E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nuk i hap kutitë, zgjedhjet nuk i pranon vetëm Rama

Kryeministri Sali Berisha përsëriti dje qëndrimin e prerë, kundër hapjes së kutive të votimit dhe rinumërimit të votave. Në një takim me përfaqësues të Parlamentit Rinor Europian dhe të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal te situata aktuale politike në vend dhe komentoi kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit.

Duke theksuar se zgjedhjet e 28 qershorit ishin procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, Kryeministri u shpreh "kjo u faktua njëzëri nga monitoruesit ndërkombëtarë që shkruan në raportet e tyre se nuk kishte asnjë provë për manipulim të rezultatit, apo numërim të parregullt".

"Zgjedhjet plotësuan standardet kryesore të OSBE-së, por kreu i PS-së nuk e pranon rezultatin. Ai po kërkon të hapë kutitë për rinumërim, në një kohë kur ka një vendim gjykate që ka vendosur se nuk mund të ketë rinumërim, pa kontestim. Këtë e thotë ligji që ka shkruar vetë", tha Kryeministri. Nga ana tjetër, duke u ndalur tek integrimi europian, kreu i qeverisë u shpreh se 96 për qind e popullit shqiptar përkrah integrimin, duke theksuar se "kjo përbën një forcë të jashtëzakonshme për qeverinë për të proceduar në rrugën e integrimit europian".

Këshillat

Në fjalimin që ka mbajtur përpara të rinjve të partive popullore europiane, Kryeministri shqiptar, i cili është në fakt një nga politikanët më veteranë në kontinent, u ka dhënë disa këshilla në lidhje me politikat që duhet të ndjekin europianet. Berisha e ka bërë të ditur se është një reganian i thekur, ndaj u ka bërë thirrje më të rinjve të studiojnë idetë konservatore të përfaqësuar nga ish-presidenti i SHBA. "Unë jam njeriu i taksave të ulëta. Idhulli im ka qenë Ronald Regan. Ai ishte një aktor, kurse unë mjek. Unë e admiroja dhe ju sugjeroj të lexoni librat dhe fjalimet e tij për ekonominë. Adoptova shumë prej tij. Në kohën kur u bëra President i Shqipërisë, industria e këtij vendi ishte e shkatërruar, sepse ishte e teknologjisë shumë të vjetër kineze dhe sovjetike. I shitëm të gjitha ndërmarrjet e mëdha sepse të përpiqesh të rikuperosh një industri të sëmurë është humbje kohe". Kryeministri e ka hedhur paksa tej modestinë, duke u thënë politikanëve të rinj të së djathtës se "ekonomia shqiptare është e vetmja në Europë, që pati një rritje të eksporteve këtë muaj, në krahasim me vitin e kaluar. Kjo është e vetmja ekonomi që shënoi një rritje në kreditim prej 16%, në krahasim me vitin e kaluar. Ne patëm një ulje të të ardhurave, por kryesisht për shkak të çmimeve në botë të vajit, grurit dhe disa produkteve të tjera. Ne ecëm mirë, jo sepse ishim një ekonomi e centralizuar, jo, ne jemi ekonomia më private, ne ecëm mire, jo sepse jemi të izoluar, jo, ne jemi një ekonomi e madhe importuese - unë mendoj se ne ecëm mirë për dy arsye: ne jemi shumë seriozë në politikat tona, taksa të ulëta dhe investime të mëdha, ne jemi investues të mëdhenj dhe kemi barrën fiskale më të ulët".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›