Kujdesi për dhëmbët, stomatologët: Po ndryshon mentaliteti
Kujdesi për dhëmbët nuk është më një çështje luksi për shqiptarët. Ndryshe nga vitet e shkuara, kur vizitat te dentisti ishin shumë të rralla, tashmë duket se tendencat e reja në këtë fushë po pëlqehen shumë jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga moshat e rritura. Stomatologia Monika Spirollari thotë se ndonëse buzëqeshja e bukur kushton, nga viti në vit po rritet numri i personave që shpenzojnë për këtë. Ndërsa, sipas profesor doktor Kurkud Demirel, president i Shoqatës së Stomatologëve të Turqisë, nga përllogaritjet e bëra prej specialistëve, rezulton se shpenzimet për estetikën dentare për një person kapin shifrën e 25 mijë eurove, por, sipas tij, njerëzit duhet t’i japin së pari rëndësi shëndetit dentar. Ndonëse specialistë të Shëndetit Publik kryejnë herë pas here fushata promocioni në shkolla, për të rritur ndërgjegjësimin e fëmijëve, këta të fundit janë më të riskuarit për të pasur një higjienë jo të mirë të gojës, për shkak të ushqimeve që konsumojnë, si patatinat apo pijet e gazuara. Stomatologët thonë se këto ushqime janë të dëmshme për dhëmbët, pasi u shkaktojnë atyre prishje të shpejtë si dhe dëmtojnë zmaltin.