Berisha: Në përputhje me përcaktimet kushtetuese, të gatshëm për çdo kompromis Kryeministri Berisha gjatë një konference për shtyp

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi dje se “ka një vendosmëri dhe vullnet të padiskutueshëm që në përputhje me Kushtetutën , ligjet dhe vendimet e gjykatave të këtij vendi , të cilat mundësojnë t’u jepet përgjigje dinjitoze çdo force politike dhe çdo qytetari të Shqipërisë, çdo gjë është e mundshme”. Deklarata e kreut të mazhorancës u bë pas përfundimit të konferencës rajonale mbi arsimin. I pyetur nëse do të gjendet gjuha e përbashkët brenda dy javëve, ai tha se “qeveria në përputhje me të gjithë përcaktimet kushtetuese ligjore të vendit është e gatshme për çdo kompromis, normal pa asnjë lloj hezitimi”. Ndërsa pyetje se cilat pikat janë ku mund të lëshojë mazhoranca, Berisha tha se “përveç Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, nuk lëshon në çdo pikë”. “Unë nuk di ndonjë pikë, ku unë nuk mund të lëshoj. Në të gjitha sipas këtyre përcaktimeve. Është normale”, vlerësoi Kryeministri. Ai tha se nuk ka vakum ligjor. Sipas tij, gjërat janë qartësisht të përcaktuara. Për të, është shumë e rëndësishme që cilido që dëshiron të përfitojë nga hapësirat e mëdha që krijojnë ligjet e vendit, Kushtetuta e vendit, vendime të tjera. “Unë kam besim se kjo do të ndodhë. Unë vlerësoj çdo përpjekje të cilitdo që të përfitojë nga ato çka garantojnë ligjet. Ligji garanton plotësisht dhe tërësisht shqyrtimin nga secili prej jush, nga secila forcë politike të materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave në arkiv dhe çdo të drejtë tjetër , të cilën ligji i njeh gjithkujt, unë kam provuar tu respektoj liritë dhe të drejtat e çdo njeriu. I respektoj ato me vendosmërinë më të madhe”, u shpreh kreu i ekzekutivit.