E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në mars 2009, tenderat elektronike

Në muajin mars të gjithë biznesmenët do të paguajnë taksat online, të gjitha tenderat do të jenë elektronike. Këtë deklaroi dje Kryeministri Sali Berisha në Konferencën e djeshme për Shoqërinë e Informacionit. Z. Berisha premtoi se qeveria ka mobilizim fondesh për kapjen e moshës dixhitale dhe se çdo familje shqiptare do të ketë nga një kompjuter. "Qeveria ime do të pajisë me kompjutera të gjitha familjet shqiptare", - u shpreh Berisha. I pranishëm në konferencë ishte edhe ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan. Sipas tij, qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha fondet e nevojshme për të kapur sa më shpejt moshën dixhitale. “Interneti, - shtoi ai, - përbën sot hapësirën më universale në të cilën individi merr shërbime dhe njohuri shumë të rëndësishme në punën e tij”. Kryeministri kujtoi se tri vite më parë, nisma "Shqipëria në moshën dixhitale" e ndërmarrë nga qeveria shqiptare, në atë kohë nuk tingëllonte realiste, por "mosha dixhitale është një moshë jetike për zhvillimin e Shqipërisë, që përfaqëson vendin më kohëhumbur në këtë drejtim, ndaj përpjekjet tona duhet të jenë të jashtëzakonshme. Ne nuk mund të themi se jemi në moshën dixhitale, por ne po shtrojmë themelet e kësaj moshe". Kreu i qeverisë kërkoi që të parashikohet një edukim masiv i popullatës për përdorimin e internetit, pasi në një moment të caktuar qeveria do të krijojë mundësinë që çdo familje shqiptare të ketë kompjuter në shtëpitë e tyre. Qeveria synon të zhvillojë një program të përgjithshëm për edukimin e popullatës për përdorimin e internetit në vazhdën e nismës “Shqipëria në moshën e internetit”. Kryeministri pohoi se revolucioni i teknologjisë i dy dekadave të fundit ka transformuar më shumë se çdo gjë tjetër shoqërinë njerëzore, duke i dhënë asaj dimensionin e shoqërisë së informacionit.

Topi në Ohër për Forumin Rajonal Ekonomik

Presidenti Topi do marrë pjesë sot në Forumin Rajonal Ekonomik që do mbahet në Ohër në të cilin marrin pjesë presidentët e Maqedonisë, Kroacisë, Bullgarisë, Bosnjë-Hercegovinës e Malit të Zi. “Konkurrentë dhe partnerë në rrugën drejt BE-së” është tema e Forumit Ekonomik. Temat e diskutimit përfshijnë çështje të impaktit të krizës financiare në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore, të infrastrukturës në rajon, të tregut të energjisë, por sidomos të shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit ekonomik e tregtar në këtë rajon. Në fjalën e tij, Presidenti Topi do të përqendrohet në bashkëpunimin e ndërsjellë me vëmendje të veçantë në opinionin e vendit tonë në këndvështrimin e përpjekjeve që duhet të bëjnë bashkërisht të gjitha vendet e rajonit për të përballuar ndikimin e krizës globale financiare, të energjisë dhe rrezikut të rënies ekonomike. Presidenti Topi do t’i kushtojë vëmendje në fjalën e tij aktualitetit politik dhe zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës dhe përfshirjes së saj në nismat rajonale dhe në proceset e përbashkëta integruese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›