Berisha: Ne jemi të vendosur në betejën kundër varfërisë
Kryeministri Berisha vizitoi sot disa fshatra të Fierit. Fillimisht, Kryeministri u ndal në Strum, ku inauguroi fillimin e punimeve për rrugën Strum-Fier, me gjatësi 24 kilometra dhe vlerë 400 milion lekë. Kryeministri inauguroi gjithashtu fillimin e punimeve për të rrugës Kuz-Strum, me vlerë 50 milion lekë.
Kryeministri Berisha tha se zhvillimi i zonave rurale është një përparësi absolute për qeverinë. “Pa zhvillimin e Shqipërisë rurale, nuk ka e nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri tha se qeveria në më pak se 4 vjet, ka investuar për zhvillimin e zonave rurale 1.6 miliard dollarë dhe se ajo ka mbështetur dhe do të mbështesë çdo projekt që ndryshon për mirë jetën e komunitetit. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha përmendi fillimin e disa projekteve të rëndësishme të infrastrukturës së këtyre zonave, ku vetëm në qarkun e Fierit, në këto dy muaj nis ndërtimi i mbi 120 kilometrave rrugë dhe konkretisht Fier-Cakran, Strum-Fier, Pushimi i shoferit-Divjake, Lushnje-Ballagat-Peqin dhe Kosovë-Belsh.
Kryeministri Berisha theksoi se beteja jonë më varfërinë është beteja më e vendosur dhe kërkoi nga autoritetet vendore ndihmën ekonomike që jep qeveria dhe është 150 milion euro, ta ndajnë me parimin: asnjë shqiptar në mjerim dhe duke treguar solidaritet ndaj atyre që janë në gjendje mjerimi.”
“Beteja jonë më varfërinë është beteja më e vendosur. Në më pak se 4 vite, mbi 350 mijë familje, të cilat në fshatra e qytetet e Shqipërisë jetonin në varfëri, me dyfishimin e pensioneve dhe ndihmave të tjera, sot ata janë dy herë më pak të varfër, sepse marrin dy herë më shumë të ardhura nga qeveria. Sot, sërish në fshatrat dhe në lagjet tona kemi njerëz që vuajnë dhe këtu kërkohet zemra jonë e dhimbur. Ju garantoj që Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, mjetet financiare e të tjera që as edhe një qytetar të mos jetojë mjerimin,” u shpreh Kryeministri.
Po ashtu gjatë vizitës në disa komuna të Fierit, Kryeministri Berisha u ndal në komunën e Kumanit, ku inauguroi shkollën e re 9-vjeçare të fshatit Vidhisht, një investim me vlerë 45 milion lekë, si dhe përfundimin e ndërtimit të rrugës së brendshme të këtij fshati, investim me vlerë 22 milion lekë. Kryeministri Berisha, në përshëndetjet e tij, tha se ne jemi zotuar që Shqipërisë rurale, fshatrave të saj, t’u ngremë infrastrukturën që kanë qytetet e lagjet e tyre. Vetëm në komunën e Kumanit, në 3 vjet e 8 muaj janë investuar 267.5 milion lekë. Qeveria, vijoi Kryeministri, ka vendosur në pensionet e pagat e shqiptarëve 4 herë më shumë se në 8 vite të marra së bashku dhe premtoi se në mandatin e ardhshëm nuk do të ketë pension në fshat nën 100 dollarë. “Ne, - u shpreh Kryeministri - gjetëm një pension në fshat 34 mijë lekë dhe ky pension do të dyfishohet më 1 maj të këtij viti. Ne që ju premtuam se do të dyfishonim pensionet tuaja dhe po e bëjmë këtë realitet, ne ju premtojmë se mandatin e ardhshëm, në fshatrat e Shqipërisë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë.”
