Berisha: Në Nju Jork prezantuam arritjet e Shqipërisë
Kryeministri Berisha ka informuar sot deputetët e mazhorancës për vizitin e tij në Nju Jork dhe takimet që ka zhvilluar me personalitete të larta të Europës dhe të botës. Në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se para nisjes për në Nju York, delegacioni përcaktoi edhe 3 objektivat kryesore si takimet intensive politike, lobimi për njohjen e Kosovës dhe promovimi në mediat amerikane të Shqipërisë
“Veprimtaritë intensive politike ishin për të paraqitur para zyrtarëve më të lartë të Europës dhe botës Shqipërinë, arritjet, përpjekt dhe vizionin e saj. Së dyti një nga objektivat tona ishte edhe lobimi me të gjithë potencialin e mundshëm për njohjen e Kosovës. Së treti ishte në përputhje me pasionin tim për mediat. Përdorimi i mundësive që të jep kryeqyteti mediatik botëror për të paraqitur edhe ne në copën e diellit që na takon, Shqipërinë dhe arritjet e saj përpara publikut amerikan dhe atyre të mbarë botës në këto media” ka theksuar Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha ka theksuar se në sesionin e 66-të të OKB-së u arrit një marrëveshje e përbashkët me 46 objektiva që sipas tij do të shndërrohen në objektivat e të gjitha institucioneve të këtij vendi.
“Në shumë prej këtyre objektivave ne kemi progres, por në të tjera duhet të vijomë punën për t`i plotësuar. Në Shqipëri rezulton një vullnet i hekurt për të promovuar të 46 zotimet e kësaj nisme shumë të rëndësishme” ka theksuar më tej Berisha.
Gjithashtu Berisha i është referuar edhe pritjes që Presidenti Obama dha për të gjithë krerët e delegacioneve nga e gjithë bota, një pritje më madhështore por aq sa është madhështore është edhe miqësore.
“President i kushton një kohë të shkurtër secilit prej tyre në momentin e fotos miqësore që bëhet me të. E vërteta është se pata shumë kënaqësi për takimin me Obamën, fjalët e tij të ngrohta për Shqipërinë. Unë i ripërsërita ftesën për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi”, theksoi Berisha.
Në kuadër të mbrojtjes së tokës, Berisha ka theksuar se Shqiperia do të kontribuoje më shumeë se ç`i favorizon hapësira në mbjelljen e 250 mijë drurëve, ullinj dhe arrorë.