E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në shtator nis aksioni, s’do tolerohet asnjë ndërtim abuziv

17-08-2012 / Gazeta 55

Qeveria, dekret për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet

Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje autoriteteve lokale që të ngrihen në lartësinë e duhur, sepse kanë shumë punë për të bërë në forcimin e disiplinës fiskale dhe mbrojtjen e brigjeve detare. Shefi i ekzekutivit ngriti shqetësimin e ndërtimeve pa leje në bregdet, të cilat sipas tij po rrënojnë brigjet e mrekullueshme të vijës detare.
Kryeministri u shpreh i vendosur për nisjen e aksioneve të prishjes së ndërtimeve pa leje, ndërsa u bëri thirrje ndërtuesve të babëzitur që t’i prishin vetë ato, pasi forca e ligjit s’do kursejë askënd.
“Unë jam këtu sot për tu dërguar një mesazh të gjithë atyre që marrin përsipër të rrënojnë brigjet e vendit, unë ju jap fjalën e nderit se 1 shtatori do të shënojë zbatimin më rigoroz të ligjit nga Ksamili deri në Velipojë. Të babëzitur që ndërtoni në rërë tregoni se morali juaj është inekzistent, në një kohë kur ke një sipërfaqe të pafundme ku mund të ndërtosh. Ato plazhe, nuk janë jetime dhe unë ju garantoj ju se ju që ndërtoni aty dhe ata që ju bëjnë ju sehir do të jenë përgjegjës. Shikon një zonë të tërë të ndërtuar dhe sheh që del çibani në rërë, si e si të rrënojë plazhin dhe hapësirën, sesi të pushtojë  një sipërfaqe që është tërësisht e publikut. Thirrja imë është kjo: Prishini vetë në mënyrë që të përdorni edhe materiale që keni aty sepse ato do të kenë vetëm një fat, ligjin dhe vetëm ligjin. Dhe unë do ti qëndroj fjalës time. Sidomos në bregun Jon, por edhe në atë Adriatik. Perlat janë perla, po shkove dhe i vure  një njollë të zezë aty, i bën njerëzit të kthejnë kokën, ndaj edhe njëherë mos shpenzoni para, të nderuar zotërinj, të babëzitur deri në palcë, sepse me qetësimin e sezonit, me rënien e fluksit turistik, e gjithë forca e ligjit do të veprojë mbi ndërtimet tuaja, dëshmi e një babëzie të shpërfytyruar, prishini vetë se do të paguani edhe për prishjen e tyre”, u shpreh Berisha.
Një dekret i veçantë do të përgatitet nga Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Drejtësisë për të qëndruar me të gjithë forcën e ligjit ndaj atyre pak njerëzve që duan tu shkatërrojnë shqiptarëve një pasuri përrallore që e kanë nga Zoti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›