E Diel, 1 Nëntor 2026

Buttiglione: PS e PD të shkojnë drejt dialogut

Zv/presidenti i Parlamentit italian, Rocco Buttiglione, një nga figurat e njohura të demokristianëve europianë, ka lëshuar një mesazh të rëndësishëm politik ndaj mazhorancës dhe opozitës, në mënyrë që ato të lëshojnë pak nga pozicionet e tyre për të ardhur te dialogu. Duke folur pas takimit me kreun e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, numri dy i Dhomës së Deputetëve të Italisë, ka deklaruar se "unë mendoj se është koha që opozita dhe qeveria të tregohen bujare për të ecur normalisht në proceset demokratike të vendit". E thënë kjo nga pozicioni i një politikani qartësisht të qendrës së djathtë, tregon për një qëndrim që po qarkullon gjithnjë e më shumë edhe në radhët e kristiandemokratëve europiane në lidhje me zgjidhjen politike të krizës shqiptare. Buttiglione, i cili në vendin e tij, përveçse si politikan, njihet si një filozof i shquar (ka punuar për një kohë të gjatë si këshilltar i Papa Gjon Pali II), ka lëshuar një mesazh të tërthortë por që ka pasur brenda një qëndrim të qartë politik për dialog mes demokratëve dhe socialistëve. Gjithsesi, drejtuesi i Unionit Kristiandemokrat Italian, ka mbështetur pozicionin e aleatëve të tij shqiptarë - Partisë Demokratike, në lidhje me zgjedhjet parlamentare të qershorit dhe jo atë të opozitës socialiste. Zv/presidenti i Parlamentit të Italisë deklaroi dje se "dua të them se zgjedhjet në Shqipëri ishin të monitoruara nga shumë organizma ndërkombëtare dhe vlerësimi unanim i Parlamenti Europian dhe organizmave të tjera që ndoqën këtë çështje ishte se zgjedhjet ishin të rregullta". Buttiglione ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku përveç çështjes së zgjedhjeve është folur edhe për integrimin dhe liberalizimin e vizave. Kryeparlamentarja Topalli ka bërë të ditur se pak ditë më pas do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Romë, e ftuar nga kreu i Dhomës së Deputetëve, Cianfranco Fini. Zonja Topalli ka përgëzuar mikun italian kur tha se "Presidenti Buttiglione është një avokat i Shqipërisë ndër vite dhe ne biseduam për liberalizimin e vizave. E falënderova për mbështetjen e Italisë në vendimin e marrë më 16 nëntor, kur 27 qeveri europiane i thanë po Shqipërisë në kërkesën e saj në

rrugën e integrimit dhe gjeta mbështetje nga presidenti Buttiglione në mënyrë të veçantë për atë që e kemi më të rëndësishme, në qëllimin tonë më të veçantë; në heqjen e vizave në vitin e ardhshëm, mbështetje që na është dhënë edhe nga qeveria italiane dhe ministri i Jashtëm gjatë gjithë kësaj

periudhe. Zv/presidenti i Parlamentit italian tha para gazetarëve se "Shqipëria është një vend europian. Dhe kam kënaqësi kur shoh rrugën e madhe që Shqipëria ka bërë drejt Europës, një rrugë në dimensionin ekonomik, dimensionin civil, dimensionin politik në stabilitetin e një demokracie të fortë. Jam i bindur se Shqipëria do të marrë atë që kërkon për sa i përket hyrjes në ‘Shengen‘ si dhe në njohjen e statusit të vendit kandidat". Buttiglione, i cili ka qenë edhe komisioner i BE-së për drejtësinë, ka vizituar Shqipërinë me rastin e takimit të Partive Popullore Europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›