E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në katër vite 700 milion lekë investime në Komunën Shënvlash

Komuna Shënavlash në rrethin e Durrësit ka përfituar 700 milionë lekë investime gjatë katër viteve të fundit, ndërkohë që siç premtoi Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi dje me banorë të kësaj zone në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon”, "në mandatin e ardhshëm do të asfaltohet çdo pëllëmbë rrugë e Shënavlashit". Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha u shpreh se "para këtij mandati, nga qeveria e mëparshme nuk është asfaltuar qoftë edhe një kilometër rrugë, ndërkohë që gjatë këtij mandati, në komunën tuaj janë asfaltuar 13 kilometra, qartësisht 30 për qind më shumë se në kryeqytetin e vendit". Ai përmendi ndërtimin e rrugëve të fshatit Shënavlash, Rrashbull, Arapaj, Xhafzotaj, Romanat, Shkallnuer, Maskuri, fshatit Pjeshkë, etj., por edhe shkollën e Shkallnuerit në ndërtim e sipër, përurimin e shkollës së Shënavlashit, rikonstruksionin e shkollës së fshatit Arapaj, ndërtimin e ujësjellësit së Shënavlashit, kanalizimet në fshatin Xhafzotaj, rikonstruksionin e ujësjellësve të fshatit Pjeshkë dhe Xhafzotaj, etj.           
Kreu i Ekzekutivit premtoi se "në mandatin e ardhshëm do të asfaltojmë çdo pëllëmbë rrugë të komunës Shënavlash. Do të finalizojmë të gjithë sistemin e kanalizimeve, do të realizojmë që çdo familje të ketë ujë 24 orë". Duke folur për përurimin e shkollës së mesme të Bashkuar të Shënavlashit, një investim prej rreth 100 milionë lekë nga buxheti i shtetit, Kryeministri tha se ky investim u jep fëmijëve tuaj një shtëpi të dytë të bukur, siç janë dhe vet.  Jam i bindur, tha Kryeministri Berisha, se interesi juaj është së pari tek fëmija, ndaj ne kemi përcaktuar 4 vite më parë, si përparësi të madhe tonën arsimimin e fëmijëve tuaj.  "Në atë kohë premtova dyfishimin e rrogave të mësuesve, internetin në çdo shkollë, rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave të reja. Sot fëmijët tuaj, pa përjashtim, lundrojnë në internet njësoj si fëmijët e shkollave në vendet e zhvilluara të botës", tha Kryeministri, duke premtuar se shtrirja e internetit në 4 vitet që vijnë, nga shkollat do të kalojë në çdo shtëpi.
Kryeministri Berisha garantoi banorët e kësaj komune se "në katër vitet që vijnë, pensionet në qytet dhe fshat do të barazohen". Kjo, nënvizoi ai,  nuk do të ndodhë duke bllokuar rritjen e pensioneve në qytet, sepse ato do të vazhdojnë rritjen me ritme të mëdha, por duke rritur në mënyrën më të madhe edhe pensionet e fshatit. Këto, sipas Kryeministrit Berisha,  janë arritje të mëdha, "por mbi të gjitha arritje është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, është pasaporta e re e juaja, e çdo shqiptari, është fytyra e vërtetë e Shqipërisë". Ai i siguroi banorët e kësaj komune se "në vitin e parë të mandatit të dytë, ju do të lëvizni të lirë në mbarë Europën, pa viza".
Përballë kësaj alternative, e cila vendos në epiqendër interesat tuaja, tha Kryeministri,  qëndron alternativa tjetër e opozitës, e cila vendos në qendër karrigen e kryetarit. Kryeministri Berisha i bëri thirrje kryetarit të opozitës, Edi Rama, që të japë dorëheqjen nga Bashkia dhe të dalë ballë për ballë në fushatë. "Mos u fshih pas karriges së Kryetarit të Bashkisë, por dil, sepse anëtarët e asaj partie, mbështetësit e saj, kërkojnë të të shohin ty që u prin, jo për kryetar Bashkie sepse aty të kanë dhe ua ke nxirë fare, duke marrë së bashku me ndihmesat e tu 59 leje ndërtimi", tha Kryeministri Berisha.   
