E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viruse të reja si gripi i derrit

Në kulmin e sezonit të gripit, mjekët japin alarmin se viruse të ngjashme me atë të gripit të derrit A/H1N1 pritet të qarkullojnë në vendin tonë. Sipas specialistëve të Shëndetit Publik, këtë sezon pritet të qarkullojnë nëntipe të reja të virusit A/H1N1, ndaj ata u bëjnë apel qytetarëve që të bëjnë vaksinën kundër gripit. “Pavarësisht se ne flasim se do të qarkullojë përsëri A/H1N1 ka disa nënvariante të tij. Kemi A/H3N2, një variant të tij dhe natyrisht virusin B. Ne i konsiderojmë viruse të rinj. Simptomat janë të njëjta të gripit, që është një sëmundje e pabesë. Mund të ketë forma shumë të lehta, por mund të ketë forma shumë të rënda. Përveç virusit të gripit qarkullojnë edhe viroza të tjera që kanë qarkullim në këtë kohë, për të cilat nuk ka vaksinë, prandaj edhe mendohet që duke u vaksinuar të ulet pesha e të gjitha virozave në përgjithësi. Të gjithë grupmoshat duhet të vaksinohen me vaksinën e gripit”, - pohon shefja e sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino. Sipas Binos, viruset e reja që do të qarkullojnë janë përcaktuar që në muajin mars, ndaj vaksina e re e hedhur në treg përmban shtame të këtyre nëntipeve, përfshirë edhe A/H1N1. Përveç të moshuarve, prioritet për t’u vaksinuar duhet të kenë edhe ata persona që vuajnë nga ndonjë sëmundje tjetër. Të gjithë epidemiologët e rretheve janë thirrur për të marrë rekomandimet e duhura me qëllim mbajtjen e situatës në kontroll. Specialistët u bëjnë apel qytetarëve që për çdo rast t’i drejtohen mjekut të familjes dhe të mos neglizhojnë duke u mjaftuar me këshillat që në vendin tonë, në mënyrë abuzive, i jep farmacisti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›