E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në PD, Mustafajt i duhet patjetër OK i kryesisë

Megjithë energjitë dhe vendosmërinë, të shprehura dy ditë më parë nga Besnik Mustafaj në garën për PD-në e Tiranës, duket se jo gjithçka është në dorë të tij. 

ADI SHKEMBI

Sipas statutit të Partisë Demokratike, të miratuar në kongresin e vitit 2005, pavarësisht faktit se kush propozohet si kandidat për një nga degët e Partisë Demokratike, do të jetë kryesia qendrore në Tiranë ajo që do të vendosë përfundimisht se mes cilëve kandidatë do të votohet. Në nenin 27 të statutit të forcës më të madhe politike në vend, në kapitullin "Kryetari" thuhet se, është pikërisht kryesia qendrore ajo që formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Më konkretisht sipas këtij neni, "Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat". Pra, zyrtarisht edhe kandidatura e Besnik Mustafajt, deputet në disa legjislatura në zonat e kryeqytetit dhe ish-ministër i Jashtëm, do të jetë pikërisht forumi kryesor i demokratëve ai i cili do të japë OK përfundimtar edhe për të. Në pjesën tjetër të nenit 27 të statutit përcaktohen edhe disa nga kompetencat e kreut të degës së partisë. "Kryetari i degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen lirë të çdo anëtari të kryesisë", thuhet më tej në këtë nen. Dy ditë më parë gjatë një edicioni lajmesh, ish-kandidati i demokratëve në vitin 2000 për Bashkinë e Tiranës sfidoi publikisht kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, kur deklaroi se ka vendosur personalisht të kandidojë për degën më të madhe në kryeqytet. "Unë do të jem shumë i involvuar në këtë fushatë. Kam vendosur që të jem kandidat për drejtimin e Partisë Demokratike në Tiranë. Partia Demokratike në Tiranë është motori de fakto i krejt PD-së, jo vetëm se është kryeqendra, por edhe sepse në Tiranë janë të përqendruar forcat më të mëdha intelektuale të vendit, aderuese në Partinë Demokratike. Tirana është faktikisht vendi ku nuk janë më vetëm qytetarët e Tiranës apo ata të ardhur deri në vitin '90", deklaroi Mustafaj.

Neni 27

Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Kryetari i degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen lirë të çdo anëtari të kryesisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›