E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitja e dheut rrezikon një familje

Autori i Lajmit: red.
Fenomeni i rrëshqitjes së tokës duket se po shfaqet edhe në zona të tjera. Rastet e ndodhura në Kavajë, Pogradec e Gramsh nuk janë të vetmet, pasi dhe një familje në Komsi të Burrelit kanoset nga rreziku i shembjes së banesës. Rrëshqitjet e vazhdueshme të tokës rrezikojnë seriozisht jetën e një prej familjeve në fshatin Komsi të Burrelit. Banesa e familjes Kola ndodhet në gjendje kritike shumë pranë rrëshqitjes së dheut dhe familjarët janë detyruar që përkohësisht të braktisin banesën e tyre për shkak të rrezikut që u kanoset. Shtëpia ka marrë plasaritje në mure dhe mund të përfundojë në rrjedhën e lumit Mat, familjarët janë në ankth për fatin e tyre si rezultat i kanosjes së këtij rreziku.
6 anëtarët e familjes Kola kërkojnë ndihmë nga pushteti lokal për mundësimin e një vendstrehimi të sigurt për ta. Sipas banorëve, rikthimi i reshjeve do të provokonte rrëshqitjen e tokës, çka do të thotë rrezik më i madh për këtë familje. Pak ditë më parë, disa shtëpi në Kavajë u shkatërruan plotësisht nga rrëshqitja e dheut. Ky fenomen po bëhet gjithnjë e më i pranishëm për shkak të lëvizjeve tektonike dhe reshjeve që kanë rënë kohët e fundit.

Ky lajm është publikuar: 14/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›