E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Nënë Tereza, figura që bashkon shumë kombe”



Në Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, kryeministri Berisha, së bashku me bashkëshorten, vizitoi misionin e motrave të Urdhrit të Nënë Terezës në Tiranë, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar dhe të mbarë njerëzimit, por edhe të vazhdimit të përpjekjeve dhe të përkushtimit njerëzor të Urdhrit të saj në ndihmë të njerëzve në nevojë. Në këtë mision strehohen 50 persona në nevojë apo me aftësi të kufizuara, të moshuara, gra dhe fëmijë. Gjithashtu, misioni u vjen në ndihmë edhe 100 familjeve shqiptare në nevojë.
Kryeministri Berisha, pasi u përshëndet me banorët e kësaj strehe, vizitoi ambientet e saj, u interesua për problemet dhe nevojat e tyre. Kryeministri, duke u shprehur motrave të Urdhrit të Nënë Terezës mirënjohjen për dashurinë me të cilën ato kujdesen dhe lehtësojnë dhimbjen e njerëzve në nevojë, i garantoi për mbështetjen e qeverisë në përmbushjen e misionit të tyre human. Në ndihmë të punës së tyre, këtij misioni iu dhuruan ndihma ushqimore dhe në veshmbathje nga kryeministri dhe nga fondacioni “Fëmijët shqiptare”. Kryeministri Berisha tha se qeveria është e vendosur në luftën e saj kundër varfërisë dhe në këtë qëllim do të vendosë një bashkëpunim jo vetëm me Urdhrin e Nënë Terezës, por edhe me organizata të tjera, në mënyrë që në Shqipëri të mos ketë familje që jeton në mjerim. Në përfundim të vizitës, i pyetur në lidhje me angazhimin për të sjellë eshtrat e Nënë Terezës në Shqipëri, kryeministri Berisha u shpreh: “Gonxhe Bojaxhi u bë Nënë Tereza në Kalkuta të Indisë dhe ajo meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet Nënë Tereza e Kalkutës. Nga ky qytet dhe nga ky vend i madh ajo u shndërrua në një shenjtore të gjallë të mbarë njerëzimit dhe nuk ka diskutim që i përket Indisë, i përket Kalkutës, që e bën atë Nënë të njerëzimit. Kërkesa ime është thjesht njerëzore, sepse kam bindjen se, në fund të fundit, çdo njeri, çdo vajzë do të dëshironte, po ta kishte të mundur, të prehej pranë eshtrave të nënës dhe motrës së saj. Nuk mund të them se do të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane, sepse ky është një vendim i vështirë, por ajo që mund të them është se kjo është një temë dialogu dhe dua të theksoj se një simbol kaq i madh dhe i çmuar që bashkon dy kombet tona nuk mund të jetë gjë tjetër veçse i tillë, nuk mund të shndërrohet në një kundërshti midis dy kombeve dhe dy vendeve tona”.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›