E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama sabotoi PS në 2005

Edi Rama sabotoi fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2005. 

Aristir Lumezi

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në Komitetin Drejtues Kombëtar i është përgjigjur të gjitha akuzave që selia rozë përmes zëdhënëses së saj ka adresuar ndaj partisë që ai drejton. "Nëse LSI-ja i themi sot zotit Rama, u soll në mënyrë të hapur edhe të ndershme, dhe luftoi për të marrë votat e saj, ti u solle në mënyrë më të pandershme me Partinë Socialiste, sepse jo vetëm tinëzisht nxite shumë grupime, gjoja të pavarura, por që po dalin që janë të varura kokë e këmbë nga Bashkia e Tiranës sot, kundër qeverisë "Nano", jo për të luftuar korrupsionin e asaj qeverie, por thjesht për të sjellë humbjen e asaj partie, largimin e atij kryetari dhe për të kapur më pas Partinë Socialiste, ashtu sikurse ndodhi", u shpreh Meta. Duke sjellë në kujtesë fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të 2005, Meta i kujtoi Ramës se ai nuk mbështeti kandidatët socialistë në ato zgjedhje. "Edi Rama, që ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe që ishte edhe kandidat për kryetar të PS-së në 2003-shin, në 2005-ën të gjithë socialistët e dinë mirë, se doli edhe hapur kundër Partisë Socialiste, doli në Pezë, doli në Rrogozhinë, doli edhe në shumë zona të tjera, për të bërë thirrje që të mos votohej për kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, që ishte zoti Agron Dibra, por të votohej për një kandidat të një partie tjetër, që ishte miku i tij, Dash Peza, i cili sot figuron në Asamblenë e Partisë Socialiste", tha Meta. Kreu i LSI-së e cilësoi bashkëpunimin e tanishëm të Edi Ramës me Sali Berishën në dëm të së majtës kundër partive të vogla. "Për interesat e veta, lidershipi i Partisë Socialiste, për fat të keq preferoi të bëhej partner me Berishën, për të përfituar padrejtësisht nga sistemi zgjedhor, duke shitur principet dhe moralin, por njëkohësisht edhe duke prishur marrëveshjen e 5 partive opozitare, të nënshkruar në pranverën e vitit 2006, e cila si çështje të parë kishte pikërisht bashkëpunimin e opozitës për reformën zgjedhore", vijoi Meta. Kreu i LSI-së ripërsëriti vendimin e forumeve të kësaj partie për të dalë në një koalicion pa PS në zgjedhjet e ardhshme për të mos u bërë pjesë e lojërave të lidershipit të PS-së. "Me një pafytyrësi bajate dhe në mënyrë qesharake, kryetari i Partisë Socialiste, duke u përpjekur të fshihet pas fustanit të Mimit, përdor të njëjtën retorikë armiqësore ndaj LSI-së, si në 2005-ën, vetëm e vetëm se LSI ka deklaruar se, përderisa një forcë politike, si PS prish marrëveshjen, prish koalicionin, LSI do të konkurrojë jo vetëm përballë Sali Berishës, në radhë të parë, por edhe kujtdo tjetër përmes një koalicioni të ri, sikurse është "E majta për Integrim", u shpreh Meta. Sipas tij, "PS nervozohet, sepse LSI nuk pranon të bëhet pjesë e makinacioneve të tyre, për reformën zgjedhore, për sistemin zgjedhor dhe tashmë edhe për koalicionin e përbërë, një shpikje që vetëm Berisha me Ramën mund ta prodhonin dhe natyrisht, që ne nuk mund të bëheshim pjesë dhe nuk mund të legjitimojmë sisteme të tilla të deformuara, apo aq më tepër të mashtrojmë shqiptarët dhe elektoratin tonë, duke u bërë pjesë e një koalicioni hilacak dhe një koalicioni bishtash, që bëhet vetëm për të bërë pazare mbi presje dhjetore".

Haxhiymeri: Ilirit t’i vijë zor që merret me fustanet e grave

Partia Socialiste ka reaguar në mënyrë të menjëhershme ndaj deklaratave të Ilir Metës në Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së. Përmes sekretares për Çështjet Sociale dhe Barazisë Gjinore, Edlira Haxhiymeri, socialistët i kërkuan Ilir Metës që të mos merret me fustanet e grave. "Zbritja e Ilir Metës deri tek fustanet e grave, tregon se sa poshtë ka rënë mikun ynë i vjetër dhe sa e vjetër është kjo politikë e ulët sulmesh personale. Uroj që sot Ilirit t'i vijë pak zor nga të marrit edhe me fustanet e grave", tha Haxhiymeri. Selia rozë i është përgjigjur ditët e fundit LSI-së përmes zëdhënëses së kryesisë socialiste, Mimi Kodheli. "U bënë muaj që ndërkohë që ne vazhdojmë të punojmë për një bashkim të ri të të gjithë shqiptarëve për t'u ndarë nga politika e vjetër e 17 vjetëve konflikte e dështime, Ilir Meta i është rikthyer politikës së vjetër të sherreve e të dasive duke sulmuar sistematikisht Partinë Socialiste dhe Bashkinë e Tiranës me shpifje e fyerje të padenja për koment. Ne urojmë që rruga e vjetër e vitit 2005 të mos jete rruga që Ilir Meta ka zgjedhur për vitin 2009, sepse atë rrugë e uron vetëm Sali Berisha për të cilin Ilir Meta i sotëm ngjan e vetmja kamerdare shpëtimi. Por edhe sepse në atë rrugë Ilir Meta kësaj radhe do të humbasë bashkë me Sali Berishën", është shprehur Kodheli në reagimin e saj të fundit.

LSI 4 vjet në politikë, dje festa

Më 6 shtator 2004, u krijua Lëvizja Socialiste për Integrim. Pas përplasjeve të vazhdueshme dhe mungesës së hapësirave përfaqësuese, një grup socialistësh por dhe shumë të pakënaqur nga qeverisja socialiste e asaj kohe, krijuan LSI-në. Dje gjatë fjalës së tij, kryetari i saj, Ilir Meta, i uroi anëtarët e KDK-së për katërvjetorin e themelimit të kësaj force politike. "Gëzuar 6 shtatorin, ditën e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ditë e rëndësishme dhe historike, për t'i dhënë fund asaj krize të thellë që ka pasur sistemi ynë nga një përpjekje antidemokratike, për dominim artificial të dy partive të vjetra, mbi aspiratat, shpresat dhe vullnetet e shqiptarëve për demokraci dhe për t'i investuar energjitë e tyre, për zhvillimin e vendit dhe për rritjen e mirëqenies së tyre", u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›