E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkrahja e programeve dhe e punës, domosdoshmëri që të mbyllim epokën e tranzicionit

Përpara kafes:
Sot në mëngjes vëllai im i vogël më pyeti me sy të zgurdulluar: “O vëlla kur do të dalim nga tranzicioni ne”? Në fillim u hutova pak nga kjo pyetje, sepse së pari ishte mëngjes dhe njeriu ngrihet me halle të tjera, plus së dyti ç’i interesonte një djali pesëmbëdhjetëvjeçar tranzicioni. Po ja që i interesonte. Më vuri në vështirësi. Kuptova se s’mund t’i shmangesha thjesht me fraza të importuara nga leksiku politik. Ai i kishte dëgjuar njëherë ato, por s’ia kishin mbushur mendjen të tilla shpjegime.
Kështu që zgjodha një shteg tjetër. E nisa paksa ndryshe t’ia shpjegoj, më të gjatë dhe më të zorshme, fillova nga simbolet politike duke kthyer vështrimin në ngjyrat që dominojnë gjithmonë manifestimet politike shqiptare në mitingje: blu e kuqe-rozë. Njëherazi, i detyruar edhe nga vizioni i devijuar që kemi ndërtuar për botën përreth, në sensin tamam material, që është i kushtëzuar kryesisht nga vetë perceptimi i ngjyrave politike. Në tetëmbëdhjetë vjet pluralizëm politik kemi pasur një turn over emblemash blu, kuq e rozë, sërish blu. Por jo një turn over idesh reformatore mbi politikën e një shteti modern.
Kundërshtimërisht me atë që imagjinojnë njerëzit, ngjyrat e ndryshme nuk janë një e dhënë natyrale. Ngjyrat politike janë konvencionale, pra njerëzore. Kurdomos me këto ngjyra për faj ne kemi ngritur disa barriera konvencionale që amplifikohen sidomos në kohë fushatash elektorale. Ku njerëzit (shqiptarët votues) hyjnë në simbiozë si demat e arenave të matadorëve që s’mendojmë për rezultate e alternativa qeverimi: për programet e tyre në vijim, mbi politikat e ndryshme që do të ndjekin të përzgjedhurit, apo arritjet, ose zhgënjimet e një qeverie; por ndjekin fanatikisht siç bën demi i hipnotizuar nga ngjyra në këtë rast e kuqe me sulmue matadorin në mes të sheshit.
***
 
Gjatë kafes:
Ngjyrat politike në Shqipëri janë bërë një mur i ri për shqiptarët - që pas shembjes së murit të Berlinit - një mur më i sofistikuar sepse është mendor, i cili pothuajse kristalizohet sa herë nga urrejtja e skajshme për komunizmin, herë nga nostalgjikët patologjikë të komunizmit, herë për sport kombëtar me qenë ultra-tifoz i egër së një force politike.
Por çfarë lidhje ka kjo më tranzicioni më pyeti tim vëlla? Ka shumë - i thashë. Sepse politika kudo në botë, kështu edhe në Shqipëri, bazohet principalisht mbi elementët totemikë siç është “klani” politik (partia, tifozët, militanti, flamurtarët) që shprehet në një “tempull” (kuvendi, parlamenti, oda) me “lutje apo veprime” të prera siç është “lufta” (armiku, kundërshtari, konkurrenti) për “përjetësi” (pra, histori).
Tek “lufta” politike hyjnë edhe flamurët si simbole të një bote absolutiste që nuk lejon devijime të frontit sepse mund të quhesh si tradhtar i kauzës. Duke reflektuar mbi flamujt, më erdhi në mendje një intervistë që regjisori poliedrik shqiptar Edmond Budina tregonte sesi: “Për fat të keq sa herë vij në Shqipëri gjej më shumë flamuj, jo vetëm për faktin që ka shumë parti. Shoh miq të mitë të ndarë dhe secili ka flamurin e tij”, kjo përkufizon ma së miri konfuzioni mental të një shoqërie - të parë nga jashtë - që kërkon të “integrohet” në komunitete euro-atlantike.
Është e qartë në dritë të diellit se kalvari i tranzicioni të stërzgjatur shqiptar është pasojë kryesisht e të bërit politikë në Shqipëri, sepse po të shohësh vetëm një grimcë të dukurisë  së përgatitjeve për zgjedhje, e sa herë fillojnë marshimet elektorale shqiptari elektrizohet, eksitohet më një llaf, bëhet pasional dhe jo racional. Shndërrohet nga një grimcë neutrale katërvjeçare në një grimcë atomike në një muaj. Gati sa s’thua se do të shpërthejë. Ai ndjek flamurin e tij personal, por nuk e din se çfarë po bën. Tim vëllai u përpoqa t’ia shpjegoja ngjasimin që kemi me shembullin mesjetar të komunave italianë midis guelfëve dhe ghibellinëve. Im vëlla më pa në sy duke më pëshpëritur se as profesori nuk e di historinë e vërtetë të shqiptarve e jo më të komunave italianë. Nejse! – i thashë, nuk ka rëndësi.
***
Mbas kafesë:
Siç e kam shkruar edhe në një shkrim tjetër mbi dellin pasional të shqiptarit, them hapur se potenciali pasional i tij qëndron i ndrydhur për katër vjet, ai mbetet i paprekur, i paepur, i mbyllur në mendjen dhe trup në pritje votimi. Vota shikohet si shfryrje, një purifikin dhe jo si një mundësi për të rikuperuar, për të ndryshuar, për të përmirësuar. Në kohë votimesh politikanët shqiptarë si magjistarët modernë lozin me pasionin tonë duke na servirur flamuj dhe jo programe apo politika të qarta e konkrete integruese. Sepse në të kundërt tranzicioni nuk do të ishte kaq i gjatë. Personalisht jam kundër të gjithë flamujve pas të cilëve fshihen ideologji, religjione, doktrina që na shtyjnë të urrejmë njëri-tjetrin.
Sapo u ktheva të shikoja reagimin e tim vëlla për fjalët e mia, konstatova se aspak s’e kishin tronditur, por m’u kthye me fjalët e tij prej adoleshenti pesëmbëdhjetëvjeçar: “po unë doja të dija kohën materiale, ketë vit apo vitin tjetër do të dalim nga tranzicioni!”.
Kuptova se s’kishte kuptuar asnjë fjalë dhe se atij problemi i quajtur “tranzicion shqiptar” e shikonte më tepër si kërcënim për të ardhmen e tij. Dhe bënte mirë! E ardhmja e tij është në rrezik, sepse e ardhmja jonë është në rrezik po nuk shembëm këtë mur mendor brenda pak kohe do të na kufizojë mirëqenien. Pas një muaji kemi zgjedhjet dhe shpresoj që shqiptarët të shohin njerëzit, programet, politikat, idetë për të ardhmen dhe jo vetëm flamujt. Më pas vëllai më pyeti pak i shqetësuar “o vëlla, do të votosh edhe për të ardhmen time vitin tjetër?” “Patjetër, vëlla!” - ia ktheva. Pastaj ai u nis për në shkollë.
Ka ardhur koha të mos jemi më spektatorë pasivë të një demokracie. Sot na kërkohet të reflektojmë se ku ishim, ku ndodhemi dhe ku dëshirojmë të jemi në pritshmërinë para e mbas zgjedhjeve.
 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›