E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentët në kor: “Situatë aspak pozitive”

“Kuptohet që nuk është një vendim pozitiv për futbollin shqiptar, por nga ana e drejtë, - tha presidenti i Federatës Shqiptare, Armand Duka, në lidhje me vendimin për pezullimin e Shqipërisë nga FIFA të marrë gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv. “Pa asnjë dyshim që nuk pritet mirë nga komuniteti i futbollit dhe prej atyre që e duan futbollin”, - shtoi Duka, i cili prej vitit 2003 ndodhet në krye të FSHF-së. “Një situatë aspak pozitive për futbollin shqiptar”, - deklaroi presidenti i Partizanit, Albert Xhani. “Një situatë ku penalizimi vjen pikërisht për ne presidentët, që financojmë futbollin shqiptar”.
Me të njëjtin shqetësim shprehet edhe numri një i Teutës, Edmond Hasanbelliu: “Një skandal i vërtetë, që duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme”.
“Jam shumë i shqetësuar me këtë që po ndodh. Duhet urgjent të mblidhemi, që t’u bëjmë apel palëve, që të gjejnë gjuhën e negoiciimit dhe ta zgjidhin këtë problem, pasi ky është një turp”, - theksoi presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj, që shton se ka ardhur koha për të formuar Ligën Profesioniste.
Bosi i Besës, Nexhat Bizhdili, shpall alarmin: “Nëse vazhdon kaosi, do të largohem. Financimet tona nuk mund të shkojnë dëm”.

Tragjedia ndal edhe futbollin

Tragjedia e Gërdecit, ku mbetën mbi 203 të plagosur, disa tyre disa edhe shumë rëndë, ndërpreu edhe aktivitetet sportive në vend të programuara për ditën e shtunë, si gjashtë ndeshjet e Kategorisë Superiore, ashtu dhe pesë të mbeturat për t’u zhvilluar nga Kategoria e Parë. Redaksia e sportit në gazetën “Albania” bashkohet me dhimbjet e të lënduarve dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve. Federata Shqiptare e Futbollit pezulloi të gjitha aktivitet sportive përmes një komunikate të publikuar urgjentisht në faqen zyrtare të internetit. “Federata Shqiptare e Futbollit, ashtu si i gjithë opinioni publik shqiptar, po ndjek me hidhërim dhe dhimbje të thellë zhvillimin ngjarjeve në Gërdec, ku pas një shpërthimi të një depoje municioni, ka pasur shumë të lënduar dhe viktima. Duke u njoftuar për ngjarjen, menjëherë, Federata Shqiptare e Futbollit, Presidenti i FSHF-së dhe Komiteti Ekzekutiv shprehin solidaritetin e tyre të thellë dhe dhimbjen për ngjarjen e ndodhur”, -thuhej në deklaratë. “Duke parë këtë situatë emergjente, ato vendosën të ndërpresin zhvillimin e të gjitha ndeshjeve e kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore.
Gjithashtu nuk do të zhvillohen edhe ndeshjet e radhës, të kampionateve të Kategorisë së Parë, të Dytë, kampionatet kombëtare U-17 e U-19 dhe kampionati i futbollit amator, të parashikuara për t’u luajtur, të shtunën dhe të dielën”. Sektori i Garave pranë FSHF-së do të përcaktojë datat e reja për zhvillimin e ndeshjeve.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›