Berisha: Nuk prishen zgjedhjet, pse është i dëshpëruar Edvinit. Do ta bëjmë gjithë Shqipërinë blu
Kryeministri Berisha ka vizituar komunën Potgorie të Korçës, ku ka deklaruar se në mandatin e tij të dytë, qeveria do të financojë për fermerët shqiptarë çdo projekt të domosdoshëm për ta dhe se ritmet e ndryshimit do të ishin të mëdha edhe në zonën e Vreshtasit të Korçës
Kryeministri Berisha vizitoi sot disa komuna të qarkut të Korçës. Fillimisht, Kryeministri u ndal në komunën Gorishtas, ku inauguroi rrugën Vreshtas- Potgorie, që lidh dy fshatrat e kësaj komune. Në përshëndetjen drejtuar banorëve, Kryeministri u shpreh: “Së pari, dëshiroj t’u uroj përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë për rrugën që sapo inauguruam dhe t’u garantoj ju se në këtë komunë të Pogradecit, do të asfaltojmë çdo pëllëmbe rrugë. Në tetë vitet e qeverisjes socialiste komuna juaj ka marrë gjithsej 64 milion lekë investime. Ndërkohë që në katër vitet e qeverisjes sonë komuna juaj ka marrë 484 milion leke investime. Në rast se në tetë vite keni marrë rreth 8 milion lekë investime në vit, në këto 4 vite keni marrë mbi 120 milion investime në vit. Kjo para së gjithash sepse ne kuptuam se pa organizimin tuaj, pa krijimin e të gjitha kushteve në të gjitha komunat e fshatra e vendit, organizimin e tyre njësoj si lagjet e qytetit, me rrugë, ujësjellësa kanalizime, me shkolla dhe me shërbime, Shqipëria nuk ka dhe nuk do të ketë zhvillim. Ne nuk duam që një pjesëe Shqipërisë të bëhet Evropë dhe pjesa tjetër të mbetet Afrikë. Ne duam që Shqipëria të jetë evropiane në Korçë, Tiranë, Potgorie, në Voskop dhe kudo. Katër vjet më pare, kur ne shpallëm programin tonë e dinim se sfida me e madhe për ne ishte urbanizmi i fshatit shqiptar. E dinim se kjo sfidë kërkonte miliarda, e dinim se kjo sfidë, kjo përballje do të thoshte se duhej të dinim të dilnim nga një situatë e trashëguar tejet e rende. Jo këtu në Korçë, por në periferi të Tiranes, komuna tëra, nuk kanë pasur rrugë të asfaltuara, ndaj ne me durim vendosëm të zbatojmë projektin tonë. Sot vijmë tek ju me bilanc tjetër. Vetëm në komunën tuaj janë të ndërtuara ose në proces ndërtimi 20 km rrugë, kundrejt 0 kilometrave rrugë të viteve të qeverisjes së tyre. Janë investuar në arsim 46 milion lekë, në shëndetësi 15 milion lekë, në infrastrukturë 352 milion leke, në ujësjellësa dhe kanalizime, 71 milion lekë, në fshatin Potgorie janë investuar 94 milion lekë. Është rikonstruktuar shkolla e mesme, është rikonstruktuar shkolla 9- vjecare, janë sistemuar terrenet e shkollave, është ndërtuar qendra shëndetësore, është rikonstruktuar ujësjellësi i tij, është sistemuar dhe asfaltuar qendra e fshatit dhe rrugët e brendshme, rruga Potgorie- Vreshtas, rruga nacionale Lapidar-Bregas dhe një seri rrugësh të tjera.Po kështu ne fshatin Sheqeras jane investuar në tërë komunën në 8 vitet e qeverisjes socialiste 64 milion , ndërsa në 4 vite vetëm në Sheqeras kemi investuar 77 milion lekë, kemi bërë kanalizime të ujërave të zeza, ndërtimin e qendrave shëndetësore, ujësjellësa , kemi sistemuar dhe asfaltuar rrugën Sheqeras – Kthesa e Rrëmbecit, shkollën e mesme , ndërsa në fshatin Vreshtas janë investuar 44 milion lekë edhe këto për një seri projektesh si rikonstruksioni i ujësjellësit , tenderi i të cilit nis në qershor, qendrën shëndetësore, investime në ura dhe sistemin energjetik. Investimet në fshatin Bregas janë 10 milion lekë. Në komunën Gorishtas kam ardhur këtu për tu zotuar solemnisht para jush dhe për ti kërkuar deputetit tuaj të bëjë çdo projekt për të ndryshuar jetën tuaj, Qeveria ime do ta investojë atë. Dua t’u siguroj se në tavolinën time, në agjendën dhe programin tim nuk ka asgjë tjetër përveç interesave tuaja. Sigurisht që nuk mundemi të plotësojmë çdo interes të çdo individi, por ne mundemi dhe do të plotësojmë çdo interes fisnik, të çdo individi. Interesat tuaja janë rrugë të mira dhe unë ju them se do të ndërtojmë rrugë të mira, interesat tuaja janë shkolla të mira, dhe unë ju them se ne do ti ndërtojmë këtu shkollat si në qytete, Interesat tuaja janë ujësjellësa, kanalizime, interesat tuaja janë që ju të shisni në treg prodhimet tuaj dhe unë ju garantoj se kjo qeveri ka mbrojtur dhe do të mbrojë prodhimet tuaj, por njerëzisht ju kërkoj fermerëve të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë të ndiqni çmimet e bursës. Ne do tu mbrojmë ju, por ju duhet ti ndiqni çmimet e bursës, në mënyrë që tu orientojnë për çmimet e