Fjala e plotë e kryeministrit Berisha
“Së pari, në emrin tuaj, të urojmë së bashku të gjithë besimtarët katolikë, besimtarët shqiptarë gëzuar këtë Ditë të bardhë, këtë Ditë të bekuar, Ditën e Pashkës. Le të urojmë që festat të na gjejnë gjithnjë e më mirë, të urojmë t’i festojmë ato së bashku me një përpjekje të madhe për zhvillimin Strumës, Fierit dhe mbarë Shqipërisë.
Sot, unë kam kënaqësinë që këtu inauguruam fillimin punimeve të një rruge prej 24 kilometrash që qarkon fushën dhe lidh disa komuna me qytetin e Fierit. Qeveria ime këto 3 vjet e 8 muaj ka investuar në Strum rreth 300 milion lekë kundrejt vetëm 8 milion lekë që u investuan në këtë komunë, në ujësjellësin e Sukës në 8 vitet e shkuara, para këtij mandati. Unë ju garantoj se infrastruktura e komunës së Strumës, rrugët e asfaltuara për ju, mbarë Myzeqenë e mbarë Shqipërinë, shkollat e reja, ujësjellësit dhe kanalizimet do të jenë përparësia jonë e parë. Në këtë kontekst, kam kënaqësi se në 3 vjet e 8 muaj, kemi investuar në kanalizime e ujësjellës në Strumë 47 milion lekë, në trotuare e ndriçimin e saj 25 milion lekë, ambulancën në Suk 2 me vlerë 15 milion lekë, ambulancën në fshatin Arapaj 30 milon lekë, Suk dhe Suk 2 60 milion lekë, rikonstruksionin e zyrës së gjendjes civile 2.5 milion lekë, si dhe për rrugën kryesore Strumë-Suk 2-Suk-Marinëz, me gjatësi 15 kilometra, 169 milion lekë. Investimet e qeverisë arrijnë në vlerën 300 milion lekë, kundrejt vetëm 8 milion të investuara në këtë komunë për 8 vite me radhë.
Gjatë këtij mandati, ne kemi investuar në zonat rurale të vendit 1.6 miliard dollarë. Ne i kemi gjetur këto zona tërësisht të braktisura. Do t’u jap vetëm dy shembuj. 3 vjet më parë isha në Peqin, ku inaugurova fillimin e punimeve të dy rrugëve. Në Peqin nuk kishte asnjë kilometër rrugë të asfaltuar, përveç aksit kombëtar që lidh Peqinin me Elbasanin. Sot, të gjitha komunat e Peqinit janë të lidhura me aksin kombëtar me rrugë të asfaltuara. Dy vjet më parë, po shihja në televizor një kortezh, i cili të krijonte dhembje jo vetëm për të vdekurin, por po shihja dhe rrugën në të cilën ku po kalonte kortezhi dhe ishte tërësisht e dhimbshme. Ju siguroj se do të bëjmë çdo gjë që ju të ndjeheni si në qytet për sa i përket infrastrukturës, rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve.
Për qeverinë time, zhvillimi i zonave rurale është një përparësi absolute. Pa zhvillimin e Shqipërisë rurale, nuk ka e nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar. Në këtë kontekst, ne kemi ndërmarrë projektet e infrastrukturës së këtyre zonave. Në këto dy muaj, vetëm në qarkun e Fierit nis ndërtimi i mbi 120 kilometrave rrugë dhe konkretisht Fier-Cakran, Strum-Fier, Pushimi i shoferit-Divjake, Lushnje-Ballagat-Peqin, Kosovë-Belsh dhe nuk kam përmendur dhjetëra kilometra të tjera që janë më pak të gjata, sesa rrugët që përmenda.
