Berisha: Nuk diskutoj gjykatat
ADI SHKEMBI
Një ditë para takimit me Presidentin Topi, Kryeministri Sali Berisha është i vendosur në qëndrimin për të mos hapur kutitë e votimit. Në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i maxhorancës i bëri sërish thirrje Partisë Socialiste të paraqesë listën e amendamenteve për t’i votuar në seancën më të afërt parlamentare. Duke folur për takimin e së shtunës me kreun e shtetit dhe kryetarin e opozitës, Berisha tha se “tryeza përfundoi duke i kërkuar Presidentit të vazhdojë më tej të eksplorojë mundësitë e konvergjencave midis palëve. Unë dua t’ju them juve dhe mbarë shqiptarëve se shpreha vullnetin tim të ndershëm dhe të sinqertë që të ulem me opozitën dhe të trajtoj një për një të gjithë listën e problemeve që opozita ka me Qeverinë, për Qeverinë apo për Partinë Demokratike, në frymën më të hapur dhe më konstruktive”. Ai shprehu sërish gatishmërinë e maxhorancës për të ngritur sa më parë një komision hetimor me vërejtjet që ka opozita dhe drejtimin e tij ta marrë pikërisht kjo e fundit. “Sikundër propozova se opozita, duke shprehur se jemi totalisht dakord me rezolutën e Këshillit të Evropës, të marrë dhe të hartojë amendamentin për të gjitha rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili është edhe raporti bazë, sepse nëse rezoluta ka 3-4 rekomandime, ndërsa ai ka 13 rekomandime. Opozita t’i marrë, t’i konvertojë në amendamente dhe t’i instalojë në Kodin Zgjedhor. E garantova se ne jemi gati që të enjten që vjen të ngremë Komisionin Parlamentar dhe opozita të ketë shumicën në këtë komision për të hetuar të gjitha problemet që do të listojnë”, u shpreh më tej Kryeministri.
Vendimet e gjykatave
Por teksa u shpreh i hapur për të punuar me opozitën për të gjitha vërejtjet që ka ajo ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit, kryeministri tha sërish se ai nuk do të diskutojë asnjëherë për vendimet e gjykatave. Kreu i Qeverisë u shpreh se vendimet e Kolegjit Zgjedhor, nuk janë çështje që mund të diskutohen mes PD-së dhe PS-së, por vetëm mes kësaj të fundit dhe gjykatave. “Unë nuk i kam kërkuar asnjëherë, askujt, të trajtojë problemet tona me gjykatën. Ju e keni dëgjuar opozitën të citojë 17 vendime kundër Qeverisë dhe ne si kemi kërkuar asnjëherë opozitës të bëjmë diçka kundër këtyre vendimeve, sepse ato janë vendime të gjykatave, nuk ka përgjegjësi opozita. Opozita edhe kur na ka paditur ne nuk mban përgjegjësi. Nuk mundem, në asnjë mënyre, që problemet që opozita ka me gjykatën t’i bëjë probleme midis qeverisë dhe opozitës”, u shpreh kreu i Qeverisë. Teksa njohu deputetët demokratë me zhvillimet në tryezën e Presidentit, ai theksoi se shumica parlamentare duhet të kishte një mandat më shumë, atë të qarkut të Fierit, por kërkesa e saj u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor. “çdo shqiptar e di dhe duhet ta dijë se mandati i Fierit iu mor kësaj mazhorance duke zhvlerësuar 512 vota të komunës së Ruzhdies. Gjykata i zhvlerësoi se ato ishin me një vulë dhe vulën tjetër e kish marrë komisionari socialist, i cili u zhduk gjithë ditën. Ne dhe zoti Rama kishim shkruajtur në ligj se fleta e votimit për të qenë e vlefshme duhet të mbajë vula dhe jo vulën. Edhe gjykatësit thanë se ne do të zbatojmë gërmën dhe jo frymën. Kjo është puna e tyre, por ama as kam thënë dhe as do të them ndonjëherë se mandatin ma grabiti Partia Socialiste. Jo, mandatin ne na e mori gjykata”, theksoi Berisha. Për të argumentuar faktin se PD-ja nuk ka kërkuar ndryshimin e vendimit të gjykatave, kreu i maxhorancës, iu rikthye vitit 2001, kur Gjykata Kushtetuese i dha PS-së 10 mandate që, sipas tij, i takonin selisë blu. “Ne atëherë kemi pasur 10 mandate. Po ju jap rastin kur filloi shqyrtimi i zonës së zonjës Arta Dade nga Fehmi Abdiu. U hap kutia e parë, ndërkohë ishin për t’u hapur të tëra, dhe ajo kuti nxori fituese zonjën Dade. Gjykatësi që po zbatonte, e kuptoni vetë se çfarë, tha s’ka nevojë për më tutje, sepse kutia tjetër e përmbyste rezultatin. Ne për këtë rezultat nuk thamë se është çështje e Partisë Socialiste. Ne këtë rezultat ia quajtëm gjykatës”, u shpreh më tej kreu i demokratëve.