Tropojë, humbjet e energjisë shkojnë në 70 për qind
TROPOJË - Likuidimi i energjisë elektrike në Tropojë aktualisht ka pësuar një rritje prej 5 për qind, falë punës së agjencisë lokale. Mirëpo humbjet janë problematike e variojnë nga 60 - 70 për qind.
Kryesisht këto humbje janë në rrjet, mbasi shtyllat janë tejet të amortizuara dhe nuk është vënë dorë në to prej vitesh, thotë për "Shekullin" Sose Çallpani, shefe e agjencisë elektrike. Linjat kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme.
Disa prej tyre, si Geghysen-Lekbibaj apo ato të zonës së Tropojës janë të dëmtuara pasi ka shtylla druri që në kohën e elektrifikimit, duke mos vënë dorë në ndërrimin apo riparimin e tyre. Duke u ndodhur përballë këtyre fakteve, para disa vitesh në agjencinë elektrike Tropojë u investua në linjat Fierzë-Lekbibaj, Bajram-Curri - Dragobi, Pac-Kam, etj. dhe me fondet e buxhetit të shtetit në vitet 2003-2005 u shpenzuan mbi 20 milionë lekë, ndërkohë që vetëm një linjë funksionon, ajo Bajram Curri-Dragobi, kurse linjat e ndërtuara Fierzë-Lekbibaj dhe Pac, nuk funksionojnë ndonëse kanë përfunduar prej vitesh dhe janë marrë në dorëzim.
Bajram Gjongecaj, specialist i agjencisë, thotë se për linjën e tensionit të lartë Fierzë-Lekbibaj fshatarët nuk pranojnë që të bëjnë lidhjen, pasi tensioni i lartë është afër banesave të tyre. Kjo linjë ka kushtuar mbi 8 milionë lekë, e linja që furnizohet zona Lekbibaj nga qafa e Kolçit rrit mbi 20 për qind humbjet në rrjet.
Është biseduar disa herë me drejtuesit e komunës Fierzë për këtë linjë e cila është në juridikson të saj, por deri tani ky problem nuk ka gjetur zgjidhje. Ndërsa për linjën e Pacit, përgjegjësi i zonës, Isa Tutaj, sqaron se edhe kjo linjë nuk ka funksionuar kurrë, pasi nuk përballon ngarkesën e energjisë elektrike. Kështu, pavarësisht investimeve, problemet me energjinë vijojnë.
-------------------------
Vendimi, miratohen 1615 mastera të nivelit të dytë
Këshilli i Ministrave vendosi dje mbi kuotat e pranimit në programet e studimeve "Master i nivelit të dytë" (MND) për vitin akademik 2009-2010. Numri i kuotave është 1 615, nga të cilat 10% në kuotën e çdo programi studimi janë për studentët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe 50 kuota për studentët e huaj. Ndërsa përsa i takon tarifës së shkollimit, për studentët e regjistruar në MND, në vitin akademik 2009-2010, është 100 000 (njëqind mijë) lekë.
Këto kuota për MND do të jenë për Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja si Doktoratë në "Shkenca gjuhësore" me 25 kuota dhe Doktoratë në "Letërsi botërore" me 40 kuota, si edhe disa degë të Fakultetit të Shkencave Natyrore si Doktoratë në "Fizikë", "Analiza kimike e lëndës dhe mjedisit","Elektrokimi e zbatuar dhe dukuritë sipërfaqësore" etj.
Gjithashtu, bëhet e ditur se u hapën mastera të nivelit të dytë edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, të programeve të studimeve të ciklit të tretë në "Kimi", me profil "Elektrokimia e korrozionit dhe dukuritë sipërfaqësore", në përfundim të të cilit lëshohet diplomë "Master i nivelit të dytë", MND në kimi me drejtim "Elektrokimia e korrozionit dhe dukuritë sipërfaqësore" dhe "Kimi industriale e mjedisore", në përfundim të të cilit lëshohet diplomë "Master i nivelit të dytë", MND, në kimi industriale e mjedisore.