E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Basha: Së shpejti do të aplikojmë si vend kandidat për në BE

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha deklaroi sot gjatë një vizite në rrethin e Elbasanit, se "Qeveria shqiptare do të aplikojë së shpejti  për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian". Ministri Basha vijoi sot turin e takimeve me banorë të komunave Gostim, Klos dhe Mollas të Elbasanit. Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Ministri Basha konfirmoi se "me të njëjtin vullnet që kjo qeveri bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të bëjë të mundur edhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian". Në këtë drejtim, Ministri i Jashtëm premtoi se "brenda një viti, qytetarët shqiptare do të lëvizin pa viza nëpër Europë. Së shpejti qeveria shqiptare, Kryeministri Sali Berisha do të paraqesë personalisht aplikimin për statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ju them sot, të rinjve dhe gjithë qytetarëve, që brenda 12 muajve, me pasaportë shqiptare, pa vizë, do të mund të lëvizin lirisht nëpër hapësirën Shengen", tha zoti Basha. Sipas tij "reformat dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit bënë të mundur dyfishimin e pagave dhe pensioneve dhe shndërrimin e Shqipërisë në një kantier ndërtimi. Me të njëjtin vullnet dhe përkushtim do të vijohet dhe në katër vitet e ardhshme. Me besimin që na dhatë në katër vitet që shkuan, ne dyfishuam pensionet tuaja dhe tani me besimin që do të na jepni, në katër vitet që do të vijnë ne do t'i dyfishojmë sërisht pensionet e fshatit në mandatin e dytë", tha zoti Basha. Shefi i diplomacisë shqiptare ka kërkuar që "para se të vendosin se kujt do t’i besojnë fatin e tyre në katër vitet e ardhshme, qytetarët shqiptarë të reflektojnë ku ishin dhe ku janë". 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›