Berisha: Numërimi elektronik, pengesë temperatura dhe energjia elektrike

Kryeministri, Sali Berisha duke folur në Kuvend

Gramoz Ruçi duke folur në Kuvend
Kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ka kërkuar mbledhjen të komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe parlamentare për të përfunduar reformat e nisura. Por pavarësisht kësaj, qëndrimet e mazhorancës dhe opozitës, të shprehura nga Berisha dhe Ruçi në Kuvend ishin shumë larg njëra-tjetrës.
Ka ngelur problemi elektronik. Ne kemi pranuar me bindjen më të thellë se nuk është e sigurt por nuk na takonte ne që ta refuzonim. ODIHR kërkon të fillohet me një studim pilot, tha Berisha.
Ai mori shembull problemet që ka hasur Estonia. Ka klimën 5-6 gradë më të vogël se Shqipëria. Makinat në rastin e fundit u bllokuan dhe pati mungesa korenti. E bënë militantët apo ndodhi nga rrufeja nuk e di por ja që pati, u shpreh ai. Berisha kërkoi që të caktohet një qytet pilot për eksperimentimin e procesit zgjedhor sipas rregullave të propozuara.
Kreu i PD-së doli edhe kundër propozimit që dy anëtarë të KQZ-së të kenë mundësi për të kërkuar hapje të materialeve zgjedhore. Sipas tij kjo do të krijonte tejzgjatje të procesit.
Ndërsa në fjalën e tij, kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi, u shpreh se qeveria nuk po merr për bazë as këshillat dhe as rekomandimet e BE-së. Ruçi tha se opozita kërkon garanci dhe implementimin e rekomandimeve të progres-raportit të KE-së.
Mes Berishës dhe Ruçit u debatua edhe për reformën parlamentare. Sipas Berishës, PS kërkon barazi në Kuvend mes kryeministrit dhe kreut të opozitës dhe kjo sipas tij nuk është e pranueshme dhe e futi debatin në degëzime. Po kur lideri i opozitës nuk është në parlament, kush do ta përfaqësojë? Zëdhënësi? Ju barazoni zëdhënësin me kryeministrin, u shpreh Berisha.
Nga ana e tij Ruçi tha se në Kuvend mungon fjala e lirë dhe votimit i fshehtë dhe se kjo vjen nga frika ndaj opozitës dhe frika ndaj deputetëve brenda radhëve.
Nuk ju që e përcakton se kush do të përfaqësoi kreun e opozitës. Ai në rresht të fundit do e përfaqësi, se ai është opozitar. Kjo ju shqetëson juve? Mungon fjala e lirë dhe kontrolli parlamentar. Ka kërkesa për interpelancë dhe nuk vini. Ka shtrembërime të rregullores nga kryetarja e parlamentit. Kemi kërkuar votim të fshehtë. Keni frikë nga fjala e lirë e opozitës dhe vota e fshehtë e deputetëve të tu, theksoi Ruçi.
Berisha dhe Ruçi gjithashtu shkëmbyen replika edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Berisha duke bërë diversion u shpreh se PS nuk mund të zgjedhë një president pasi deputetët e saj nuk votojnë për njëri-tjetrin.
E keni bërë si letra me fall se kush bëhet president. Por asnjëri prej jush nuk bëhet se ju nuk votoni për njëri-tjetrin, tha kreu i qeverisë.
Përgjigja e Ruçit ishte se këtu ndryshon filozofia e mazhorancës nga ajo e opozitës, pasi njëra kërkon president politik ndërsa tjetra president konsensual.
Ne jo se nuk kemi kapaciteti që e bëjnë shumë mirë atë punë, por kemi një filozofi dhe pozicion politik. Kemi deklaruar se duam të zgjedhim presidentin e vendin, as të PD dhe as të PS, prandaj kemi kërkuar proces, u shpreh Ruçi. /F.Stafa/
Ruçi: Po votoni kundër statusit. Patozi: Ju kanë kapur ethet presidenciale

Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi
Reforma zgjedhore ishte debati kryesore i zhvilluar në Kuvend mes dy kryetarëve të grupeve kryesore parlamentare. Gramoz Ruçi në fjalën e tij theksoi se mazhoranca nuk po përmbush afatet që ka vendosur BE për këtë reformë dhe kjo tha ai është votë kundër statusit kandidat.
Sot data 24 ishte një datë tjetër që ia kanë përcaktuar Shqipërisë. Na kanë thënë në mënyrë taksative se reformat duhet të bëhen para datës 24, ndryshe Shqipëria në raport me Brukselin do ketë konsekuenca. Klasa politike shqiptare po voton sot kundër ftesës për statusin kandidat të vendit, tha Ruçi. Sipas kreut të grupit socialist, Berisha është kundër një procesi zgjedhor transparent.
Nga ana tjetër, Astrit Patozi, kreu i grupit të PD-së, u shpreh se është opozita ajo që po bllokon reformën zgjedhore për shkak se kërkon lëshime sa i takon zgjedhjes së presidentit. PS s`ka votat për presidentin, por ka votat për ta bllokuar reformën. Ja pse kemi, ngecur, sepse PS do bllokimin pasi nuk ka presidentin, u shpreh Patozi. Kreu i grupit demokrat kujtoi se mazhoranca i ka votat për zgjedhjen e presidentit. /F.S/