluar me pistoletë në ajër. Por ndërkohë Marashi, 30 vjeç nga Shkodra dhe Lleshi 34 vjeç, nga Lezha kishin mbërritur te muri i betontë dhe nëpërmjet shkallëve rrethore prej llamarine janë ngjitur në një kullën e rojës, ku realisht duhet të kishte polic, por që në fakt ishte bosh. Prej andej kanë dalë në rrugë dhe janë larguar me vrap përmes lagjes.
Ndjekja
Të alarmuar pas krismës së pistoletës policia e burgut ka marrë nën kontroll institucionin, ndërkohë janë përforcuar menjëherë rojet në të gjithë burgun në mënyrë që të shmangeshin arrati të tjera, megjithëse nga të burgosurit nuk ka pasur asnjë tentativë të tillë. Njoftimi i Komisariatit të Burrelit ka vënë në lëvizje policinë e këtij qyteti, efektivët e së cilës janë shpërndarë në zonën nga lëvizën të burgosurit duke i kapur ata vetëm 30 minuta më pas, pasi ishin larguar rreth 2 kilometër nga burgu. Menjëherë sapo janë dërguar në qeli dy të burgosurit kanë pranuar të rrëfejnë planin e tyre të arratisë. Ndërkohë të burgosurit e tjerë, të cilët kishin dijeni për planin e dy bashkëvuajtësve të tyre kanë treguar gjithçka.
Paralajmërimi
Një ish-funksionar i burgut të Burrelit pohoi dje, se pak ditë më parë kishte paralajmëruar se në këtë burg do të kishte arratisje. Deklarata e tij nuk ishte marrë seriozisht, ndërkohë persona të tjerë e kishin komentuar atë si “show” të fundit të një personi që ishte larguar nga detyra të larta në burg. Nga ana tjetër, grupi hetimor që po kryen veprime për këtë çështje ka dokumentuar të gjitha provat shkresore dhe dëshmitë që ka siguruar në burg. Pritet që dy të arratisurit t’iu nënshtrohen një tjetër procesi penal, nën akuzën e “largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, nën të cilën rrezikojnë një tjetër dënim.

Dy arratisjet e mëdha të të dënuarve të Burrelit

Dy herë është thyer burgu i sigurisë së lartë në Burrel. Më 2 gusht 1967, Adem Allçi, Dhori Gërnjoti dhe Sazan Hadëri kanë arritur të lënë qelitë dhe pas shumë orësh të kapen në afërsi të Lisit. Në përpjekje për t’iu fshehur forcave të armatosura të asaj kohe, Sazan Hadëri është vrarë. Ndërkohë Allçi dhe Gërnjoti janë rikthyer në qeli për të qëndruar aty deri në vitin 1990. Thyerja e dytë e këtij burgu mjaft të sigurt shënohet më 13 mars 1997. Një revoltë e të dënuarve brenda ambienteve të burgut është shoqëruar me mbështetje nga jashtë burgut. Kjo bëri që në orët e pasdites gardianët të dorëzohen dhe të gjithë të dënuarit të largohen nga qelitë e ftohta të burgut të Burrelit. Banorë të Burrelit strehuan dhe ndihmuan të arratisurit, të cilët nuk ishin aspak të sigurt pas daljes nga qelitë. Më 5 prill 2008 dy të dënuar, Preng Lleshi e Fran Marashi arrijnë të çajnë muret rrethues dhe rojet e burgut të sigurisë, por pas afro gjysmë ore u vunë në pranga.

Të arratisurit: Duam rigjykim
Pas arrestimit të dytë, të kryer 30 minuta pas arratisë nga burgu i sigurisë së lartë në Burrel, të dënuarit e përjetshëm Fran Marashi dhe Preng Lleshi, kanë deklaruar se e kanë ndërmarrë veprimin për shkak se kundërshtojnë vendimin e gjykatave. Ata janë dënuar në mungesë nga ana e drejtësisë shqiptare të akuzuar për disa vrasje. Marashi e ka marrë dënimin me burg përjetë për masakrën e ndodhur në Urën Vajgurore, ndërsa Lleshi për vrasje të ndodhur në fshatin Tale të Lezhës. Sipas tyre, kishin kërkuar disa herë rigjykim të çështjeve, por në asnjë rast nuk ishte pranuar prej drejtësisë. Madje sipas dëshmisë së Marashit ai kishte bërë kërkesë për rishikimin e çështjes së tij autoriteteve të larta shtetërore.

Arratisja, në qeli drejtuesit e burgut

Nëntë zyrtarë të burgut të Burrelit janë prangosur dje, të akuzuar se kanë favorizuar arratisjen e Preng Lleshit dhe Fran Marashit.