Ne u zotuam se do të dyfishojmë pensionet në fshat më 1 maj dhe i garantojmë pensionistët e fshatit se do të marrin një pension dy herë më të madh, se në vitin 2005. Beteja jonë më varfërinë është beteja më e vendosur. Në më pak se 4 vite, mbi 350 mijë familje, të cilat në fshatra e qytetet e Shqipërisë jetonin në varfëri, me dyfishimin e pensioneve dhe ndihmave të tjera, sot ata janë dy herë më pak të varfër, sepse marrin dy herë më shumë të ardhura nga qeveria. Sot, sërish në fshatrat dhe në lagjet tona kemi njerëz që vuajnë dhe këtu kërkohet zemra jonë e dhimbur. Ju garantoj që Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, mjetet financiare e të tjera që as edhe një qytetar të mos jetojë mjerimin. Por kjo kërkon, para së gjithash e mbi të gjitha, që këshillat dhe autoritetet vendore, ndihmën ekonomike që ne japim dhe është 150 milion euro, ta ndajnë së pari, me parimin: asnjë shqiptar në mjerim. Së dyti, në rast se nuk ju arrin, le t’i kërkojnë qeverisë. Së treti, solidaritet ndaj atyre që janë në gjendje mjerimi. Nuk duhet të ketë në çdo komune tjetër, apo në Strum, e cila numëron vila më shumë se kurrë ndonjëherë në histori, të ketë familje që nuk kanë ku të fusin kokën ndaj dhe bashkërisht me komunën, këshillat e komunitetin le t’u shtrimë dorën e solidaritetin edhe familjeve më të veçantë. Mbase në Strum nuk ka asnjë, këto nuk janë të shumta, por ekzistojnë. Sërish ekzistojnë nëna me 2-3 apo 4 jetimë dhe imagjinoni çdo të thotë për një grua të përballë jetën me fëmijët e saj, në një kohë, kur ne kemi çdo mundësi për t’u dhënë mbrojtje dhe mbështetje të plotë fëmijëve të saj, me strehim, shkollim, bursa. Ashtu siç luftuam varfërinë me efikasitet e shpejtësi të madhe, të ndihmojmë në çdo qoshe, ku na kanë mbetur njerëz në nevojë, nëna apo baballarë, të cilët ndjejnë dhimbje për ushqimin e fëmijëve të tyre. Në këtë mënyrë, ne do të bëhemi shoqëri e drejtë dhe do të gëzojmë zhvillimin gjithnjë e më shumë.
Gradualisht po shkojmë drejt mandatit të dytë. Ajo që ju zotohem është se investimet për zhvillimin e qëndrueshëm të fshatrave të Shqipërisë, për infrastrukturën e tyre, vaditjen, kullimin, mbrojtjen nga përmbytjet, investimet për nxitjen e frutikulturës, ullinjve, bletarisë, agrobiznesit do të njohin një rritje shumë herë më të madhe, sesa në këtë mandat.
Këto ditë, ne u anëtarësuam në NATO. Tani ju keni dëshirë të ligjshme që të mund të shkoni të lirë të takoni fëmijët tuja në emigracion dhe kudo që janë. Unë ju jap fjalën se, ashtu siç ju premtova për anëtarësimin në NATO dhe së bashku e shndërruam në realitet, ashtu ju premtoj për heqjen e vizave dhe ju do të lëvizni pa viza, si qytetarë europianë më mbarë Europën. Por kjo kërkon që secili të përmbushë detyrimet e tij. Qeveria të përmbushë detyrimet e saj, qytetari të përmbushë detyrimet e tij. Ajo që kërkojmë nga ju është pajisja me letërnjoftimet e reja dhe pasaportat biometrike, sepse pa këto dokumente, të tjerët nuk do të pranojnë të heqin vizat me ne. Ne duhet të pajisemi me to edhe si një akt krenarie që t’u themi se edhe ne, shqiptarët, kemi dokumentet e identitetit më të mirat që prodhohen sot.
Duke përgëzuar kryetarin e komunës për punën që ka bërë, investimet serioze që ke realizuar me të ardhurat e komunë, ju siguroj se qeveria do të mbështesë çdo projekt zhvillimi. Ndaj në raportin e ri të vendosur ju projektet, ne financimin, të vazhdojmë në këtë mënyrë që ta ndryshojmë për mirë jetën e qytetarëve të kësaj komune dhe të mbarë Myzeqesë.”
...