Fjala e plotë e kryeministrit
Të dashur, nxënës, mësues të kësaj shkolle,
Të nderuar familjarë, prindër, bashkëshorte dhe fëmijë të Martirit të vërtetë të lirisë, heroit të shtetit dhe vlerave të tij, z.Besnik Hidri. Erdha këtu të ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj shkolle, një investim prej rreth 100 milionë lekë, që i jep zonës së Rrashbullit një nga shkollat më moderne, më të bukura, më të pajisura të vendit. Ky investim u jep fëmijëve tuaj një shtëpi të dytë të bukur, siç janë dhe vet. Kjo shkollë mban emrin e intelektualit, zyrtarit, qytetarit, prindit shembullor që ra për të fituar pavdekësinë, ra që ju të jeni të sigurt, që vlerat e demokracisë të zhvillohen. Ne sot përjetësojmë emrin e tij me këtë shkollë kaq të bukur. Kam shumë kënaqësi sot sepse vij tek ju pasi këto katër vite ne ju kemi dëshmuar se interesa tuaja janë dhe do të mbeten programi ynë. I gjithë programi i kësaj qeverie dhe i çdo qeverie që unë do të kryesor, do të jetë i thjeshtë, sepse do ketë për filozofi përmbushjen e interesave tuaja.
Unë jam i bindur se interesi juaj është së pari tek fëmija, ndaj ne kemi përcaktuar 4 vite më parë, si përparësi të madhe tonën arsimimin e fëmijëve tuaj.  Në atë kohë premtova dyfishimin e rrogave të mësuesve, internetin në çdo shkollë, rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave të reja. Jo të shumtë kanë qenë ata që kanë besuar se të gjitha këto premtime do të mund të shndërrohen në realitet. Jo të paktë kanë qenë ata që kanë menduar se këto janë premtime për të marrë vota. Por unë vij sot tej ju dhe ju shoh drejt në sy, sepse me kënaqësi të madhe  sot, mësuesit e fëmijëve tuaj janë vendosur në piedestalin që meritojnë. Sot ata nuk kërkojnë të largohen nga sistemi arsimor  për të gjetur një punën tjetër, sepse e shohin që janë të përfillur nga shteti, të vlerësuar, ata e shohin se për këtë qeveri, misioni i tyre është misioni i parë më i vlerësuar. Sot fëmijët tuaj, pa përjashtim, lundrojnë në internet njësoj si fëmijët e shkollave në vendet e zhvilluara të botës. Unë jam sot këtu për t’ju premtuar se shtrirja e internetit, në 4 vitet që vijnë, nga shkollat do të kalojë në çdo shtëpi. Unë vij sot këtu dhe takohem me ju pasi shpresat që ju vendosët mbi besimin e programit që paraqita 4 vite më parë, nuk janë më shpresa por janë realitete mbi bazën e të cilave lindin shpresa të tjera.
