E Diel, 1 Nëntor 2026

Këmbëngulja e Ramës dhe rezistenca e Berishës

Gëzim Podgorica

Pas tryezës së parë të bisedimeve Rama, i cili i drejtoi ujërat deri në këtë pikë, ka arritur disa fitore jo pak të rëndësishme. Fillimisht është certifikuar deri tani si drejtues i gjithëpushtetshëm në Partinë Socialiste. Po të marrësh në konsideratë faktin se 8 muaj më parë ai ishte në një ceitnot shumë të vështirë dhe po bëhej gati për të ikur, as vetë nuk e ka parashikuar një forcim të tillë pozitash dhe protagonizmi politik. Krizën e tij personale të humbjes, ai gradualisht arriti ta menaxhojë pozitivisht për rimarrjen e pozitave në krye të partisë dhe ta transplatojë në të gjithë jetën politike, duke e kthyer tashmë në krizë që rëndom po quhet politike dhe në të cilën është përfshirë për zgjidhje edhe faktori ndërkombëtar. Me radikalizmin e qëndrimeve dhe një tezë që nuk ka alternativë, bëri të mundur që kriza të involvojë të gjitha institucionet e vendit, përfshi edhe Presidentin e Republikës dhe të ulë në tryezë palët për një problem, i cili juridikisht është i mbyllur, ndërsa politikisht i zgjidhur. Zgjedhjet kanë mbaruar 8 muaj më parë dhe institucionet kanë filluar punën. Në asnjë vend 8 muaj më pas nuk mund të flitet për histori të tilla, por ja që Rama me këmbënguljen e tij i mban në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe politik, bile edhe duke e kthyer në çështje dite. Këmbëngulja e tij e parë në këto plane ka dhënë rezultate për llogarinë e tij politike dhe personale, pavarësisht kostos dhe imazhit të vendit, pasojat e së cilës akoma nuk e dimë se ku do të ndalen.
Tani është radha e Berishës dhe Metës në rezistencën e tyre, pasi ata janë segmenti përcaktues për mbrojtjen e institucioneve dhe për t’i dhënë një herë e mirë fund tryezave të panevojshme, ku nuk mund dhe nuk duhet të negociohet për legalitetin. Meqenëse jemi përballë një krize që ka ngjyrim dhe tendencë fund e krye politike, ajo nuk ka përse të zgjidhet me mirëkuptime liderësh dhe lëshime reciproke. Në kërkesën që shtron Partia Socialiste dhe aleatët e saj, që për ironi asnjë nga ata që ulen në tryezë nuk janë deputetë, nuk ka interpretime juridike dhe kontestime ligjore, por ka kërkesë të mirëfilltë politike. Vërtet thuhet se nuk kërkohet pushteti në tavolinë, por në fakt në tavolinë kërkohet. Suksesi që arriti Rama për ta ndërkombëtarizuar kërkesën dhe për ta bërë objekt të një tryeze bisedimesh, është në fakt një kurth i demokracisë ku maxhoranca mund dhe duhet të qëndrojë me rezistencë të arsyeshme. Rezistencë jo në kuptimin e mbajtjes me çdo kusht të pushtetit, por për t’i dhënë legjitimitet institucioneve dhe legalitet votës. Një tryezë ku janë nga dy përfaqësues të dy subjekteve më të mëdha politike në vend, nuk mundet të zëvendësojë të gjitha institucionet e vendit, të zëvendësojë votën e legjitimuar dhe certifikimin e pranuar të saj, të zëvendësojë funksionimin normal të demokracisë në vend. Në një vend ku nuk ka konflikt midis institucioneve, ku nuk ka krizë midis segmenteve bashkëqeverisëse, ku nuk ka destabilitet të përgjithshëm, një tryezë si ajo e së shtunës nuk duhet të ketë asnjë fuqi politike. Një tryezë e tillë vetëm mund të orientojë disa opsione mirëkuptuese midis pozitës dhe opozitës, të cilat janë në një përplasje për të mbajtur, ose për të marrë pushtetin. Nëse Rama nuk e thotë se kërkon të marrë pushtetin, Berishës i takon të