E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-OSBE Reforma zgjedhore do jete teresisht transparente e konsensuale

Kryeministri Berisha priti sot në një takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Roberto Battelli, përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë për Evropën Juglindore.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për kontributin e OSBE-së, Prezencës së saj në Tiranë, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe ODIHR, si në procesin e reformës zgjedhore, ashtu edhe në monitorimin shumë profesional të zgjedhjeve në Shqipëri.

Kurse anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së e falënderuan Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe e siguruan atë se Asambleja Parlamentare e OSBE dhe kjo organizatë do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtësisht me Shqipërinë në të gjitha aspektet e reformës zgjedhore dhe më gjerë.

“Asambleja Parlamentare e OSBE-së vlerëson se gjatë viteve të fundit Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm për sa i përket procedurave zgjedhore, sistemit zgjedhor, i cili është tashmë shumë afër një ndër sistemeve më transparent”, u shpreh Battelli.

Në këtë kontekst, ai vlerësoi suksesin e madh që u shënua në këtë drejtim me pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe sistemin elektronik të Regjistrit të Gjendjes Civile, i cili heq çdo lloj dyshimi mbi identitetin e shtetasve, gjë që e bën procesin zgjedhor jashtëzakonisht efiçent.

Kjo u rikonfirmua qartësisht edhe nga raporti OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore 2011, i cili konkludoi se zgjedhjet vendore në Shqipëri ishin tërësisht transparente dhe kompetitive, çka dëshmon për përparimin e jashtëzakonshëm që vendi ka bërë gjatë kësaj periudhe.

Në takim u theksua rëndësia e adresimit të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR si jashtëzakonisht e rëndësishme për një efiçencë edhe më të lartë të sistemit ligjor dhe institucional zgjedhor në Shqipëri, i cili tashmë është provuar përmes dy proceseve zgjedhore të njëpasnjëshme, si një kuadër shumë i mirë, i standardeve më të larta demokratike.

Kryeministri Berisha e siguroi Delegacionin për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për t’i krijuar opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme, në kuadër të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale.

Më tej, Kryeministri Berisha i njohu anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së me reformat e ndërmarra në fusha të tjera si; infrastrukturat e rëndësishme, në fushën e arsimit, shëndetit publik, komunikimeve elektronike, zhvillimit ekonomik me ritme të shpejta, etj.

Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, z. Battelli, vlerësoi se ecuria pozitive e ekonomisë shqiptare dëshmon qartësisht për politikat e drejta të ndjekura nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe është një faktor i rëndësishëm në promovimin e imazhit të Shqipërisë, si një vend që po punon seriozisht për projektin madhor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në të gjitha këto përpjekje, Shqipëria do të vazhdojë të ketë mbështetjen e OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të saj dhe organizatave të lidhura me të, theksoi z. Battelli.

Kryeministri Berisha falënderoi edhe njëherë Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për mbështetjen e kësaj organizate dhe i siguroi ata se qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë këtë bashkëpunim të ngushtë dhe shumë të frytshëm me OSBE-në, edhe në të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›