Malaj lë grevën, arrin në 37 numri i pacientëve grevistë
Në ditën e 15-të, edhe pse moti ka qenë i freskët, ndryshe nga ditët e kaluara, ku dielli përvëlonte mbi çadrat e grevistëve, gjendja shëndetësore e tyre ka ardhur duke u rënduar. Numri i grevistëve që kanë lënë grevën për arsye shëndetësore ka arritur në 37, ku vetëm dje e kanë lënë grevën dy grevistë. Shumica e grevistëve vazhdojnë të trajtohen me serume, ndërkohë që mjekët këshillojnë që një pjesë e tyre ta ndërpresin grevën për shkak të përkeqësimit të shëndetit.
Rastet
Deputeti Arben Malaj dje është detyruar ta lërë grevën për arsye shëndetësore. Mjekët e këshilluan deputetin e PS-së të ndërpresë grevën pas problemeve shëndetësore që lidhen me aparatin tretës. Në orët e vona të pasdites Malaj është shoqëruar nga një grevist tjetër, Florian Shima, 28 vjeç, nga Tirana. Ai ka shfaqur komplikime të rënda në stomak dhe luhatje tensioni. Stafi mjekësor që kujdeset për grevistët, duke parë gjendjen e tij të rënduar, ka urdhëruar dërgimin e tij drejt Spitalit Infektiv në QSUT.
Këshillat
Deputeti Blendi Klosi, një prej grevistëve që vuan nga diabeti, ka refuzuar të largohet nga greva dhe ka shprehur dëshirën për ta çuar përpara kauzën e opozitës. Sipas mjekëve, për personat që vuajnë nga diabeti greva është dyfish më e rrezikshme, pasi ata mund të bien në koma të tipave të ndryshëm. Sipas mjekëve, gjendja e personave që vuajnë nga kjo sëmundje do të rëndohet më shumë dhe do të vijë një moment që ata do të bien në koma hipoglicemike nga ulja e madhe e sheqerit dhe gjendja do të jetë shumë e rëndë alarmante. Ndërkaq, grevistët mund t’i mbijetojnë grevës së urisë vetëm duke konsumuar ujë deri në 30 ditë. Siç është bërë e ditur edhe nga endokrinologu Feçor Agaçi, me kalimin e ditëve fillojnë të shkatërrohen organet, të shfaqen simptoma nga më të ndryshmet dhe në fund shkatërrohet edhe sistemi nervor. Mjeku kardiolog, Sabit Brokaj, i cili kujdeset për gjendjen shëndetësore të grevistëve, i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha ditë më parë që të mos i pengojë mjekët në kontrollin ndaj grevistëve. Brokaj komentoi edhe gjendjen shëndetësore të deputetit Asllan Dogjani. Ai tha se deputeti kishte luhatje tensioni dhe shqetësime të tjera. “Ekipi mjekësor punon me vetëmohim dhe po zbaton betimin e Hipokratit”, - tha Brokaj, duke kujtuar dhe të drejtën tjetër ndërkombëtare, se “pacienti ka të drejtën e tij të zgjedhë mjek këdo dhe detyra e tyre ishte t’i shërbejnë kujtdo pacienti”. Brokaj tha se po i këshillon disa grevistë të ndërpresin grevën, por nuk dha emra konkretë.
17 Maj 2010