Reformat universitare po e vënë qeverinë greke kundër profesorëve dhe organizatave të studentëve
Reformat e nivelit të lartë në sistemin e arsimit të lartë të tronditur të Greqisë në fund të muajit të kaluar (24 gusht) përfshijnë heqjen e efektshme të "statusit të azilit" gjithëpërfshirës që gëzonin institucionet arsimore, pasi një shumicë parlamentare e pashembullt -- 250 nga 300 anëtarë të parlamentit -- ratifikuar kuadrin ligjor. Përtej çfarëdo pasoje në sektorin e arsimit të lartë të vendit, miratimi nga të dy partitë kryesore -- PASOK-u socialist në pushtet dhe opozita kryesore Demokracia e Re e qendrës së djathtë -- shtoi spekulimin në lidhje me një "mirëkuptim" të fshehtë mes të dy partive kryesore mes krizës ekonomike e fiskale që vazhdon. Ministrja e arsimit Ana Diamantopulo, një ish-komisionere e BE-së, e parë si mes një grushti pasuesish të mundshëm të kryeministrit të tanishëm George Papandreu në krye të partisë në pushtet, e quajti votimin nga parlamenti "historik", duke theksuar se një mirëkuptim i tillë mund të arrihet në fusha të tjera. Gjithsesi, partia kryesore e opozitës, e inkurajuar nga kryesimi i saj në sondazhet më të fundit të opinionit dhe mosarritja nga ana e qeverisë e përmirësimit të perspektivës ekonomike, përjashtoi haptazi bashkëpunimin gjatë muajve të vështirë që do të vijnë. "DR nuk do të ofrojë kurrë mirëkuptim ose përndryshe bashkëpunim me politikat qeveritare të gabuara ... Qeveria le të vazhdojë të kërkojë një rrugëdalje për paaftësinë dhe mungesën e efektshmërisë së saj", tha zëdhënësi i DR-së Janis Mihelakis më 30 gusht. Pavarësisht nga mirëkuptimi i gjerë politik për reformat arsimore, që synojnë përmirësimin e standardeve akademike prej kohësh në rënie si të studentëve, ashtu edhe të profesorëve, javën e kaluar u zhvilluan "protesta" në shkollë dhe një protestë kryesore në rrugë, kryesisht të mbështetura nga sindikatat e profesorëve dhe grupet e studentëve të lidhura me partitë majtiste. Për shembull, një mobilizim "inaugurimi" të enjten (1 shtator) mblodhi rreth 5000 protestues të rinj, të cilët marshuan përgjatë Athinës qendrore. I pyetur për të shprehur kundërshtimin e tij dhe të rektorëve të tjerë ndaj reformave, Janis Milopulos, kreu i zëshëm i Universitetit Aristotelian të Selanikut vuri në dukje "ditën e ardhshme". "Ajo është pyetja e vërtetë dhe për një kohë të gjatë: nëse universitetet do të funksionojnë më mirë," tha Milopulosi për SETimes. "Nuk ka absolutisht asnjë dyshim për zbatimin [e masave] ; jemi garantuesit e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë," shtoi ai, duke vënë në dukje gjithsesi "argumentin e kushtetueshmërisë" që kanë ngritur kundërshtarët. Ai gjithashtu hodhi poshtë kritikën e fortë se "regjimi i azilit" i universitetit është unik. Vasilis Zotos, një arkitekt/planifikues qytetesh i mirënjohur dhe president i Shoqatës vendase të të Diplomuarve Britanikë, nuk është dakord dhe e kritikon sistemin. "Fatkeqësisht, mënyra e vetme për të përmirësuar dhe ndryshuar arsimin e lartë në ketë vend është të mbyllen universitetet për pesë vjet dhe pastaj të rihapen; duke lejuar atëherë që universitete të huaja të përdorin filiale". Ai i tha SETimes se kishte qëndruar larg funksioneve të mësimdhënies në universitetet greke që prej kthimit të tij nga Londra më shumë se 40 vjet më parë. Në lidhje me kritikën e tanishme nga sindikatat e profesorëve, ai thotë: "Ka 65 mijë studentë grekë në kolegje anembanë botës tani dhe shumica janë të regjistruar në sisteme që qeveria e tanishme dëshiron të fusë, megjithatë, shumica e bashkësisë akademike këtu është kundër kësaj ... shumica e njerëzve në vend janë të arsyeshëm dhe me logjikë të mirë, por qeverisemi nga një pakicë; e njëjta gjendje ekziston në universitete". Përveç heqjes së "ligjit të azilit" të fillimit të 1980-s, të miratuar në një qeveri socialiste e sapozgjedhur në atë kohë - reforma të tjera përfshijnë eliminimin e votimeve që kanë lidhje me partitë në zgjedhjet studentore; ndryshime në zgjedhjet e rektorëve për të zvogëluar ndikimin nga grupet e studentëve që kanë lidhje me partitë; regjistrimin e detyrueshëm të studentëve çdo semestër; kufijtë mbi kohën që duhet për të marrë një diplomë; vlerësimin dhe certifikimin e studimeve të kurseve; botimin në internet të librave shkollorë dhe teksteve të leksioneve dhe krijimin e një shkolle të unifikuar për studimet pas-universitare. Kuadri ligjor do të zbatohet në disa faza, sipas Diamantopolusë. Faza e parë do të përfundojë një vit më vonë.
...