E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen "mllefi" maqedonas: Vetoja do t‘i kushtojë Greqisë

Vetoja greke ndaj pranimit të Maqedonisë në NATO është pritur me irritim nga liderët politikë maqedonas dhe qytetarët e këtij vendi, që aq shumë kishte shpresuar për një përgjigje pozitive nga Samiti i Bukureshtit. Por, ndërsa gjithçka tashmë ka përfunduar dhe delegacioni maqedonas është kthyer në shtëpi, mllefi shfryhet pa rezerva. Sipas mediave vendase, vetoja greke përbën një telash jo të vogël edhe për vetë aleancën. Ajo cenoi rolin prej lideri të SHBA-së dhe, në anën tjetër, nxori në pah indiferencën dhe dallimet mes BE-së. "Humbësja më e madhe, pas gjithë kësaj katrahure, është Greqia", shkruan dje mediat vendase, duke shtuar: "Me veton e saj, Athina tregoi më në fund hapur rolin e saj destruktiv në politikat ndërkombëtare, veçanërisht në rajon". E duke u përpjekur të përmbysin situatën, shtypi maqedonas vazhdon: "Me një lëvizje ironike, vetoja greke, pas 17 vitesh përpjekjeje, e bën Maqedoninë fitimtare. Me veton e saj, Greqia ka humbur përfundimisht betejën absurde mbi emrin, të imponuar nga një pozicion i pushtetshëm. Maqedonia, tani ka gjasa të hedhë poshtë marrëveshjen e firmosur në 1995-ën dhe të ndërpresë përfundimisht negociatat apo diskutimet me Greqinë". "Maqedonia duhet të ruajë gjakftohtësinë, ashtu siç ka bërë për 17 vitet e shkuara. NATO-ja është thjeshtë një organizatë tek e cila, pas kësaj që ndodhi, Maqedonia nuk do të dojë më të aderojë". Dhe heroi i vërtetë i kësaj situate, në sytë e maqedonasve të irrituar, është Kryeministri Nikolla Gruevski, që nuk është thyer para presionit për ndryshimin e emrit. "Greqia përdori të drejtën e saj të vetos. Vetoja është artileri e rëndë në botën diplomatike. Kjo do t‘i kushtojë Greqisë", thotë Kryeministri Gruevski që gjithsesi, përpiqet të shfaqet optimist për të ardhmen e Maqedonisë. "Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për arritje më të mëdha në të gjitha sferat e jetës. Maqedonia do të vazhdojë të zhvillohet, ne kemi qytetarë të fortë, miq të fortë, shumë aleatë, përfshirë SHBA-në dhe Turqinë. Ne kemi kaluar shumë situata, edhe më të vështira se kjo. Dhe kjo, jam i sigurt se do të kalojë. Ajo që nevojitet, është që të gjithë të punojmë për të mirën e Maqedonisë", përfundon Gruevski. "Pengesa e vetme që sot ne nuk u bëmë anëtarë të NATO-s, ishin frustracionet e fqinjit tonë jugor, Greqisë, e cila pozitën e saj irracionale e ngriti deri në atë nivel sa të keqpërdorte të drejtën e vetos si anëtare e NATO-s", deklaroi edhe Presidenti Branko Cërvenkovski. Ai tha se vendimi për të mos ftuar Maqedoninë në Aleancë është një padrejtësi e madhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, por theksoi se kjo nuk duhet ta paralizojë vendin dhe as ta largojë nga rruga e nisur. "Do të vazhdojmë rrugën që vetë ne e përcaktojmë dhe kushdo që mendon që në këtë mënyrë do të na pengojë si popull, ose si shtet, të arrijmë atë ardhmëri që dëshirojmë, gabon rëndë", tha Cërvenkovski.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›