E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimi i 1300 mësuesve me kontrata nuk është pushim nga puna

Qëndrimi Sindikata e Arsimtarëve deklarohet lidhur me reformën e fundit të Ministrisë së Arsimit

Mësuesit e kontraktuar nga Ministria e Arsimit, por që nuk u është rinovuar kjo kontratë dhe aktualisht mbesin të papunë, nuk duhet të mbajnë shpresë për ndihmë as te Sindikata e Arsimtarëve. Në një deklarim për publikun, kreu i Sindikatës së Arsimit, Xhaferr Dobrusha, e ka konsideruar si diçka krejt normale përfundimin e kontratave dhe largimin e këtyre mësuesve nga arsimi. Kjo nën logjikën e zgjidhjes së një kontrate me kushte të paracaktuara kohore. Kështu, sindikalistët e arsimit kanë deklaruar se 1300 mësuesit e arsimit parauniversitar nuk po pushohen nga puna, por ligjërisht ata nuk kanë më kontrata të vlefshme. Sipas tyre, kjo ka qenë një zgjedhje e tyre për të nënshkruar kontrata të përkohshme punësimi dhe tashmë largimi i tyre nuk duhet të përdoret për qëllime politike. "Në kuptimin e kritereve ligjore kontraktuale, këtu nuk kemi të bëjmë me largime nga puna në fakt, por kemi të bëjmë me mbarimin e një afati kontraktual, sepse ashtu secili i është përgjigjur ofertës që i është ofruar për të hyrë në këtë lloj marrëdhënie. Dhe kur ky afat mbaron, marrëdhënia është zgjidhur", u shpreh dje Xhaferr Dobrusha, kryetar i Sindikatës së Arsimit. Për sa i përket çështjes tjetër tejet të debatuar në radhët e mësuesve, ngarkesës së re mësimore në sistemin parauniversitar, sindikalistët shprehen dakord me rregulloren e re të MASH-it. Por ajo, sipas tyre, nuk do të jetë definitive, pasi do të bëhet një inspektim në të gjitha shkollat e vendit. "Sindikatat do të mbrojnë pozicionin e ngarkesës mësimore siç është sot, në aktet normative dhe kontratën kolektive ekzistuese, e përsëris, vetëm duke përjashtuar rastet abuzive", tha Dobrusha. Megjithatë, në shkollat kryeqytetase shumë mësues e konsiderojnë të tepërt këtë ngarkesë mësimore, ndonëse nuk e kanë kundërshtuar atë hapur, për shkak të frikës se mund të humbasin vendin e punës dhe askush nuk do t’i mbrojë, madje as sindikata e tyre për të cilën paguajnë edhe kuotat e anëtarësisë. Aktualisht, në vendin tonë në arsimin publik parauniversitar japin mësim rreth 36 020 mësues, të cilët gëzojnë statusin e mësuesit dhe janë “të mbrojtur” nga kontrata kolektive e punës. Ata që kanë reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të MASH-it kanë qenë drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave, të cilët i kanë konsideruar si politike largimet nga puna të arsimtarëve dhe pasojë e krizës ekonomike që ka përfshirë vendin, por që refuzohet të pranohet nga qeveria.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›