Neglizhenca në marrjen e masave shtesë në burgun e sigurisë së lartë dhe mosnjoftimi i Prokurorisë kur të dënuarit prenë hekurat e qelive ka çuar në arrestimin e tyre, që nga drejtori e deri te gardianët. Sipas Prokurorisë së Matit dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, një arrati si ajo e vitit 1997 mund të ndodhte, pikërisht për shkak të indiferentizmit të drejtuesve.
Akuzat ndaj drejtorit
Në qelitë e Komisariatit të Burrelit, aty ku janë izoluar dy të arratisurit nga dita e djeshme është dhe drejtori i burgut të sigurisë së lartë, Eduard Brahilika. I ardhur në këtë detyrë vetëm tre javë më parë, drejtori më jetëshkurtër në Rrethin e Matit, dje është akuzuar nga grupi hetimor për “shpërdorim detyre” dhe “fshehje të krimit”. Disa ditë më parë, pas një inspektimi të hollësishëm të Drejtorisë së Përgjithshme në këtë burg, janë lënë detyra konkrete për mbulimin e vendrojave me punonjës të sigurisë. Në kundërshtim me detyrat e lëna, drejtori Brahilika nuk ka marrë masat e duhura ligjore për të siguruar një roje për çdo vendroje. Pikërisht kjo për prokurorët është cilësuar si shpërdorim detyre nga ana e drejtorit të burgut. Drejtori nuk ka zbatuar urdhrat dhe detyrat e shefave të tij dhe kjo ka lehtësuar arratisjen e Marashit e Lleshit, dy të dënuar me burgim të përjetshëm. Akuza e dytë është akoma më e rëndë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, drejtori është njoftuar herë pas here se hekurat e qelive të të burgosurve janë sharruar nga të dënuarit. Madje ditën e arratisjes së dy të dënuarve, rreth orës 11:00, punonjësit e sigurisë kanë kuptuar se dhe qelia ku ishin izoluar Preng Lleshi e Fran Marashi ishin prerë me  fije diamanti. Prokurori i çështjes, Sabri Kastrati tha se urgjentisht pas zbulimit të këtij fakti drejtuesit e burgut të sigurisë së lartë Burrel, duhet të kishin informuar Prokurorinë e Rrethit, e cila është ngarkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të mbulojë dhe burgun. “Jo vetëm nuk jemi informuar, - sqaroi Kastrati, - por në kundërshtim me çdo normë ligjore drejtuesit e burgut kanë urdhëruar vartësit e tyre të kryejnë saldimin e dritareve që ishin sharruar”. Prokuroria ka konstatuar se nuk kemi të bëjmë vetëm me një rast sporadik, por pas kontrollit të imtësishëm është vënë re se, edhe dritare të tjera të qelive ishin sharruar dhe se askush nuk kishte informuar organin e akuzës. “Ngjarja është shumë e rëndë dhe nuk mund të tolerohet, - tha Kastrati”.
Zyrtarët në arrest
Veç Brahilikës, të tjerë zyrtarë dhe punonjës të burgut të sigurisë së lartë Burrel janë vënë në pranga. Ata po hetohen për “shpërdorim detyre”, “fshehje të krimit”, “shkelje të rregulloreve e akteve ligjore e nënligjore që lidhen me sigurinë në burgje”. Në listën e gjatë të personave të arrestuar, përveç drejtorit të burgut janë dhe drejtori i policisë së këtij burgu Thanas Ymeri, shefi i regjimit të jashtëm Kadri Domi, shefi i regjimit të brendshëm Luan Hysa, oficeri i rojës Kujtim Laçi, punonjësit e sigurisë së brendshme Ardian Ruka, Fatmir Domi, Fiqiri Ceni dhe Edvin Heta. Po ashtu janë pezulluar oficeri i policisë Kelmend Gjara, e roja e komisariatit, Sul Stafa, sepse sipas Prokurorisë kanë lejuar mediat të pasqyrojnë ngjarjen brenda ambienteve të policisë së Burrelit. Gjatë mbrëmjes është thirrur për të dëshmuar dhe ish-drejtori i burgut, Shyqyri Dushku, ndaj të cilit po verifikohet pozicioni në lidhje me të dënuarit. Sipas të dhënave të Prokurorisë dyshohet se ai, qëllimisht, ka favorizuar të dënuar. “Vetëm brenda një dite kemi gjetur në qeli 8 celularë”, thanë burime pranë grupit hetimor. “Neglizhenca e dhe sjellja e ish-drejtorit gati ka shkatërruar shërbimin në këtë burg”, thanë burime pranë burgut të sigurisë së lartë.

Të arrestuar
Eduard Brahilika
Thana Ymeri
Kadri Domi
Luan Hysa
Kujtim Laçi
Ardian Ruka
Fiqiri Ceni
Fatmir Domi
Edvin Heta

Marashi e Lleshi, një javë më parë prenë hekurat e qelisë
Dy të dënuarit përjetë, Marashi dhe Lleshi prenë hekurat e qelisë dhe një javë më parë, por askush nuk mori masa për t’i izoluar ata, por vetëm i transferuan në qeli të zakonshme. Këtë fakt e ka pohuar dje prokurori i rrethit, pas hetimet për ngjarjen e rëndë. Sipas tij, dy të burgosurit, njëri nga Shkodra e tjetri nga Lezha deri 1 javë më parë qëndronin në të njëjtën qeli. Aty, me anë të fijes së diamantit ose të një flete sharre kanë mundur të sharrojnë hekurat e qelisë. Menjëherë pas identifikimit të këtij veprimi, i cili mund të çonte në arratisjen e tyre kohë më parë, drejtuesit e burgut vendosën vetëm transferimin në qeli të tjera. Nga ana tjetër u urdhërua që të sharroheshin hekurat, pa lajmëruar prokurorinë për çfarë kishte ndodhur. Marashi dhe Lleshi janë izoluar në qeli të afërta mes tyre, të zakonshme, pa u kryer mbi ata asnjë veprim mbi tentativën e parë të arratisjes. Gjatë këtyre ditëve, synimi i dy të burgosurve ka qenë dritarja e magazinës së ushqimeve, në të cilën hynin lirisht, pasi kishin mundur të këpusnin çelësin e drynit. Ata kanë vepruar në qetësi, pa u pikasur nga rojet e zonës B, ku kishin qelitë, derisa të shtunën i kanë prerë plotësisht hekurat. Pas arratisjes dy të dënuarit janë izoluar në komisariatin e policisë së Burrelit, ndërsa ndaj tyre ka nisur akuza e arratisjes nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›