E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Në 8 muaj, eksportet arritën vlerën e 250 milionë dollarë – reduktim të burokracive ndaj biznesit”

08-09-2011 / Gazeta 55

“Eksportet shqiptare, janë trefishuar në 2011”


Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje gjatë mbledhjes javore të Qeverisë se për tetë muajt e vitit 2011, eksportet shqiptare janë rritur me 25 miliard lekë apo 250 milionë dollarë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kreu i qeverisë tha se rritja e eksporteve është një lajm pozitiv, si një tregues i dinamizmit të ekonomisë, konkurrueshmërisë, rritjes së investimeve dhe punësimit në vend, por njëherësh është edhe detyrues për qëndrimet më transparente e më pak burokratike ndaj biznesit. “Të dhënat e tetë mujorit për eksportet shqiptare, që përbën edhe statistikën më të saktë, flasin për një rritje thelbësore këto tetë muaj, krahasuar me tetë muajt e vitit, në të cilin eksportet u rritën më shumë se kurrë në historinë e vendit, vitit 2010 që, për disa arsye, shënoi rritjen prej 92 për qind të eksporteve, krahasuar me një vit më parë. Eksportet shqiptare në tetë mujorin e vitit 2011 janë rritur me 25 miliard lekë apo mbi 250 milion dollarë, krahasuar me vitin 2010. Kjo është një rritje shumë e rëndësishme që shpreh dinamizmin e admirueshëm të ekonomisë shqiptare. Rritja e eksporteve është një nga treguesit më thelbësor të rritjes së konkurrueshmërisë në këtë ekonomi, të rritjes së interesit të madh të investitorëve për ekonominë shqiptare, një nga treguesit më besnikë të rritjes së investimeve dhe punësimit në Shqipëri. Rritja e eksporteve në tetë mujorin e vitit 2011 shoqërohet nga një rritje e ndjeshme e manifakturës, çka është më shumë se çdo gjë tjetër e lidhur me punësimin, shoqërohet me një rritje të qëndrueshme të eksporteve bujqësore, dëshmi kjo e një përballje të suksesshme të fermerëve shqiptarë me fermerët e vendeve të tjera dhe prodhimet e tyre. Fundi i këtij viti shënon trefishimin e eksporteve shqiptare, në një hark kohor më pak se gjashtëvjeçar. Kemi të bëjmë me një dëshmi tjetër madhore të suksesit të modelit tonë ekonomik. Të mos harrojmë se të realizosh trefishim të eksporteve, në një kohë kur vende të tjera kanë rënë masivisht në recesion, në mos rritje, në rënie, është një arritje e jashtëzakonshme. Ky model funksionon, është i qëndrueshëm, garanton e mbron vendin nga recesioni dhe kriza e borxheve që ka përfshirë një seri vendesh të mëdha e të vogla në Europë”, u shpreh Berisha. Në funksion të kësaj, kryeministri konsideroi të rëndësishëm ndërtimin e portalit shqiptar të transparencës në marrëdhëniet e administratës me biznesin, një projekt i Ministrisë për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. “Tani është koha që ne të ndërtojmë me shpejtësi portalin zyrtar të vendit, në të cilin çdo biznesmen, njëlloj si në pasqyrë, të mund të ndjekë të gjithë udhën e dokumentit të tij, të monitorojë rrugën, stacionet, vendimet që merren mbi dokumentin e tij. Kjo do të thotë dritë e plotë në labirintet e burokracisë. Ndaj do të fillohet nga puna. AKSHI dhe ministri Pollo po punojnë për konceptin, ju duhet të caktoni të gjitha burimet njerëzore e materiale, që ky portal të jetë një nga realitetet më të suksesshme, në mënyrë që drita të përshkojë të gjithë burokracinë tonë. Ne, nuk ka diskutim, jemi burokratë. Çdo administratë është burokraci, jo në sensin pezhorativ të fjalës dhe për ne është e rëndësishme të mendojmë si të rrisim gjithnjë e më shumë eficencën tonë, si të bëhemi shërbëtorë më të mirë të qytetarëve dhe biznesit. Ky është i tërë qëllimi ynë. Ky projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm kërkon që menjëherë të fillohet nga puna”, tha kryeministri. Berisha shprehu mbështetje të plotë ndaj biznesit, duke reduktuar në maksimum burokracinë. “Në ndihmë dhe mbështetje të biznesit, ne kemi vendosur standardet më të avancuara që ekzistojnë për të rritur kompetivitetin. Ne u bëmë vendi i parë në botë me prokurime elektronike qind për qind, u bëmë një sukses i vërtetë me ‘one stop shop’, kemi kapur çatinë e botës për sa i përket lirisë fiskale me uljen e taksave, jemi sot vendi me prodhimin nga sektori privat, në raport me sektorin publik, më të lartë se çdo vend tjetër, kemi vendosur praktika liberale. Por ne kemi sërish punë për të bërë për biznesin, thjeshtimin e të gjitha procedurave. Pak ditë parë, ministri i Drejtësisë më solli një propozim të vyer që një proces shumë të rëndësishëm nga pesë hallka e reduktonte në dy dhe nga 20 ditë shpenzime, këtë proces të mundimshëm, burokracia është e mundimshme, është labirint, ku futesh dhe hajde të dalësh prej saj - e thjeshton në pak orë apo dy-tre ditë. Po kështu ministra të tjerë”, tha Berisha. Ai kërkoi angazhim maksimal në nxitjen e biznesit edhe për një fakt tjetër, atë të kthimit të emigrantëve shqiptarë. “Këto ditë lexoja në shtypin italian dhe grek shkrime kushtuar emigrantëve shqiptarë. P.sh informacionet nga një provincë e Italisë ishin se 2000 emigrantë shqiptarë po kthehen në Shqipëri, sepse e konsiderojnë mjedisin shumë të përshtatshëm. Po kështu njoftonte edhe një gazetë e madhe greke për lagjet periferike atje. Ne do të bëjmë gjithçka që vëllezërit e motrat që vijnë, kursimet që kanë të mund t’i shndërrojnë në sipërmarrje të vogla e të mesme të suksesshme për familjet e tyre. Ndaj të fillojmë punën për krijimin e këtij portali. Ne që u bëmë vendi i parë në botë me prokurime qind për qind elektronike, mund të krijojmë edhe portalin më transparent të të gjithë marrëdhënies administratë-biznes”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›