Berisha: Ne flasim me vepra, alternativat tjetër është bllokimi
Nga Renato Dauti
Kryeministri Sali Berisha përuroi ditën e djeshme segmentin rrugor që nis nga Korça dhe përfundon në fshatin Pustec, duke e bërë më të arritshme për turistët Parkun Kombëtar të Prespës. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se Partia Demokratike vjen në këtë fushatë elektorale me premtime të mbajtura dhe për këtë sipas kryeministrit flasin veprat e ndërtuara.
Deklarata
Flasim me rrugë, flasim me ujësjellësa, flasim me kanalizime, flasim me shkolla, flasim me qendra shëndetësore, flasim me subvencione për fermerët, flasim me heqjen e vizave për të gjithë shqiptarët, flasim me një ekonomi, e cila në kushtet më të vështira të krizës, siç u pohua dhe një javë më parë nga Komisioni Evropian, ishte një nga tre apo katër ekonomitë e vetme të BE, e cila pati rritje ekonomike dhe midis tyre ishte e vetmja, e cila pati një ulje prej 0,5 % të papunësisë, tha kryeministri Berisha. Kryeministri e cilësoi rrugën që lidh Liqenin e Prespës dhe Doganën e Goricës së Madhe, si tejet të rëndësishme jo vetëm për Korçën, por për Shqipërinë dhe turistët që vizitojnë Prespën. Kjo rrugë ka rëndësi edhe për faktin se lidh Shqipërinë me Maqedoninë. Politika ime është bashkëpunimi me të gjitha fushat me vendin fqinj në interes të vendeve, kombeve dhe rajonit në tërësi, u shpreh kryeministri Berisha.
Akuzat
Në vijim të fjalës së tij, shefi i ekzekutivit nuk i kurseu as akuzat për opozitën. Sipas tij kundërshtarët e tij politik kanë si alternativë bojkotin dhe bllokimin. Po kush është alternativa tjetër. Tregoi se ishte bojkot, bllokim bojkot, bllokim. Momenti kur merrej vendimi për vizat për Shqipërinë u ngritën çadrat para kryeministrisë në mënyrë që ai vendim të mos merrej. Kërkoi hap kutitë, të gjitha këto mashtrime. Mbahet peng statusi i vendit kandidat me të cilin ju të dashur qytetarë do përfitoni qindra-mijëra turistë më shumë, theksoi kreu i qeverisë. Për këtë arsye, sipas kryeministrit Berisha shqiptarët do të votojnë në 23 qershor për Partinë Demokratike si një forcë e cila do sjellë zhvillimin e vendit.
Pusteci vijon të quhet ende Liqenas
Pavarësisht se në mars të këtij viti parlamenti votoi me 121 vota pro ndryshimin e emrit të Komunës Liqenas duke e kthyer atë në Pustec, ku ndryshim ende nuk është zbatuar. Gjatë takimit të djeshëm të kryeministrit Berisha në këtë zonë tabela e cila ndodhet pas kryeministrit vijon ende të tregojë Liqenas.