Katër vite më parë premtuam se do të hapnim dyert e universiteteve, sepse fëmijët tuaj donin të ndiqnin studimet. Sot numri i studentëve në universitetet tona është  mbidyfishuar, krahasuar me atë numër që ishte në vitin 2005. Unë e di se interes tjetër i  madh i juaji është që të shpërbleheni më mirë, jo vetëm ju, punonjësit e sotëm, por edhe ata që shkrinë muskujt, djersën, mendjen e tyre në kooperativat bujqësore apo fermat. Premtuam katër vjet më parë se do të dyfishojmë pensionet e fermerëve dhe sot ky është realitet. Çdo fermer sot merr dyfishin e pensionit që merrte katër vite më parë. Por ne nuk ndalemi këtu. Unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë, pensionet në qytet dhe fshat do të barazohen. Kjo nuk do të ndodhë duke bllokuar rritjen e pensioneve në qytet, sepse ato do të vazhdojnë rritjen me ritme të mëdha, por duke rritur në mënyrën më të madhe edhe pensionet e fshatit. Interesi juaj është që këtu ku jetoni të keni të gjitha kushtet si në një lagje të qytetit. Ju lodheni, punoni tokën, bëni punë të vështira, por nga ana tjetër, ne do të bëjmë çdo gjë t’u krijojmë ju atë infrastrukturë që ekziston në çdo lagje të qyteteve tona, rrugë të asfaltuara, ujë të pijshëm për çdo familje, shërbime të kulturuara, cilësi të mirë të tyre, si dhe ndihma të tjera që prodhimet tuaja të kapin sa më shpejt tregun.
Në komunën tuaj ka pasur 0 lekë investime. Kryetari i komunës më informon se gjatë këtij mandati janë investuar 700 milionë lekë. Para këtij mandati, nga qeveria e mëparshme nuk është asfaltuar qoftë edhe një kilometër rrugë, ndërkohë që gjatë këtij mandati, në komunën tuaj janë asfaltuar 13 kilometra, qartësisht 30 për qind më shumë se në kryeqytetin e vendit. Janë rikonstruktuar dhe ndërtuar rrugët e fshatit Shënavlash, Rrashbull, Arapaj, Xhafzotaj, Romanat, Shkallnuer, Maskuri, fshatit Pjeshkë, etj. Është në ndërtim shkolla e Shkallnuerit, ndërkohë që shkolla e Shënavlashit u inaugurua sot, është rikonstruktuar shkolla në fshatin Arapaj, etj. Është ndërtuar ujësjellësi i Shënavlashit, ndërtimi i kanalizimeve në fshatin Xhafzotaj, rikonstruksioni i ujësjellësve të fshatit Pjeshkë dhe Xhafzotaj, etj.
Unë jam këtu për t’ju premtuar se në këtë platformë, në mandatin e ardhshëm do të asfaltojmë çdo pëllëmbë rrugë të komunës Shënavlash. Do të finalizojmë të gjithë sistemin e kanalizimeve, do të realizojmë që çdo familje të ketë ujë 24 orë. Katër vite më parë ne premtuam se do t’u japim fund ndërprerjeve fyese dhe tepër munduese të energjisë elektrike. Që nga viti 2007 e deri më sot nuk ka më ndërprerje të programuar. Unë ju garantoj se brenda mandatit të dytë Shqipëria do të jetë një nga eksportuesit kryesor të energjisë elektrike në rajon.
Të dashur qytetarë, 
Këto janë arritje të mëdha, por mbi të gjitha arritjet është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, është pasaporta e re e juaja, e çdo shqiptari, është fytyra e vërtetë e Shqipërisë. Arritje tjetër madhore është ratifikimi dhe firmosja nga 27 parlamente të Bashkimit Europian të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit dhe paraqitja e kërkesës për vendin kandidat në BE. Ndërkohë, vitin e parë të mandatit të dytë, dua t’ju garantoj se ju do të lëvizni të lirë në mbarë Europën, pa viza. Përballë kësaj alternative, e cila vendos në epiqendër interesat tuaja, qëndron alternativa tjetër e opozitës, e cila vendos në qendër karrigen e kryetarit. Mos harroni asnjëherë se çfarë