E Shtunë, 31 Tetor 2026

Normat e interesit, qytetarët blenë 10% të borxhit të qeverisë



Normat e larta të interesit kanë bërë që qytetarët të blejnë 10 për qind të borxhit të Qeverisë. Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2009, individët blenë 10.74 për qind të bonove të emetuara nga Qeveria. Bëhet fjalë për paratë që buxheti merr, në formën e borxhit të brendshëm, gjatë një viti për të financuar deficitin. Duke qenë se gjatë vitit 2009, kriza ekonomike solli një ulje të të ardhurave dhe Qeveria shpenzoi më shumë para për të investuar gjatë fushatës elektorale, kërkesa e lartë për borxh dhe situata jo fort e mirë e likuiditetit në banka, sollën rritjen e normave të interesit. Bonot e thesarit njihen në ekonomi si investimet më të sigurta, pasi shteti nuk mund të falimentojë. Në këto kushte, individët, të nxitur nga interesat deri në 9.4 për qind, blenë më shumë se 10.7 për qind të bonove të thesarit. Sipas statistikave të financave, stoku i borxhit të brendshëm u rrit nga 400 miliardë, në 415 miliardë lekë në fund të viti 2009. Pra u rrit me rreth 15 miliardë lekë të reja, ose rreth 150 milionë USD. Rreth 10 për qind të kësaj shifre, ose 15 milionë USD janë blerë nga individët. Nga ana tjetër, Ministria e Financave në raportin e saj tregon se totali i borxhit gjatë 2009 arriti në 681,849 miliardë lekë, ose rreth 681 miliardë USD. Nga kjo shumë, 266 miliardë USD janë borxh i jashtëm, ku përfshihet edhe kredia sindikale që u mor gjatë vitit që shkoi. “Raporti i stokut të borxhit me PBB ka pësuar rritje si rezultat i rritjes së huamarrjes për plotësimin e nevojave të buxhetit (për shpenzime kapitale). Veçanërisht rritje ka pësuar stoku i borxhit të jashtëm, si rezultat i kredisë tregtare të marrë gjatë vitit 2009. Përveç këtyre faktorëve, në stokun e borxhit të jashtëm në fund të vitit 2009 ndikon edhe zhvlerësimi i lekut kundrejt Euro-s në masën 11.43% kundrejt fundit të vitit 2008”, theksohet në raportin e financave. Sipas Financave, borxhi i jashtëm ka pësuar rritje jo vetëm si rezultat i shtesës së kredisë sindikale prej 192.6 milion EURO, por edhe si rezultat i ecurisë pozitive të disbursimeve për projektet me financim të huaj. Por duket se rritja ekonomike e Shqipërisë ka ndikuar edhe në interesat e borxhit. “Tashmë Shqipëria kualifikohet si një vend me të ardhura mesatare, çka ka sjellë si pasojë edhe uljen e nivelit të koncesionalitetit të kredive të huaja. Si rezultat kanë ndryshuar kushtet e marrëveshjeve të kredive dhe të tregut të huamarrjes së jashtme në përgjithësi. Në fund të vitit 2009, borxhi me terma koncesionale përfaqëson 53.3% te stokut të borxhit të jashtëm, kundrejt 79.1% që përfaqësonte në fund të vitit 2006”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›