E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, Berisha: Të ndjekim modelin amerikan për cilësinë

SHKRUAN: Jonida Tashi 02-11-2011 13:28

Universiteti Politeknik i Tiranës feston 60-vjetorin e themelimit të tij. Kryeministri në ceremoni: Të adaptojmë gjithnjë e më shumë atë model, i cili ka në themel lirinë dhe respektin ndaj saj

Jonida Tashi

Arsimi i lartë, me gjithë reformat e ndërmarra nga qeveria ka sërish probleme, një nga të cilat është edhe cilësia. Për këtë të fundit, kryeministri i vendit, Sali Berisha u ka kërkuar drejtuesve të universiteteve të hedhin sytë nga modeli amerikan, ku sigurohet edhe liria akademike. Këtë propozim, kreu i qeverisë e ka bërë në ceremoninë e festimit të 60-vjetorit të krijimit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Duke vlerësuar gjendjen aktuale të universiteteve, kryeministri tha se në krahasim me vendet e zhvilluara, arsimi i lartë në Shqipëri ka pak pikë. Ndaj, modeli që do të çonte, sipas tij, në ndryshim të kësaj situate është ai amerikan. “E vërteta është se në Shqipëri nuk ka asgjë më të rëndësishme se universitetet. Ndaj dhe ne le të punojmë së bashku për të rritur cilësinë e tyre. Le të na frymëzojnë shembujt e universitetet, para së gjithash, universitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, universitete që e bënë atë komb më të madhin e kohës, e bënë atë vend më të fuqishmin. Këto universitete nuk janë më të vjetër, por janë më të lirët. Në këtë kontekst, le të përpiqemi të adaptojmë gjithnjë e më shumë atë model, i cili ka në themel lirinë dhe respektin ndaj saj”, - deklaroi kryeministri Berisha. Më tej, ai nuk ka lënë pa përmendur as angazhimet e qeverisë për arsimin e lartë, sektor që do të vazhdojë të ketë mbështetje edhe për vitet në vazhdim. “Unë dua t’ju siguroj ju dhe mbarë shqiptarët se për mazhorancën aktuale, edukimi i të rinjve dhe të rejave, fëmijëve të këtij vendi është dhe do të mbetet përparësia e të gjitha përparësive. Në këto vitet e fundit, me reforma të thella, ne arritëm që një sistem edukimi që po degradonte dhe po shembej, të vendosej në shinat e zhvillimit. Në një kohë të shkurtër, ne mbidyfishuam rrogat e mësuesve, rindërtuam dhe ndërtuam mbi 1200 shkolla e kampuse, shtrimë internetin në çdo shkollë, por mbi të gjitha, ne ia dolëm që mbi 91 % e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të, të hyjnë në shkollat e mesme, nga më pak se 70 % që ishte kjo shifër në pak vite më parë. Por, arritja më e madhe në historinë e arsimit shqiptar qëndron në faktin se numri i studentëve në universitetet tona u rrit nga 52 mijë, në vitin 2005, në 138 mijë”, - vijoi më tej kreu i qeverisë. Lidhur me akuzat e bëra nga opozita, më së shumti se rritja e numrit të të diplomuarve nuk ka shkuar në kah të drejtë me atë të të punësuarve, kritikëve të kësaj politike që pretendojnë se universitetet u shndërruan në pellgjet e papunësisë, kryeministri u ka kujtuar se në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër të botës, universitetet nuk shpërndajnë leje punësimi. Sipas tij, studimet në Shqipëri dhe në mbarë botën kanë faktuar se të diplomuarit i kanë 50% më të mëdha shanset e punësimit sesa të padiplomuarit; se të diplomuarit, sigurojnë 50 deri 70 % më shumë të ardhura sesa të padiplomuarit. Në fund të fjalës së tij, kryeministri Berisha, duke iu referuar një prej poetëve dhe shkrimtarëve më të shquar anglezë të shekullit që shkoi, John Masfield, i cili shkruan se “ka pak gjëra tokësore më të bukura se universitetet”, u shpreh se në Shqipëri nuk ka asgjë më të rëndësishme se universitetet, “ndaj le të punojmë së bashku për të rritur cilësinë e tyre”.

Politekniku, nga 60 studentët e parë të institutit, në 12 mijë

Universiteti Politeknik i Tiranës ka festuar dje 60-vjetorin e krijimit të tij. Historia e këtij universiteti daton në vitin 1951, kur u krijua Instituti i Lartë Politeknik. Në vitin 1991, gjatë sistemit të kaluar, të gjitha fakultetet me formim inxhinierik u rigrupuan duke formuar Universitetin Politeknik të Tiranës. Ndërsa në vitin 2007, si rezultat i reformës që ndërmori qeveria shqiptare për reformimin e kërkimit shkencor në Shqipëri, ndryshoi struktura përbërëse e Universitetit Politeknik të Tiranës, i cili aktualisht ka në përbërjen e tij gjashtë fakultete dhe dy institute kërkimi e zhvillimi. Në këtë përvjetor morën pjesë ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, rektorë të universiteteve të huaja e të vendit, stafi akademik, themelues të tij që kanë dhënë kontribut ndër vite, si dhe studentë të Politeknikut. Profesori i shquar shqiptar, Kostaq Cipo, ditën e themelimit të Institutit Pedagogjik në Tiranë, më 20 dhjetor të 1946-ës do të shprehej: “Ngritja e arsimit të lartë (de facto universitetit të parë të vendit) më ngjalli të njëjtat emocione të forta e të papërshkruara, si ngritja e flamurit të Pavarësisë së vendit tonë 34 vjet më parë, më 28 nëntor të vitit 1912”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›