E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Ndoka: Në Shkodër i është grabitur mandat PS-së dhe PDK-së



Një nga shkaqet e bashkëpunimit aktual midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokristiane ka lidhje me rezultatin e kontestuar nga këto dy parti në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Si PS-ja, ashtu edhe PDK-ja, ndajnë qëndrimin e përbashkët se këtyre dy forcave politike iu grabit padrejtësisht një mandat deputeti në zgjedhjet e 28 qershorit në qarkun e Shkodrës. Një qëndrim i tillë është ndarë në takimin e parë që Rama zhvilloi me kreun e PDK-së, Nard Ndoka, në muajin shtator. “Partia Socialiste dhe Partia Demokristiane kanë dalë më të dëmtuarat nga manipulimet e ndodhura në qarkun e Shkodrës. Në këtë qark PS-së dhe PDK-së u është grabitur padrejtësisht nga një mandat deputeti”, - do të deklaronte pas atij takimi kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.

PS: Protestë të madhe më 20 nëntor për hapjen e kutive

Partia Socialiste ka nisur serialin e protestave të saj së bashku me partitë e tjera, të djathta e të majta opozitare, për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Socialistët protestuan për herë të parë në sheshin përpara Kryeministrisë, për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Më pas protesta e dytë u zhvillua të premten e kaluar në qytetin e Beratit, ndërkohë që pas kësaj proteste ata paralajmëruan zhvillimin e një proteste të madhe në datën 20 nëntor, në Tiranë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të bëhen barrikadë njerëzore në këtë protestë, për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. “Çdo shqiptar ka të drejtë për t’u bërë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të korrupsionit dhe mashtrimit elektoral. Më 20 nëntor duhet të bëhemi të gjithë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të manipulimit dhe korrupsionit elektoral. Më 20 nëntor, në Tiranë, për të parë forcën tonë, për të hapur kutitë e votave tona”, - ka deklaruar Rama gjatë protestës të zhvilluar ditën e premte në Berat.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›