E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nuk miratojmë premtimet antiglobaliste të Edi Ramës

25-07-2013 / Gazeta 55

Kryeministri: Pagat dhe pensionet do i rrisim sa herë të jemi në pushtet – keqardhje për mosrritjen e ndihmës ekonomike

Kryeministri Sali Berisha drejtoi dje mbledhjen e radhës të qeverisë, për herë të parë pas pasur postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Lideri historik i demokratëve uroi në emër të kabinetit qeveritar lidershipin e ri të PD, Lulzim Basha, duke i uruar suksese në detyrën e re. “Kjo është mbledhja e parë e këtij kabineti, të cilin unë e drejtoj pa qenë njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Demokratike. Shfrytëzoj rastin që në emër të ministrave ti uroj suksese në detyrën e re kryetarit. Unë e di që ju ia keni uruar edhe vetë”- u shpreh kryeministri Berisha. Më tej, mbledhja e qeverisë vijoi me rendin e ditës ku spikati miratimi i disa vendimeve dhe anulimi i disa të tjerave, siç është ligji për sigurimet shëndetësore, që siç tha kryeministri Berisha, Rama ka premtuar për shërbim shëndetësor falas, ndaj i takoj atij ta zbatojë. “Ne vazhdojmë veprimtarinë tonë normale me ligjet dhe vendimet, që të gjitha në përputhje me programin e kësaj qeverie. Nuk do mund të kalojë dhe të miratohet asnjë ligj dhe vendim i cili ndërhyn me programin e qeverisë tjetër. Zoti ministër, nuk do mund të pranohet vendimi që erdhi javën e kaluar për sigurimet shëndetësore dhe Institutin e Sigurimeve Shëndetësore. Pavarësisht nga vështirësitë, do të gjenden mënyra të tjera për ta zgjidhur. Shqiptarëve u është premtuar zyrtarisht dhe botërisht shërbim shëndetësor falas, pa kontribute. Ne nuk mund të bëjmë hapa, sepse del sikur vazhdojmë me kokëfortësi në programin tonë, i cili garanton shërbim falas për ata që paguajnë kontribute dhe ata që nuk kanë mundësi të paguajnë kontribute. Pra ndahemi në dy filozofi. Vendimet të qëndrojë këtu në pritje. Unë e kuptoj që krijohen disa vështirësi, por të ngremë institucione të cilat në programin e forcës politike nuk ekzistojnë, kjo nuk mund të bëhet. Besoj se edhe në aspekte të tjera programet janë të ndara. Ne ndjekim programin tonë të mandatit që po përfundon tani. Ky është qëndrim parimor i drejtë”- tha ai. Duke u ndalur te rritja e pagave dhe pensioneve, kreu i qeverisë theksoi se ka qenë një objektiv të cilin ai e ka patur shumë për zemër. Ndërkaq, shefi i ekzekutivit shprehu keqardhjen e tij, për mosarritjen e objektivit të rritjes së ndihmës ekonomike në parametrat e duhur. Sipas tij, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që asnjë shqiptar të mos jetojë në varfëri ekstreme. “Rritja e pagave dhe pensioneve ka qenë zotimi ynë. Ne e kemi bërë këtë rritje për 7 vite me radhë, nga viti 2006 e deri më sot, dhe do ta bëjmë sa herë të jemi në pushtet. Kjo është filozofia jonë. Ne nuk mund të mashtrojmë shqiptarët me premtime antiglobaliste të uljes së çmimeve. Çmimet nuk ulen. Në një treg të lirë çmimet kanë në mënyrë të pashmangshme një rritje progresive. Dhe kjo rritje është në një mënyrë dëshmi e një zhvillimi të shëndetshëm, kur ajo rritet sipas parashikimeve, siç është rasti i Shqipërisë dhe shumicës së vendeve. Por ne rrisin rrogat dhe pensionet. Këtu duhet të shpreh keqardhjen time të thellë se një objektiv të cilin e kam pasur shumë përzemër nuk arritëm ta realizojmë. Ky objektiv ka qenë rritja e ndihmës ekonomike për të gjithë ata që ishin në varfëri ekstreme. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që asnjë shqiptar të mos jetojë në varfëri ekstreme. Një varfëri është e pamundur të çrrënjoset tërësisht, por varfëria ekstreme mund të çrrënjoset tërësisht. Sikundër, varfëria jo ekstreme mund të luftohet me sukses plotësisht. Varfëria ekstreme është forma më e dhimbshme e vuajtjes sociale. Ne bëmë një punë shumë serioze, realizuam regjistrin dixhital të të gjithë qytetarëve në ndihmë ekonomike. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë është një tjetër bazë e shkëlqyer e të dhënave. Nëpërmjet përdorimit të këtyre dy regjistrave mund të bëhet, uroj që qeveria e ardhshme ta bëjë këtë, një pastrim i madh i informalitetit në ndihmën ekonomike. Nga lufta kundër informalitetit, por edhe burime të tjera do mund të dilnin fondet e mjaftueshme për të rritur mbi kufirin e varfërisë ekstreme ndihmën për këta qytetarë. Absolutisht, nuk është një kosto e papërballueshme, nuk është një kosto rënduese, por procesi u zgjat për shkaqe në disa raste objektive dhe raste të tjera burokratike. Unë ndjej keqardhje dhe them edhe një herë se ky objektiv jashtëzakonisht i rëndësishëm mbeti pa u realizuar në politikën tonë të pagave dhe pensioneve. Uroj që ministria e Punës në bashkëpunim me ministritë e tjera ta shfrytëzojnë këtë bazë të dhënash, sepse është një studim i shkëlqyer. Natyrisht, ajo kërkon edhe ndryshime ligjesh. Ajo nuk mund të bëhet me ligjin ekzistues, ku të gjithë këshilltarët ulen rreth kryetarit dhe përfshijnë veten në ndihmë ekonomike edhe pastaj mendojnë për qytetarët, çfarë të mbetet”- theksoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›