Berisha: Objektivi i 2009-s, zgjedhjet e lira
“Viti 2008 ishte viti, në të cilin një aksident tragjik shumë i rëndë, ndodhi në Gërdec”
TIRANË- Ndryshe nga çdo vit tjetër, Kryeministri Sali Berisha ka preferuar që ta mbyllë këtë fundviti me një fjalim të shkurtër, të pashkruar, i pashoqëruar nga këshilltarët apo ministrat. “Ky është vit flet vetë dhe, në këtë kontekst, e lashë mënjanë fjalimin”,- tha dje Berisha gjatë konferencës së fundit për shtyp të zhvilluar për këtë vit, me përfaqësuesit e medias. Kreu i ekzekutivit e ka cilësuar vitin 2008 si vitin e reformave të mëdha dhe të gjithanshme. “Juve ju pëlqejnë konsensuset dhe ajo që mund të them është se si asnjë vit tjetër, ky vit nisi me konsensus për ligjin e votuar për sistemin e drejtësisë dhe u mbyll sërish me konsensus për Kodin Zgjedhor, që u votua sot, ligji për Prokurorinë dhe një serë ligjesh të tjera të rëndësishme, pjesë e Kodit të Procedurës Penale dhe Civile, etj.”, - tha Berisha. Kryeministri ka deklaruar se objektivi kryesor për këtë vit janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Zotimi im është se do të bëj çdo përpjekje për zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është detyrimi më madhor. Unë do të bëj çdo gjë që shqiptarët në këto zgjedhje të votojnë njësoj si qytetarët e tjerë europiane. Ju garantoj se ky është qëllimi im më i parë për këto zgjedhje. Së dyti, të respektoj me vendosmërinë më të madhe verdiktin e tyre. Duke i shpallur zgjedhjet e ndershme si objektivin më madhor të qeverisë, ju siguroj se reformat, sërish, do të mbeten ‘perpetum mobile’”,- tha Berisha. Duke mbetur tek reformat, Kryeministri theksoi se disa prej tyre kanë qenë të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Ai shtoi se viti 2008 ishte viti i pavarësisë së Kosovës, vit kur Shqipëria mori ftesën në NATO, viti i privatizimeve, por edhe rritjes se pagave. Kryeministri deklaroi gjithashtu se ekzistojnë mundësitë që vitin tjetër të ketë një rritje të shpejtë ekonomike. Megjithatë, Berisha nuk parashikoi se sa do të jetë shkalla e ndikimit të krizës globale në vend. “Nuk mund ta parashikoj. Veçse parashikoj se do të bëjmë çdo përpjekje që ajo të jetë minimale. Nuk besoj që kjo krizë të jetë kaq e qëndrueshme”,- tha ai. Më pak fjalë, Berisha u përqendrua edhe tek ngjarja tragjike e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Për kreun e ekzekutivit, ngjarja e Gërdecit vazhdon të jetë një aksident tragjik. “Viti 2008 ishte viti, në të cilin një aksident tragjik shumë i rëndë ndodhi në Gërdec. Qeveria bëri ndërhyrjen më energjike për rikuperimin e pasojave të këtij aksidenti dhe për rindërtimin e zonës. Një proces hetimor është në zhvillim, i cili shpresoj dhe uroj të vendosë para ligjit të gjithë përgjegjësit e tij”,- tha ai.