Vodafon u “hap dyert” të sapo diplomuarve
Të sapo diplomuarit me rezultate të shkëlqyera tashmë kanë një mundësi më shumë. Burime nga Vodafon Albania thanë se kompania ka njoftuar hapjen e një skeme të re të quajtur “Mundësitë e Vodafon Global për të Diplomuarit – Discover Vodafon (“Zbuloni Vodafon”)”. Sipas drejtores së Departamentit të Burimeve Njerëzore në Vodafon Albania, Alma Varfi, zhvillimi dhe nxitja e talenteve është një prioritet për Vodafon. “Zbuloni Vodafon” është një skemë e re globale e shtrirë në 21 vende, përfshirë dhe Shqipërinë. Përmes saj krijohet mundësia që të sapo diplomuarit më të mirë në të gjithë botën t’i bashkohen Vodafon. “Dëshirojmë të ftojmë të gjithë ata që sapo janë diplomuar dhe kanë arritur rezultate të shkëlqyera, të aplikojnë për programin “Zbuloni Vodafon” u shpreh Varfi. Më tej ajo siguroi se përmes programit “Zbuloni Vodafon” të sapo diplomuarit do të kenë një mundësi reale për të forcuar aftësitë e tyre përmes zhvillimit dhe zbatimit të risive për klientët. Përgjatë një periudhe 12 mujore, 5 të sapo diplomuarit më të mirë në Shqipëri do të mund të fitojnë përvojë në tre sektorë të ndryshëm, gjë që do t’u japë mundësinë të përfshihen dhe të afirmohen në fushën që do të përzgjedhin ata.