prodhimeve tuaja. Ne nuk përcaktojmë çmime, ne absolutisht do të bëjmë çdo përpjekje që ju ti shisni prodhimet tuaja me çmimet më të leverdishme të mundshme sepse ne qëndrojmë prapa kësaj, por mos gaboni, të ndiqni çmimet në dogana sepse ato janë çmime që ne i vendosim për tu mbrojtur juve. Në rast se dikush mendon se mund të shesë mbi çmimin e doganës, gabon. Çmimi i doganës vihet për tu mbrojtur ju, në mënyrë që ju të mbushni tregun . Ne qëndrojmë pas interesave tuaja dhe këtë e faktuar. Secili pensionist në Vreshtas dhe në mbarë komunat e Shqipërisë, më 1 maj të këtij viti do të marrë një pension dy here me te lartë se sa merrte në maj të vitit 2005. Jam këtu për tu dhënë fjalën se në mandatin e dytë pensionet tuaja do të barazohen me pensionet e qytetit. Ky është qëndrimi ynë. Është e vërtetë se ne hoqëm dorë nga akciza e naftës sepse ajo avullonte, por është e vërtetë se për fermerët ne kemi katërfishuar shumën e akcizës së naftës, në projekte. Këtë vit qeveria ka vendosur të pranojë dhe të mos kthejë asnjë projekt tuajin që ju e meritoni. Natyrisht projektet i bëni ju dhe unë ju garantoj se ato do të financohen, sikundër do të financohen dhjetëra dhe qindra projekte te tjera të agropërpunimit, të ftohjes,dhe të impianteve të tjera të domosdoshme për ju. Ju ftoj të vazhdojmë së bashku në mandatin e dytë se në këtë mandat ne ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO, në këtë mandat së bashku firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim-Asoccimit dhe dorëzuam kërkesën për anëtarësim të plotë në BE. Në këtë mandat ne arritëm në prag të liberalizmit të plotë të vizave. Në vitin e parë të mandatit të dytë, do të lëvizim të lirë në mbarë Evropën. Në këtë mandat së bashku ia dolëm të ndërtojmë apo rindërtojmë mbi 5900 km rrugë. Në këtë mandat ia dolëm të shtrijmë internetin në ndo shkollë, të dyfishojmë pagat e mësuesve tanë, të dyfishojmë pensionet ne fshat, t’i rrisim ato në qytet në masën 50 deri në 70 %. Në këtë mandat ia dolëm që Shqipëria të ndryshojmë më shpejt se kurrë ndonjëherë, ia dolëm që me një luftë të vendosur kundër korrupsionit të shpëtojmë nga xhepat e hajdutëve, kontrabandistëve dhe zyrtarëve të korruptuar mbi 4,2 miliard dollarë dhe t’i shndërrojmë ato në rroga e pensione, shkolla, ujësjellësa, kanalizime e rrugë. Në këtë mandat ia dolëm të ndryshojmë imazhin e Shqipërisë dhe të lartësojmë emrin e saj. Vetëm në muajit dhjetor, janar, shkurt, si në asnjë vend në rajon, kemi firmosur 5 miliard euro investime. Ndaj dhe mbi bazën e këtyre realizimeve të vazhdojmë së bashku ndryshimin e madh të Vreshasit, Korçës, Shqipërisë, të vazhdojmë së bashku të ecim me shpejtësi drejt vendeve të zhvillimit që meritojmë. Përballë kësaj alternative që qëndron mbi fakte dhe të vërteta si drita e diellit, qëndron alternativa e shpifjes, trillimit dhe mashtrimeve. Çfarë kërkon opozita? Opozita vërtet mund të mos rrisë pagat dhe pensionet, por a ka opozitë në botë që ti kërkojë qeverisë që të mos rrisë pagat edhe pensionet? Çdo opozitë i kërkon qeverisë që ti dyfishojë ato, dhe jo të mos i rrisë. Opozita shqiptare proteston dhe bën thirrje të mos rrisim pagat dhe pensionet. Opozita shqiptare kërkon dhe bërtet të mos aplikojmë në BE. Opozita shqiptare u kërkonte kancelarive evropiane që të mos votonin për Shqipërinë në NATO, se do të prisheshin zgjedhjet. Përse do të prisheshin zgjedhjet? Ne do votojmë si kurrë ndonjëherë të lirë, me karta identiteti, me regjistër elektronik, si qytetarët më të lirë. Zgjedhjet nuk prishen sepse do humbasësh Ti zotëri, ato nuk prishen se thyhen këmbët e karriges tënde. Shqipëria dot bëjë zgjedhjet më të mira dhe ne do të vazhdojmë mandatin e dytë drejt anëtarësimit në BE me meritë të plotë, për një proces në të cilin kemi ecur të sigurt. Ne firmosëm në datën 12 qershor 2006 MSA-në dhe 27 vende e ratifikuam atë, shumë më shpejt sesa për vendet e tjera të rajonit . Ne aplikuam për statusin e vendit kandidat dhe do të ecim me durim dhe të sigurt duke përmbushur çdo kriter. Ne nuk kërkojmë asgjë përveçse të bazuar në meritën tonë. Ne nuk kërkojmë asnjë lëshim, përveçse vlerësimit për atë që bëjmë. Unë ju garantoj se do të jemi shumë më shpejt se sa mendojmë anëtare të BE-së me kursin e reformave që kemi nisur. Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju uroj fitore. Ne do ti fitojmë këto zgjedhje. Ne do të rikthejmë fitoren e madhe të 92-it, Do ta rikthejmë Shqipërinë në blu, ashtu siç është”.
...