E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim vdekjes së shtatzënës 8-muajshe

• Vdes në maternitet shtatzëna 8-muajshe, vetëm një natë pasi kishte mbërritur në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dashamir Biçaku

 Valentina Gjoni, 31 vjeçe, banuese në fshatin Pezë Helmës të Tiranës, ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm në spitalin universitar gjinekologjik "Koço Glozheni" në Tiranë. Vdekja e saj dyshohet se ka ardhur për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore që po kalonte gruaja në muajin e tetë të shtatzënisë. Policia filloi hetimin pas pretendimeve të familjes së Valentinës, se ajo mund të jetë keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj, Islami, gjatë mosmarrëveshjeve dhe grindjeve në çift. Autopsia e realizuar mesditën e djeshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka nxjerrë si shkak të vdekjes së gruas sëmundjen e anemisë, nga e cila ajo vuante që më parë. Valentina Gjoni, nënë e katër fëmijëve, mësohet se kishte mbërritur në maternitet të dielën në mbrëmje për shkak se kishte komplikacione dhe shqetësime shëndetësore. Ajo është dërguar menjëherë në reanimacion, me qëllim mbajtjen nën vëzhgim nga mjekët për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën ndodhej në kohën kur kishte mbërritur në maternitet. Për gjatë gjithë mbrëmjes të së dielës, gruaja 31-vjeçare nga Pezë Helmësi ka pasur momente përmirësimi, por më pas shëndeti i saj ka ardhur duke u rënduar gjithnjë e më shumë. Mëngjesin e djeshëm rreth orës 08:00, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe personelit spitalor, nëna e katër fëmijëve ka ndërruar jetë.
Hetimi i policisë
Menjëherë pas vdekjes së gruas, në spital janë kryer procedurat rutinë dhe trupi është dërguar në morgun e Tiranës. Policia është njoftuar për vdekjen e 31-vjeçares dhe sakaq ka nisur një grup hetimi në spitalin gjine-kologjik, si dhe në morgun e Tiranës. Hetuesit kanë marrë në pyetje mjekët, infermierët si dhe të afërmit e familjes. Autopsia ka nxjerrë si shkak të vdekjes së gruas mungesën e sasisë së nevojshme të gjakut në vena. Ky është versioni i policisë mbi shkakun e vdekjes së Valentina Gjonit. Policia e deklaroi këtë version të hetimit pasi kishte vendosur në dosje kartelën e vdekjes së viktimës, e cila është marrë në maternitetin  "Koço Glozheni", që ndodhet në rrugën "Gani Domi". Bashkë me kartelën ku tregohen simptomat e gruas pas mbërritjes në maternitet, si dhe mjekimin e marrë, hetuesit e policisë së Tiranës kanë marrë edhe aktin e ekspertimit mjekoligjor të autopsisë së gruas. Ky i fundit, sipas burimeve, ka konfirmuar se viktima ka vuajtur edhe më parë për shkak të problemeve me aneminë. Hetuesit pritet të sekuestrojnë edhe një kartelë shtrimi të mëparshme që mund të ketë pasur viktima në spital për trajtimin e sëmundjes së saj të gjakut. Në fakt, familjarët e bashkëshortit të viktimës, Islam Gjoni, kanë pohuar se gruaja përpara se të mbërrinte në spital ka pasur hemorragji dhe se edhe më parë ajo ishte trajtuar për probleme të tjera shëndetësore. Gjithsesi policia ka përgatitur një procedim penal në lidhje me vdekjen e Valentina Gjonit dhe sot pritet që dosja të mbërrijë në Prokurorinë e Tiranës. Si shkak të vdekjes së Gjonit, policia ka klasifikuar vdekjen natyrale nisur nga deklarimet, kartelat mjekësore dhe autopsia e kryer në morg.

Bashkëshorti
Prindërit e bashkëshortit të gruas së vdekur, të cilët kanë pasur dijeni për mënyrën se si është trajtuar viktima nga mjekët pasi ajo u dërgua në spital, nuk kanë shfaqur asnjë dyshim lidhur me punën e bërë nga bluzat e bardha. Prindërit e të shoqit të viktimës janë shprehur gjithashtu, se gruaja ka pasur probleme shëndetësore në mënyrë të vazhdueshme. Ata nuk kanë dhënë asnjë version tjetër rreth shkakut të vdekjes së 31-vjeçares në momentin që u morën në pyetje nga oficerët e policisë së Tiranës.

Dyshimet
Policia është duke hetuar paralelisht në dy pista rreth vdekjes së 31-vjeçares në maternitetin e kryeqytetit. Sipas grupit të hetuesve të ngjarjes, ata janë duke verifikuar vdekjen e gruas nga një dhunim i mundshëm në familje, kur viktima ishte në gjendje shtatzënie. Ndërsa versioni tjetër i hetimeve të policisë lidhur me ngjarjen, është ai i një mjekimi apo diagnostifikimi të gabuar nga ana e mjekëve, që mund të ketë përkeqësuar situatën shëndetësore të viktimës pas mbërritjes së saj në maternitetin e kryeqytetit, ku ndodhi ngjarja rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm.

Prindërit e viktimës shkojnë në polici: E dhunoi bashkëshorti
TIRANE - Islam Gjoni, bashkëshorti i gruas së vdekur Valentina Gjoni, nuk ka shfaqur asnjë pretendim ndaj mjekëve të maternitetit lidhur me vdekjen e të shoqes. Po kështu edhe të afërmit e bashkëshortit të gruas së vdekur, nuk kanë pasur asnjë dyshim kundrejt mënyrës se si gruaja është trajtuar apo mjekuar prej bluzave të bardha. Por prindërit e gruas kanë denoncuar në Komisariatin e Policisë nr.1, duke akuzuar bashkëshortin e viktimës. Prindërit e gruas të vdekur i kanë pohuar policisë se e bija shpeshherë ishte konfliktuar me bashkëshortin. Madje, sipas pretendimit të prindërve të viktimës në polici, dy bashkëshortët kanë pasur një mosmarrëveshje edhe për shtatzëninë e fundit të Valentinës. Ndërkaq autopsia e kryer në morg, si dhe veprimet hetimore të kryera nga policia, kanë përjashtuar paraprakisht mundësinë e një mjekimi të gabuar apo të pakujdesshëm të mjekëve. Vetë të afërmit e bashkëshortit të Valentina Gjonit kanë pohuar se ata nuk kanë pasur pretendime për punën dhe mjekimin që gruaja ka marrë në maternitet. Po kështu edhe prindërit dhe të afërmit e gruas, ndërsa pretendimi i vetëm ka qenë kundrejt trajtimit të saj nga i shoqi. Autopsia nuk konfirmoi mundësinë e ushtrimit të dhunës në familje. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›