E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-OSBE Dialogu politik duhet te jete i hapur dhe pa parakushte

“Dialogu politik duhet të bëhet mbi çështje të arsyeshme.

Dialogu duhet të jetë i hapur, pa parakushte dhe të zhvillohet brenda institucioneve”, tha sot përfaqësuesi special i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, Roberto Battelli, në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Ajo e falënderoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për misionin dhe kontributin në zgjedhjet e 8 Majit, të cilat në raportin final të OSBE-ODIHR u cilësuan si transparente dhe kompetitive.

“Raporti i OSBE-ODIHR-it me 52 rekomandimet e tij, tha Kryetarja e Kuvendit, janë baza për reformën e ardhshme zgjedhore, reformë që kërkon angazhimin dhe kontributin e të gjitha partive politike dhe shoqërisë civile, me asistencën e OSBE/ODIHR-it.

Si Kryetare e Kuvendit kam përsëritur ftesën për ngritjen sa më parë të Komisionit për reformën zgjedhore.

Bojkoti ka bërë të humbin tashmë dy vjet për të nisur këtë reformë. Bllokimi dhe bojkoti kanë dëmtuar vendin. Një bllokim i ri është edhe mosvotimi i ligjeve të integrimit, që kërkojnë 3/5 e votave të parlamentit.

Ligji për Gjykatën Administrative, i konsultuar me ndërkombëtarët dhe i amenduar nga opozita, kodet që kërkojnë shumicë të cilësuar, Avokati i Popullit, ligji për heqjen e imunitetit janë në rend të ditës në pritje të votës së opozitës.

Deputetët e opozitës duhet të përmbushin misionin dhe detyrën kushtetuese në votimin e ligjeve dhe jo vetëm të votojnë prezencën e tyre në parlament”, u shpreh ajo.

Nga ana e tij, Battelli theksoi se “reformat vijnë përmes votës”.

Ai tha se “Shqipëria ka një energji shumë pozitive dhe vendi juaj është një vend me perspektivë europiane”.

Biseda mes Kryetares së Kuvendit dhe përfaqësuesve të delegacionit të Asamblesë parlamentare të OSBE-së u ndal më tej në mundësitë konkrete të bashkëpunimit mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Asamblesë së OSBE-së në vijim të reformave integruese.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›