thotë që vendi ka nevojë për stabilitet, ka nevojë të demonstrojë se është një shoqëri e pjekur, ku fatet e vendit nuk vendosen në tryeza gladiatorësh politikë por në institucione, të thotë që ky pushtet është legjitim dhe duhet të vazhdojë të qeverisë, pasi ka përpara sfida shumë më të rëndësishme se plotësimi i egos personale të një drejtuesi humbës. Konflikti është i qartë, se është një konflikt midis populizmit nga njëra anë dhe ligjit dhe institucioneve nga ana tjetër. Konflikti megjithëse nuk thuhet dhe vishet me teza gjoja të sofistikuara është krejt i qartë: është konflikt midis atij që e ëndërroi pushtetin dhe e humbi, me atë që e ka fituar dhe i duhet ta mbrojë. është një konflikt i pastër politik.
Prandaj është shumë i rëndësishëm ky moment. Kjo rezistencë që i kërkohet sot Berishës dhe Metës është një kërkesë për t’i dhënë fund pazareve politikë, për t’i dhënë fund tryezave të tipit të së shtunës dhe për t’iu bindur ligjit dhe në Shqipëri të vendoset një standard shumë i domosdoshëm që askush nuk mund të dalë mbi institucionet. Vetëm sovrani ka të tilla të drejta dhe aspak liderët politikë, qofshin ata edhe më shumë se dy, siç kërkoi Gjinushi.
Shembulli negativ që jep tryeza e partive opozitare, ku drejtuesit e partive, të gjithë papërjashtim pa mandate deputeti vendosin se çfarë duhet të bëjnë 64 deputetë është në fakt kurthi i demokracisë që duan të ngrenë një grup që duket se kanë gjetur një kauzë, por që në fakt shkatërron disa kauza. Pikërisht këtu rezistenca institucionale merr legjitimitet demokratik dhe ajo është shumë më e përligjur të vazhdojë, përkundër përpjekjes që do të sillte jo vetëm precedent të pakëndshëm, por do të instalonte psikologjinë e pushtetit të pakufizuar të liderëve politikë dhe do t’i certifikonte ata si të tillë. është momenti final i betejës midis institucioneve dhe legjitimitetit të tyre dhe alkimisë së rrugës dhe presionit që bën ajo. Meqenëse ajo arriti një fitore: ta bëjë të pranueshme krizën, segmenti i maxhorancës nuk ka arsye ta certifikojë atë, por të tregojë derën e hapur të institucioneve dhe t’i kontribuojë pavarësisë së tyre. Nëse e realizon këtë të fundit, maxhoranca është në trendin e duhur, pasi tavolinat e pazarave kanë zgjidhur vërtet një situatë, por nuk e kanë zgjidhur problemin dhe krizën. Krizën e zgjidhin vetëm institucionet me legjitimitet dhe pavarësi. Kjo është sfida që ka përballë Berisha, së cilës më së shumti duhet të investohet për t’i kontribuar dhe jo krizave që kanë personazhe të veçantë politik. Ne kemi vuajtur shumë nga personalizimi i pushtetit. Pikërisht kjo kërkohet të identifikohet nga kjo tryezë, e cila absolutisht nuk duhet të zëvendësojë fuqinë e institucioneve dhe t’ia delegojë atë dy apo një grupi personazhesh. Në se Ramës i intereson tryeza, Berishës absolutisht që jo, pasi ajo do ta komprometonte atë, duke i dhënë e dëshmuar fuqi e kontroll mbi institucionet. Jemi përballë një prove se sa e fortë është demokracia për të rezistuar ndaj obsesisonit të disa personazheve politikë dhe teatrit politik të rrugës. Në se PS po dëshmon se i ka braktisur institucionet e veta vendimmarrëse, shteti nuk duhet të bjerë në këtë grackë. Momenti është vërtet delikat dhe në të janë përfshirë shumë aktorë, por legjitimiteti institucional është argument që ka nevojë të ridimensionohet e të fitojë vlerën e vet të vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›