E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk lejoj asnjë tokë të papunuar

Kryeministri Berisha e konsideroi projektligjin një hap shumë pozitiv në drejtim të mbrojtjes së tokës dhe shtimit të prodhimit bujqësor, në kushtet kur Shqipëria, me terrenin e saj malor, është vend me pak tokë. Sipas tij, toka është një pasuri jashtëzakonisht e çmuar e atyre që e kanë në pronësi, por edhe e vendit në tërësi. “Ne kemi pak tokë të kultivueshme, ndaj nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë për ta lënë të papunuar. Ky është edhe morali i këtij ligji, sipas të cilit, ai që nuk i del zot tokës, do ta japë me të dhjetë. Kjo ka qenë një normë në të gjitha kohërat, e cila edhe në librat e shenjtë është konsideruar si taksa më e ndershme”, tha Kryeministri dje në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri, duke shprehur besimin se projektligji do të gjejë mirëkuptimin e pronarëve të tokave, të cilët për arsye të ndryshme nuk mund ta kultivojnë atë, theksoi se do të jetë autoritetet vendore, ato që do të hartojnë skemën dhe vendosin marrëdhëniet me pronarin e tokës.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›