Çmimi i energjisë, sot diskutim nga Këshilli Kombëtar i Punës
Përfaqësuesit e qeverisë dhe disa nga grupet e interesit do të konsultojnë çështjen e rritjes së çmimit të energjisë për vitin e ardhshëm
Përfaqësuesit e qeverisë dhe disa nga grupet e interesit do të konsultojnë sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës çështjen e rritjes së çmimit të energjisë për vitin e ardhshëm. Burime zyrtare nga Ministria e Punës bëjnë të ditur se një nga çështjet që do të diskutohet sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës (KKP), ku do të marrin pjesë 44 përfaqësues të ndryshëm, është informacioni nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) mbi kontratën e CEZ me konsumatorin, si dhe përgatitjen për hapjen e procedurave për çmimin e energjisë elektrike. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) i ka propozuar Entit Rregullator të Energjisë që për vitin 2012 të miratojë rritjen e tarifës për energjinë që i shitet CEZ në masën 239%. Kështu, nga 1.48 lekë për kw/h që është tarifa aktuale, propozohet që gjatë vitit të ardhshëm të arrijë në 5.03 lekë për kw/h. Gjithashtu, KESH ka propozuar edhe rritje të çmimeve të prodhimit të energjisë nga 0.63 lekë që është aktualisht, në 0.90 lekë. Këshilli Kombëtar i Punës është institucioni më i lartë konsultativ tripalësh, i cili përbëhet nga 27 anëtarë, 10 përfaqësues të punëmarrësve, 10 të punëdhënësve dhe 7 anëtarë të qeverisë. Këshilli shqyrton çështjet me interes të përbashkët për organizatat e punëdhënësve dhe të punëmarrësve, me qëllim që të arrijë zgjidhje të pranueshme për palët. Disa çështje të tjera që janë në rendin e mbledhjes së KKP-së janë: ndikimi i koncesioneve në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zbatimi i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në këto ndërmarrje; politikat e qeverisë për punësimin dhe luftën ndaj varfërisë, në klimën e krizës ekonomike/financiare për vitin 2012; funksioni i dialogut social në arsim në nivelin e dytë dhe posaçërisht në këshillat sindikale në shkolla.