“Berluskoni pa tre gazetare plot sharm nga Shqipëria”
Kryeministri Berisha mbrojti dje publikisht homologun e tij, Silvio Berluskoni, për batutën që ky i fundit bëri për femrat shqiptare. Të premten e kaluar, teksa kreu i Qeverisë shqiptare po fliste për bllokimin e klandestinëve, Berluskoni tha se “ne do të pranojmë vetëm vajza të bukura nga Shqipëria”. Por duke folur në mbledhjen e djeshme të grupit të PD-së, Berisha tha se “tek po informoja për moratoriumin e skafeve, përballë nesh ishin tre gazetare shqiptare, të themi të vërtetën ishin të pashme, të cilave Kryeministri Berluskoni u bëri një kompliment që padrejtësisht ka ngjallur një keqkuptim. Në rast se Silvio Berluskoni bëri kompliment në drejtim të tyre, aty në tërësi audienca ishte mashkullore, nuk mund të them se këto të tria nuk binin në sy, aq sa unë i ftova të tria që të bënin një foto bashkërisht”.