Shfrytëzimi pa kriter, Mediu: Të privatizohen pyjet
Mediu: Reforma nuk do të jetë monopol i Ministrisë, 240 firma që shfrytëzojnë pyjet janë shumë për sipërfaqen e vendit. Gjana kunër: Vëmendja e ulët ndaj pyjeve është për faj të politikes dhe reformave jo cilësore
Privatizimi i pyjeve do të ishte një nga format më të mira të administrimit të tyre, që do të mund t’i vinte “fre” edhe shfrytëzimit pa kriter. Në fakt kjo është skema e re që prezanton ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, për administrimin e pyjeve. Duke pranuar shfrytëzimin pa kontroll të tyre, ministri Mediu propozon që e gjithë sipërfaqja e pyjeve në vend t’i besohet privatit. Sipas tij, firmat private që do të shfrytëzojnë pyjet do të jenë shumë të pakta në numër, por koha e tyre për këtë biznes do të jetë afatgjatë. Në një takim me përfaqësues të Akademisë së Shkencave, kreu i Ministrisë së Mjedisit ka bërë të ditur se në vend operojnë 240 firma, të cilat lejohen të shfrytëzojnë pyjet, duke theksuar se do të kërkohet të vendoset një raport i kushtëzuar mes firmave dhe prerjes së pyjeve. “Për fatin e keq, në Shqipëri janë mbi 240 firma, të cilat merren me shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore, pjesa më e madhe e tyre, pa nivel të caktuar teknologjik, pa kushte profesionale, ekspertizën e nevojshme për të kryer aktivitetet në nivelin që duhet. Për një sipërfaqe pyjore siç është Shqipëria është shumë e tepërt për të pasur një numër të tillë, që tregon një raport jo të qëndrueshëm dhe të drejtpërdrejt, qoftë të këtyre kompanive, por dhe të individëve me pyjet. Ka ardhur koha për një reformë të thellë, nëse duam t’i ruajmë pyjet dhe t’i shtojmë në mënyrë racionale, duhet të gjejmë raportin e përgjegjësisë të përdoruesve dhe atyre që shtojnë pyjet”, - deklaroi ministri Mediu. Ndër të tjera, kreu i Mjedisit ka kërkuar që të rishikohet partneriteti mes privatit dhe shtetit, në mënyrë që shfrytëzimi i pyjeve të bëhet në formë racionale dhe privati të jetë i interesuar të bashkëpunojë. Ndërkaq, kreu i Mjedisit është shprehur se kjo reformë nuk do të jetë monopol i ministrisë që ai drejton, duke deklaruar se ajo është hedhur për studim në grupet akademike. Por, demokrati Jemin Gjana, njëherësh kryetar i komisionit kuvendor të Veprimtarive Prodhuese, duke kundërshtuar ministrin Mediu, ka pranuar se vëmendja e ulët ndaj pyjeve është për faj të politikës dhe reformave jo cilësore. Ndaj deputeti Gjana ka kërkuar që në buxhetin e shtetit të parashikohen më shumë fonde për sektorin e pyjeve, i cili gjatë këtyre viteve është lënë jashtë vëmendjes. Sipas ligjit në fuqi, pyjet në vend menaxhohen nga pushteti vendor. Për këtë të fundit, kreu i Mjedisit ka adresuar kritika për mungesën e profesionalizimit dhe menaxhimit të pyjeve. Aktualisht, prerja e pyjeve në formë të paligjshme, por edhe legale, ka rritur ndjeshëm jo vetëm erozionin në shkallë vendi, por ka favorizuar edhe përmbytjet.