Berisha: Nuk taksoj të pasurit më shumë se të varfrit. Teoritë e Marksit nuk rikthehen më në Shqipëri
Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë është ndalur veçanërisht tek modeli ekonomik i prezantuar një ditë më parë nga ana e Partisë Socialiste.
Berisha ka ironizuar këtë projekt për taksimin progresiv, duke thënë se ai frymëzohet nga Marksi. Sipas Berishës, socialistët duan që të rikthejnë ekonominë e etërve të tyre, por ai nuk do ta lejojë këtë gjë. Berisha ka thënë se nuk ka ndërmend që të rrisë taksat për të pasurit më shumë se të varfërit.
Dua të garatoj gjithë sipërmarrësit se taksa markiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend. Ata që mendojnë se do të begatojnë këtë vend duke taksuar të pasurit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpalosin alternativën e etërve të tyre, e cila nuk do të kthehet kurrë më. Sistemi i tyre marksist nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë të ardhme. Ai është provuar si një sistem katastrofal, sidomos me faktin që bazohej tek rrënimi i të pasurve. Garantimi i pasurive të tyre është garant për rritjen e prosperitetit dhe kjo është e njohur që nga koha e Adam Smithit. Ata të vazhdojnë me Marksin, por i siguroj që Marksi nuk do të shëtisë më në rrugë e Shqipërisë. Rama e falimentoi bashkinë duke rritur taksat dhe e dorëzoi bashkinë të falimentuar, ka thënë Berish gjatë fjalës së tij.
Më tutje, ai ka theksuar se ekonomia shqiptare vazhdon që të jetë lider në rajon dhe Europë.
Dinamizmi i ekonomisë shqiptare është i admirueshëm dhe këtë e tregon rritja e eksporteve shqiptare. Eksportet shqiptare gjatë nëntë muajve janë rritur me 27%. Prodhimet shqiptare po preferohen gjithmonë e më shunë në tregjet e botës. Dokumenti i fundit mbi lirinë ekonomike në botë, fakton se liria ekonomike në Shqipëri ka pasur rritje. Kriza ekonomike ka shtyrë qeveritë e botës që të tkurrrin lirinë ekonomike. Kjo gjë nuk ka ndodhur në Shqipëri, e cila ka rritur me 16% lirinë ekonomike. Pavarësisht nga kriza ekonomike në botë dhe Europë, Shqipëria, vendi i vetëm me rritje ekonomike në tërë rajonin, ka njohur rritjen më të madhe në histori të investimeve të huaja. Ekonomia shqiptare, në garën rajonale dhe botërore, po funksionon gjithmonë e më mirë, ka deklaruar Berisha në mbledhjen e qeverisë.