E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas lodhjes nga funksioni i ministrit, Besnik Mustafaj lodhet edhe nga politika

Besnik Mustafaj, një politikan i vjetër i PD-së ka përsëritur sot edhe njëherë një tërheqje interesante nga objektivat e veta politike, teksa ka dhënë dorëheqjen nga konkurrimi për garën e kreut të PD-së së Tiranës. Deputeti aktual ka deklaruar për mediat se tërhiqet jo vetëm nga gara për kreun e PD-së për Tiranën, por edhe nga politika. “Këto katër vite, nuk do të merrem me politikë. Nuk kam asnjë plan që ka lidhje me politikën” - deklaroi ai, duke theksuar se emri i tij si kandidat për deputet nuk do të jetë në asnjë listë partish. Mustafaj akuzoi për një garë jo të ndershme brenda PD-së dhe se është shkelur statusi i partisë për zgjedhjen e kreut të degës së Tiranës. Edhe më herët, Besnik Mustafaj pat dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit të jashtëm vetëm tre javë para se vendin tonë ta vizitonte presidenti amerikan Xhorxh Bush, duke u deklaruar se ndihej i lodhur. Edhe pse nuk e artikuloi edhe këtë herë, u mor vesh se deputeti i PD-së, i zgjedhur në një zonë të kryeqytetit, ndihej sërish i lodhur për t’u përballur me strukturat e PD-së, pasi jozyrtarisht ishte marrë vesh se kishte shumë pak gjasa që ai të gjendej edhe në listat e pritshme të kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›