E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë, individët do të kërkojnë më shumë para, por bankat janë skeptike



Individët do të vazhdojnë të vuajnë mungesën e kredisë edhe gjatë këtij viti. Në sondazhin që Banka e Shqipërisë bën me bankat e nivelit të dytë, janë pikërisht qytetarët ato që parashikohen me skepticizëm nga bankat për kredi. “Për tremujorin e parë të vitit 2010, bankat parashikojnë një lehtësim të vogël të standardeve të kredidhënies për individët, krahasuar me ato të aplikuara në tremujorin e katërt të vitit 2009. Ky lehtësim do të jetë më i madh për kreditë për blerje banese sesa për kreditë konsumatore. Ndërkohë, ekspertët e bankave presin një rritje të kërkesës për kredi gjatë tremujorit të parë të vitit 2010”, theksohet në raportin e Bankës së Shqipërisë. E thënë ndryshe, bankat parashikojnë një shtim të kërkesës për kredi, por nuk do ta plotësojnë këtë kërkesë, duke përdorur sërish kushte të vështira për individët. Por situata duket më ndryshe në parashikimin e bankave për kredinë ndaj bizneseve. “Për tremujorin e parë të vitit 2010, ekspertët e bankave presin një lehtësim të standardeve të kredisë. Balanca neto e pritjeve është +15.2 për qind. Lehtësimi i standardeve të kredisë, akorduar bizneseve pritet si në kredinë dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ashtu edhe në atë akorduar korporatave (balanca neto përkatësisht 20.0 për qind dhe 12.2 për qind)”. Sidoqoftë, sistemi bankar po përfshihet nga një situatë jo e qartë. Rritja e kushteve të sigurisë nga bankat, ka bërë që edhe kërkesa e bizneseve për kredi të jetë më e ulët. Kjo situatë ka sjellë edhe uljen e kërkesës në treg, dhe si rrjedhim ngadalësimin ekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›