Berisha: Ne duam vendin e parë!
Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha pranon se me Norvegjinë është hedhur një hap përpara, pavarësisht se objektiv ishte fitorja. Duam Botërorin, është moment ynë!
Brazil 2014. Ky është mendimi i vetëm në kokën e portierit të Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, pranon se pika e marrë në Qemal Stafa, përballë Norvegjisë është një hap përpara, pavarësisht dominimit total të kuqezinjve. Ai nuk do të dëgjojë për vend të dytë në grup. Këtë herë kemi shansin real për të luajtur në Botëror dhe portieri kërkon që skuadra të shkojë në Brazil si fituese në grupin tonë eliminator.
Kemi dhe katër ndeshje në grup, por atë më të rëndësishmen përballë Zvicrës do ta luajmë në fushën tonë. I kemi shanset për të fituar në përballjen direkte me këtë skuadër. Angazhimi ynë ka qenë maksimal deri tani, e do të vazhdojë të mbetet i tillë edhe për ndeshjet e radhës. Ky është shansi ynë për të luajtur në Botëror dhe nuk kemi ndërmend që të heqim dorë prej tij.
Teksa I ka kthyer sigurinë portës kuqezi, për momentin Berisha nuk do të flasw për të ardhmen e tij. I kërkuar nga skuadra të mëdha, Etriti preferon të flasë për trajnerin De Biazi, me të cilin ka një marrëdhënie fantastike, por në një mënyrë ose në tjetrën e pranon se aventura e tij te Kalmari është praktikisht në fund. E ardhmja? Ka kohë të flas për këtë. De Biazi është trajner fantastik, komunikon me ne për çdo gjë.
Barazimi me Norvegjinë, rezultat pozitiv apo negativ?
Ne dominuam 90 minuta në takimin e Tiranës. Natyrisht që barazimi nuk është rezultat pozitiv, pasi kërkonim tri pikë, por edhe një pikë apo një barazim përballë një skuadre si Norvegjia, konsiderohet, të paktën në këto kushte e pranueshme për ne.
Duke parë renditjen në grup, sa gjasa ka që Shqipëria të kualifikohet në botërorin Brazili 2014 ?
Mund të them se jemi pjesë e një grupi të barazpeshuar. Të gjitha skuadrat kanë mundësi reale për kualifikim. Ne jemi në vendin e dytë dhe kemi shanse të mira të përfundojmë edhe në vendin e parë. Kemi tri ndeshje të cilat do ti luajmë si skuadra udhëtuese dhe një do ta zhvillojmë fushën tonë. Me angazhimin maksimal të cilin kemi treguar deri tani besoj fuqishëm se mund të përfundojmë edhe në vendin e pare në grup.
Gjatë ndeshjes me Norvegjinë, në shumë raste e lëshuat portën. Ishte kjo kërkesë e De Biazit?
Në dy ndeshjet e fundit kam bërë shumë dalje të tilla nga porta. Kur jam në portë gjithmonë mundohem të jap më të mirën nga vetja. Deri tani të gjitha daljet nga porta kanë qenë të suksesshme duke evituar rrezikun që mund të vijë nga kundërshtari. Duke e parë se kundërshtari ynë në dy ndeshjet e fundit kryesisht luante me topa në ajër, kjo ishte edhe një arsye më shumë që të bëja dalje të tilla.
Çfarë raporti keni me trajnerin Xhani De Biazi?
Kam raporte shumë të mira. De Biazi, është një trajner që na flet shumë. Është i mrekullueshëm e kërkon gjithmonë maksimumin nga çdo lojtar.
Në tre ndeshjet me Shqipërinë keni qenë titullar a mendon se keni fituar besimin trajneri?
Kjo do të thotë shumë për mua. Me punë dhe me angazhim mund të arrish gjithçka.
Me cilët nga lojtarët e kombëtares jeni lidhur më shumë?
Mund të them se me të gjithë kaloj shumë mirë. Por më shumë kohë kaloj me ata të cilët janë nga Kosova, pasi kuptohemi më lehtë (qesh).
Cilat janë synimet me Kalmarin këtë sezon?
Nga skuadra janë larguar shumë lojtarë cilësorë. Si rrjedhojë këtë vit synimet janë të renditemi sa më lartë. Nuk besoj se mund të arrijmë ndonjë pozitë që do na dërgojë në kupat e Europës. Synimi ynë është të mbesin në mesin e tabelës. Por, nëse na jepet rasti pwr njw pozicion mw tw mirw, atëherë do të mundohemi ta shfrytëzojmë atë.
A do të jetë ky viti i fundit me Kalmarin?
Sipas të gjitha gjasave po. Kontrata ime skadon në fund të këtij viti. Nuk e di sa a do të qëndroj deri në fund të kontratës apo do të largohem këtë verë.
Ku do të jetë e ardhmja?
Për këtë është ende herët të flasim. Janë disa skuadra të cilat kanë shfaqur interesim, por nuk ka ende asgjë zyrtare. Do ti shqyrtoj të gjitha ofertat të cilat do të vijnë dhe në fund do të vendos se ku do të kaloj.
Është folur se mund të kaloni te Fullhemi në Angli apo te Roma në Itali…
Momentalisht nuk është mirë të flas me emra skuadrash, pasi nuk ka diçka konkrete.
1 gol ka pësuar portieri prishtinas, Etrit Berisha, në katër ndeshjet zyrtare që ka zhvilluar me Shqipërinë.
10 është numri i pikëve që ka tubuar Shqipëria pas ndeshjeve të gjashta në Grupin E. Kombëtarja jonë stacionohet e dyta, me katër pikë më pak se Zvicra.
Kam raport shumë të mira me trajnerin. De Biazi, është një trajner që na flet shumë. Është i mrekullueshëm e kërkon gjithmonë maksimumin nga çdo lojtar
Mund të them se jemi grup i barazpeshuar. Të gjitha skuadrat kanë mundësi reale për kualifikim. Ne jemi në vendin e dytë dhe kemi shanse të mira të përfundojmë edhe në vendin e parë.