ndodhi kur ne do të firmosnim MSA-në, se si deputetët e opozitës, për 3 muaj, u frynë bilbilave dhe borive në parlament, vetëm e vetëm që t’u thonin europianëve se ky është një vend i shëmtuar dhe nuk meriton të ketë MSA-në. Por ata e kuptuan se cilët ishin shqiptarët dhe kush vërtetë ishte shëmtira. Ndaj ata na ftuan dhe ne firmosëm në 12 qershor, në Bruksel, MSA-në. Më pas, në Shqipëri do të vinte për vizitë, për herë të parë në marrëdhëniet tona, Presidenti i SHBA Xhorxh Bush, duke i bërë Shqipërisë nderin më të madh. Opozitarët, në mënyrën më të turpshme, do të përpiqeshin me çdo kusht të përlyenin qytetarët shqiptarë, të përlyenin mikpritjen e tyre vëllazërore, traditën e tyre. Në qoftë se fushëkrujasit na përfaqësuan ne me dinjitetin më të madh, përfaqësuan çdo shqiptar, mikpritjen tonë të të gjitha kohërave, dikush tjetër, një shpirtzi, një zemërzi, do të urdhëronte mediat e tij të përhapte lajmin e turpshëm se shqiptarët janë hajdutë, sepse i vodhën orën e dorës mikut. Por Shtëpia e Bardhë u dha përgjigjen që ata meritonin. Në datën 3 prill, kur delegacioni ynë ndodhej në sallën e Samitit të NATO-s në Bukuresht dhe po duartrokitej për ftesën e bërë Shqipërisë për anëtarësim, po këta zotërinj, me lajmësat e tyre të shpifur, dezinformonin shqiptarët se Shqipëria nuk do ta marrë ftesën, ndërkohë kur ne ftoheshim në Zagreb për të festuar me Presidentin e SHBA, ftesën për Shqipërinë, ata organizonin mitingje të turpshme me portretet e Enver Hoxhës.
Muajin që senati amerikan do të firmoste protokollin e anëtarësimit në NATO, ata do të akuzonin shtetin e tyre se vrau njeriun që vdiq në aksident rrugor. Këta zotërinj nuk kanë interesa të tjera, por vetëm një; interesin e karriges së tyre, me të cilën janë të ngjitur me ngjitësin më të fortë, me tutkallin më të tmerrshëm, lejet e ndërtimit. Ata nuk shkëputen dot prej tyre. Unë isha dje në Krujë dhe krutanët i gjeta të lënduar nga fushata e shpifjeve të tyre kundër Skënderbeut, shpifje të cilat kanë vetëm një qëllim, të prekin thelbin e identitetit tonë kombëtar, thelbin e qëndresës sonë. Historia jonë nuk ka qenë histori e lehtë, kemi pasur kulme si në kohën e Skënderbeut, por kemi pasur edhe shekuj pushtimesh të gjata. Natyrisht kulmi dhe lavdia është ajo që trashëgohet nga qytetarët shqiptarë.
Aty në Krujë, para shtatores së Skënderbeut, i bëra thirrje kryetarit të opozitës, por edhe këtu i bëj thirrje: zoti Rama, kam një kërkesë për ty, kërkesë që nuk e kam aspak në interesin tim, në interesin e mbështetësve dhe simpatizantëve të mi, por e kam në interesin më të mirë të anëtarëve të PS-së dhe mbështetësve të tu; Dil në shesh, bëju burrë, shkëputu nga karrigia e Kryetarit të Bashkisë, jep dorëheqjen dhe hajde të bëjmë garën ballë për ballë. Kush do ta fitojë. Mos u fshih pas karriges së Kryetarit të Bashkisë, por dil, sepse anëtarët e asaj partie, mbështetësit e saj, kërkojnë të të shohin ty që u prin, jo për kryetar Bashkie sepse aty të kanë dhe ua ke nxirë fare, duke marrë së bashku me ndihmesat e tu 59 leje ndërtimi. Çlirohu nga lejet e ndërtimit.
Në Krujë më erdhi ndërmend t’i thosha diçka, por mendova se po tmerrohej. Në Krujë i thashë; eja këtu, ngriji sytë lartë dh shiko shtatoren e Skënderbeut, lutju të të japë pak kurajo. Kurse këtu tek ju, po them këtë tjetrën: Për mua dhe për ju Skënderbeu është hyjni, është idhulli ynë, por unë atij do t’ia bëj më zi sesa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›